
(vijon nga numri i kaluar)
Media po “bombardon” audiencën perëndimore me pamje raketash e predhash të artilerisë që përplasen në ndërtesat e banimit, helikopterë në flakë, refugjatë që rrjedhin përtej kufirit, burra trupëmëdhenj me uniforma që pozojnë nga vendet e djegura dhe tanke e automjete luftarake të këmbësorisë [NY Times, 5. 03. 2022]. Aty-këtu ndonjë video apo fotografi që nuk i përket as vendit as kohës, siç qe ajo fotografia e vitit 2020 në shpërthimin e Bejrutit që ia ‘shitën’ lexuesit si “pamje nga Ukraina”! Duke ndjekur “lojën mediatike” dyshojnë që edhe “masakra e Buçës” të mos jetë tjetër veçse një “made up story” për ta bërë situatën më tragjike dhe për të arsyetuar ndërhyrjen me çfarëdo metodash të nevojshme.
Ukraina, pëveçqë ka qenë ‘zemra’ e BRSS-së, është ‘shtëpia’ e shtatë vendeve të mbrojtura nga Lista e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe veçohet për disa vende nga vizitorët, përfshirë Katedralen Shën Sofia të Kievit, qendrën historike të Lvivit, kishën unike të drurit në Karpate dhe pyjet e ahut që i rrethojnë ato. Është vendi i fatkeqësisë bërthamore vdekjeprurëse të Çernobilit (1986), zonë brenda së cilës janë një numër qytetesh të braktisura, që tërheqin interes nga vizitorët. Është “Tuneli i dashurisë”, i rrethuar me harqe të gjelbra, të formuara nga pemë në të dy anët e linjës hekurudhore me një binar, ambient romantik që tërheq shumë çifte. Stacioni Arsenalna i Metrosë së Kievit, më i thelli në botë prej 105.5 metrash. Prodhuesja më e madhe e farërave të lulediellit (e ndjekur nga Rusia) dhe vend ideal për rritjen e grurit dhe kulturave të tjera ushqimore, e quajtur edhe si “shporta e bukës së Evropës” [IndiaTimes, 24. 02. 2022]. Përveç gjithë këtyre, aty prodhohej edhe “Antonov”-i, konkurrenti i “Boing”-ut, që arriti të prodhojë aeroplanin më të madh dhe të indinjojë rusët kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik.
Analistët gjithnjë e më shpesh po merren me qëndrimin e Kinës që mund të bëhet një faktor gjeopolitik me të cilin Rusia mund të bashkëpunojë [WSJ, 21. 02. 2022], me gjithë problemet që ka me Tajvanin. Duke zgjedhur nga dy të këqijat atë që është më pak e keqe, Rusia madje mund të pranojë që të bëhet ‘vasale’ e Pekinit. Ato mund të bashkëpunojnë ngushtësisht për t’i hequr Amerikës privilegjin e sistemit monetar në tregun global [WSJ, 14. 03. 2022].
Një qëndrim krejt tjetër mban Edward Fishman, i cili mendon se sanksionet që perëndimi ka vendosur do të rezultojnë në largimin e kompanive perëndimore nga Rusia, por Kina nuk do t’i lejojë vetes të zëvendësojë gjithçka që Perëndimi i ka ofruar Rusisë, për shkak të tregjeve të saj të lulëzuara me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën [Atlantic, 7. 03. 2022]. Turqia, duke qenë anëtare e NATO-s por edhe në një pozitë jo të mirë në këtë konflikt, hëpërhë mund të përfitojë. Dihet se linja e “Korridorit Verior” të transportit që lidh Azinë me Evropën është bërë i pasigurt, kurse linja e “Korridorit Jugor” më pak e preferuar, për shkak të embargove kundër Iranit dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, parashohin që “Korridori i Mesëm” të vitalizohet dhe t’i sjellë Turqisë dhe Azerbajxhanit përfitime të mëdha. Këtë konstatim e ka dhënë analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare të Azerbajxhanit – Orhan Bagirov, mendim që e përkrahu edhe analisti Valeri Çeçelashvili i Gjeorgjisë. Ky korridor ka pasur një përfitim prej 780 miliardë dollarësh vetëm në vitin 2019.
Nga ana tjetër, mbështetja e Evropës për gazin natyror rus po minon përpjekjet për të paraqitur një front të përbashkët kundër saj. Gjermania, duke ndjekur interesat e saj të ngushta, jo vetëm që ngurron të dërgojë armë, por gjithashtu ka anuluar përpjekjet e shteteve të NATO-s, si Estonia, për të dorëzuar armë të prodhimit gjerman në Ukrainë. Analistët thonë se mbështetja gjermane në gazin natyror rus – që përbën gjysmën e të gjitha importeve të gazit të saj – shpjegon më mirë ngurrimin e Berlinit për të tërhequr zemërimin e Kremlinit [NY Times, 5. 03. 2022]. Franca mbështet një strategji evropiane për t’u angazhuar në një dialog më të gjerë me Rusinë, ndërkohë që Britania e Madhe, e cila shumicën e importeve të gazit natyror e merr nga Katari, është lidhur më afër me Uashingtonin, duke dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë dhe duke bërë thirrje për sanksione më të ashpra.
Duke qenë e rëndësishme në furnizimin e shumë vendeve me grurë dhe me burime të energjisë natyrore, konflikti ruso-ukrainas duket se po paraqet problematikë të veçantë për shkakun e krizave në shumë vende të botës, si rezultat i sanksioneve që Perëndimi ka vendosur kundrejt Rusisë. Krismave të saj po u dëgjohet jehona edhe mbi qiellin e Ballkanit në përgjithësi e mbi atë shqiptar në veçanti! Të lodhur e të dërmuar nga periudha dyvjeçare e Covid-it., ata po përballen me të tjera problematika, të cilat kërkojnë kujdes dhe përgjegjësi.
Ekspertët pohojnë se Shqipëria është në një varësi indirekte nga tregjet e Rusisë dhe Ukrainës, nga të cilat importon 50% të sasive vjetore të drithërave, pjesën tjetër e importon nga Serbia, Rumania, Bullgaria dhe nga fermerët vendas me vetëm 250.000 tonë grurë në vit. Në kushtet e luftës dhe ndërprerjen e eksportit të grurit nga Bullgaria dhe Serbia, kërkesat për rezerva gruri janë rritur dhe si pasojë kanë sjellë rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm. Shqipëria po përpiqet të importojë grurë nga Franca, Hungaria dhe Rumania, në një kohë kur çmimi i grurit në bursë është rritur nga 295 në 345 dollarë, përveç kostos së transportit detar! Ndonëse nga Rusia importon vetëm 12% të naftës, edhe atë që e importon nga Italia është me origjinë ruse që vetëm se përpunohet në Itali. Kjo ka ndikuar që në tregun vendas nafta të shënojë shifra rekorde çmimesh.
Ekonomia shqiptare do të pësojë rënie si pasojë e çmimeve të larta të lëndëve të para. Ulja e vëllimit tregtar nga situatat e pasigurta do të shkaktojnë rënie investimesh dhe do të ndikojnë negativisht në ekonomi. Do të ketë rritje çmimesh në lëndët e tjera minerale si ato të hekurit, çelikut dhe aluminit që janë importuar nga Rusia. Sektori i turizmit do të ndiejë peshën e mungesës së turistëve nga Ukraina dhe Rusia, të cilët vitin e kaluar përbënin 12%, duke qenë grupi i dytë më i madh pas polakëve. Mungesa e të ardhurave nga strukturat akomoduese hoteleri-restorante do të kenë gjithashtu pasoja negative.
Shtypi shqiptar njoftoi ditë më parë se Shqipëria ka nisur shqyrtimin e listës të rusëve që jetojnë në Shqipëri e që mbështesin “agresionin e Rusisë në Ukrainë” dhe nëse verifikohet se në Shqipëri jetojnë persona të tillë, të merren masa të njëjta me ato që i kanë marrë edhe vendet e tjera perëndimore, duke i shpallur ata “non grata” dhe duke i dëbuar nga vendi! Shqiptarët duhet t’i peshojnë mirë veprimet që bëjnë dhe të mos u ngjajë si në kohën e monizmit, kur iu deshën pesëdhjetë vite për të kuptuar se ajo “parajsa tokësore” e Enver Hoxhës kishte qenë vetë Ferri! Ata duhet të vetëdijësohen dhe të mos bëjnë asnjë veprim eksperimental që mund t’i çojë drejt ndonjë konflikti. Ata duhet të marrin mësim nga një rrëfim të cilin e pati treguar Fan Noli, në fjalimin e tij të mbajtur në vitin 1963 në SHBA. Një herë, kur Noli u bë kryeministër, nga mërzia e madhe për hallet e shtetit, një ditë po i binte fyellit. Ndërkohë, një të moshuar që po kalonte atypari e pyeti: “Si venë punët e Shqypnisë?” Plaku e vërejti e i tha: “Ç’të them, kur kryeministri i bie fyellit, imagjino si mund të jenë punët e Shqypnisë”. (Fund)
