
(vijon nga numri i kaluar)
Disa analistë të politikës mendojnë se lufta e Putinit në Ukrainë ka për objektiv përfundimtar “forcat e jashtme”, përkatësisht SHBA-të, të cilat i quajti “perandoria e gënjeshtrës”. Në vizionin e tij, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, SHBA-të dhe aleatët e saj “u përpoqën të na shtypin, të na mposhtin dhe të na zhdukin… Ne e kujtojmë këtë dhe nuk do ta harrojmë kurrë”. Me këtë ai bëri të ditur se ndërmarrja e Rusisë në Ukrainë nuk është thjesht një ”konflikt lokal”, por si një hakmarrje e tij kundër Perëndimit në përgjithësi dhe SHBA-ve në veçanti. Fjalimin e tij gjysmëorësh Putini e përmbylli me kërcënimin se: “Kushdo që përpiqet të na pengojë, do të përballet me pasojat e atij lloji me të cilat nuk është përballur kurrë në historinë e tij”. Ai nuk specifikoi se cila mund të ishte mbështetja dhe nëse “mbështetje” e konsideronte edhe ofrimin e qindra milionë dollarëve që SHBA-të i dhanë Ukrainës vitin e kaluar, si ndihmë ushtarake për të ndihmuar Ukrainën “nga një pushtim i mundshëm rus” [Times, 24. 02. 2022].
Amerika nuk mund të ketë të drejtë të zgjerojë influencën e saj deri në kufijtë e Rusisë dhe, prandaj ajo do të ishte mirë të mësojë nga këshillat e rëndësishme politike të intelektualëve si George Keenan, Henry Kissinger dhe John Mearsheimer, të cilët kanë thënë për një kohë të gjatë se: “Zgjerimi i NATO-s në lindje do ta çojë botën në katastrofë”. Tensionet dita-ditës vijnë e shtohen. Ndërsa Presidenti amerikan Joe Biden shpall Putinin “kriminel të luftës” [WSJ, 17. 03. 2022] dhe kushtëzon zgjidhjen e konfliktit përmes “Luftës së Tretë Botërore”, ose me çmimin që Rusia duhet të paguajë “për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare”, zyrtarët e Rusisë kërcënojnë se: “Stacionin Hapësinor [Roscosmos] nga orbita do ta rrëzojmë mbi kokat tuaja”, duke aluduar në SHBA-të dhe Evropën. Kina, Irani dhe vendet tjera po vëzhgojnë dhe qëndrojnë larg nga kjo lojë e rrezikshme, apo po presin për ndonjë mundësi të disponueshme përfitimi [Atlantic, 7. 03. 2022]. Vetë Putini është shprehur disa herë se “nuk do të ndalet deri të arrijë objektivat e parapara”, që në konstatimin e ‘ekspertëve’ janë marrja nën kontroll e brigjeve veriore të Detit të Zi, ndryshimi i hartës gjeografike dhe ristrukturimi organizativ i OKB-së.
Çështja fetare në Ukrainë paraqet një problem më vete. Besimtarët ortodoksë të Kishave të Moskës dhe Kievit numërojnë rreth 140 milionë, nga gjithsej 220 milionë që janë në botë. Në vitin 2018, ngjau një përçarje historike që çoi në krijimin e Kishës Autoqefale të Ukrainës, e cila u njoh nga patriarku ekumenik i Konstantinopojës – Bartolomeu, të cilin Kirilli e shkishëroi dhe i ndërpreu marrëdhëniet me të. Ndërsa Kisha autoqefale përfaqësohet nga Epifanij, në Kiev ekziston edhe një kishë ortodokse ende e varur nga Moska, që përfaqësohet nga Mitropoliti Onufrio, tanimë i distancuar nga Rusia. Ka edhe një kishë “Greko-Katolike”, që udhëhiqet nga Kryepeshkopi Sviatoslav Schevchuk
Krahas arsyeve politike të Putinit, u dëgjua fuqishëm edhe zëri i Patriarkut të Rusisë, Kirill, i cili nga Katedralja e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, e justifikoi luftën në Ukrainë si një luftë të Ortodoksisë së Krishterë kundër dekadencës perëndimore të promovuar nga regjimi i Zelenskyt: “Kjo është një luftë për ruajtjen e krishterimit kundër promovimit të modeleve mëkatare antikristiane të jetës që na sollën paradat e homoseksualëve”, tha ai. Kjo duhet luftuar si: “një mëkat i dënuar nga Fjala e Perëndisë”. Ai kërkoi rezistencë kundër “vlerave” të përdala: “Nëse njerëzimi pranon se mëkati nuk është një shkelje e ligjit të Zotit dhe nëse njerëzimi pajtohet me këtë lloj sjelljeje njerëzore, atëherë qytetërimi njerëzor do të përfundojë këtu”. Deklarata e Kirillit i dha shkas Alessandro Trocino-s, i cili për “Corriere della Sera” konstatoi se “ajo që po luftohet është gjithashtu një luftë fetare”, ose të konstatimit të Antonello De Oto në Formiche, se: “Konflikti i Ukrainës nuk përfaqëson vetëm zgjidhje politike, por edhe zgjidhje të një problemi të identitetit fetar”.
Në fakt, çështja fetare në Ukrainë paraqet një problem më vete. Besimtarët ortodoksë të Kishave të Moskës dhe Kievit numërojnë rreth 140 milionë, nga gjithsej 220 milionë që janë në botë. Në vitin 2018, ngjau një përçarje historike që çoi në krijimin e Kishës Autoqefale të Ukrainës, e cila u njoh nga patriarku ekumenik i Konstantinopojës – Bartolomeu, të cilin Kirilli e shkishëroi dhe i ndërpreu marrëdhëniet me të. Ndërsa Kisha autoqefale përfaqësohet nga Epifanij, në Kiev ekziston edhe një kishë ortodokse ende e varur nga Moska, që përfaqësohet nga Mitropoliti Onufrio, tanimë i distancuar nga Rusia. Ka edhe një kishë “Greko-Katolike”, që udhëheqet nga Kryepeshkopi Sviatoslav Schevchuk. Përveç kësaj, pati edhe zëra se Zelensky po përgatitej të nënshkruante një lloj konkordati me Selinë e Shenjtë, duke lënë disi në hije shumicën ortodokse.
Madje edhe vetë Izraeli, që deri tani i ka shkelur të gjitha rendet ndërkombëtare, përmes ministrit të Jashtëm Yair Lapid, dënoi “sulmin rus” mbi Ukrainën si “shkelje serioze e rendit ndërkombëtar” [The New Yorker, 28. 02. 2022]. Kjo deklaratë e komprometoi Izraelin në vështrimin e Ehud Olmertit, i cili u shpreh: “Si mund t’i dënojë Izraeli rusët, kur ata vetë mohojnë të drejtën e një populli tjetër për vetëvendosje për pesëdhjetë e pesë vjet?” [The New Yorker, 28. 02. 2022]. Edhe pse Ukraina është shtëpia e rreth 200 000 banorëve që kualifikohen për nënshtetësinë izraelite të migrimit dhe në krye të saj qëndron hebreu Zelensky, nga Izraeli vijnë zëra të dyshimtë.
Në kryetitullin e gazetës ”Haaretz”, Allison Kaplan Sommer shkroi se “Nuk do të më shqetësonte nëse Perëndimi do të merrte goditje në prapanicën e tij – izraelitët në anën e Putinit”, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i tyre kanë mbështetur me kujdes një qasje neutrale, për arsye strategjike, për të mos dëmtuar interesat që kanë me Rusinë [Haaretz, 2. 03. 2022]. Për më shumë, në Rusi jetojnë rreth 175 000 hebrenj, në mesin e tyre oligarkë miliarderë që kanë qenë afër Putinit, por që kanë investuar në Izrael, më i shquari prej të cilëve është manjati i naftës Roman Abramovich, i cili kohëve të fundit dha një kontribut prej dhjetë milionë dollarësh për muzeun e Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem. Ambasadori i Ukrainës në Izrael – Yevgen Korniychuk, i tha “Times”-it se Izraeli “po përpiqet të kuptojë se ku gjendet në këtë fushë shahu” [The New Yorker, 28. 02. 2022].
Zëra të tjerë e paraqesin këtë luftë si një konflikt ndërmjet zionistëve dhe pjesës tjetër të botës. Për më shumë, deklarata e Zelenskyt se Ukraina nuk do bëhet një vend i demilitarizuar sikurse Zvicra, por “do të bëhet një Izrael i Madh” [Jerusalem Post, 5. 04. 2022], u jep shkas në konkluzionin e tyre. Zëra të tjerë ‘argumentojnë’ se ky konflikt nuk është tjetër përveçse një luftë “ndërmjet dy pandemive”, e asaj që shkoi dhe “asaj që do të vijë”, që ka për qëllim gjunjëzimin e ekonomisë dhe varfërimin e shtresave mesatare të popullsisë. Sikurse lufta, ashtu edhe pandemia janë “vazhdime të politikave me mjete të dhunës”. Është pikërisht Perëndimi, veçanërisht Amerika ajo që e detyroi Putinin të ndërhyjë në Ukrainë duke mos i lënë zgjidhje tjetër. Këta mendojnë se Evropa është “Kali i Trojës” në duart e amerikanëve. Nëse ajo nuk do të arrijë të shkatërrojë Rusinë, zgjidhja e dytë për të është shkatërrimi i Evropës, veçanërisht i Gjermanisë, Francës dhe Italisë, dhe këtë nuk do ta bëjë me luftë, por me prodhimin e krizave dhe gjunjëzimin ekonomik. Së paku deri tani, përfituesja e luftës ruso-ukrainase është Amerika! Ajo po iu shet armë vendeve të Evropës, Rusinë e shkatërroi ekonomikisht duke e vendosur në një “Embargo Kontinentale”, Gjermaninë po e shkatërron ekonomikisht, sa po flitet për deindustrializimin e vendit, meqë industria gjermane funksionon me gazin dhe naftën e Rusisë!
Ka edhe një teori tjetër që pohon se lufta në Ukrainë nuk është tjetër veçse një luftë ndërmjet “Sorosizmit ndërkombëtar” nga një anë dhe Islamit e Krishterimit nga ana tjetër. Pretendimet e tyre mbështeten në një hartë të ndërkombëtarëve, ku bëjnë pjesë vetëm Amerika, disa shtete të Evropës, Izraeli dhe Australia, të tjerat nuk pyeten për asgjë! (vijon)
