Skenarët parashikues për rrjedhat e ngjarjeve

Një ditë pasi tanket dhe trupat ruse kaluan kufirin e Ukrainës, më 24 shkurt (2022), lindi armiku i rrezikshëm, për të cilin NATO u alarmua dhe shprehu shqetësimin e vet. Kjo shkaktoi reagime të mëdha në gjithë botën, mobilizoi “analistë” ku janë e ku nuk janë, dhe bëri një rindarje të opinionit publik, për të përcaktuar se cili në të vërtetë është “engjëlli” dhe cili “djalli” në këtë konflikt, që mund ta çojë botën drejt një rendi të ri

Hajrudin S. Muja

“Na i jepni 22 minuta që ne t’u japim botën” është një ‘histeri’ e radio-stacionit “WINS”, e cila kaloi në “21 minuta” te televizioni, që: “ne t’u japim botën”! Do të jemi me fat nëse i marrim drejt lajmet e komunave më të afërme! Dhe nëse kjo është ‘dritarja’ përmes së cilës ne sot shohim botën, duhet të dimë çka jemi duke shikuar dhe përse vijnë te ne përmes kësaj ‘dritareje’?! Ndërkaq, sikur gazetat të operonin prej zyrave të ndryshme, do të kishim dimensione të ndryshme informacionesh, por meqë, thuajse të gjitha mediat drejtohen prej “korporatave të fuqishme që mbajnë nën kontroll gjithçka që ne shohim e dëgjojmë” [Revista “Z”, shtator 1998], kjo përbën problem në vetvete [Bagdikian:1992/38]. Në situata të këtilla, një lajm i rëndësishëm edhe nëse nuk humb, do të vonohet. Ron Insana i thoshte shikuesit të CNN-it se: “Shumica e popullit nuk din se deri të kuptojë rrezikun në të cilin gjenden, gjithçka ka mbaruar”! [Alterman:2004/125] E gjithë kjo për shkak se “flitet për ato që duhet të heshtet dhe heshtet për ato që duhet të flitet” [Takle:2008].
Jo rastësisht Gëte e lexonte gazetën pas një muaji, ndërsa Mimi Bird King pas njëzet vitesh [Bagdikian:1992]. Përjashto këtu ‘gazetarët’ e rrjeteve sociale, të cilët sapo kanë mësuar shkrim-lexim, kanë hapur “diapazonin e informimit” si në vargjet satirike të Gjokë Vatës: “S’ka ransi shkruen mrapsht a marë, a ke lek – bahesh shkrimtar”!
Përballë kësaj situate, shkencëtari politik Majkell Parenti, me të drejtë nënvizonte: “Media e performancave të lajmeve ditore nuk është e dështuar, por një sukses i madh i qëllimeve që kanë, puna e tyre nuk është informimi por dezinformimi, jo për të vendosur demokracinë, por për ta penguar atë”! [Parenti:1999].
Kurrë më parë në histori nuk ka pasur kaq shumë rrjete informative dhe kaq pak informacion, sepse nuk është gazetari dhe as editori i gazetës, por “pronari ai që vendos dhe kualifikon lajmin” [Johnson:2001/63]. Si një grup i vogël njerëzish të pasur, ata nuk japin dot informacion të saktë, për shkak të manipulimit me realitetin dhe ruajtjes se pozitës që kanë [Bagdikian:1992/127]. Në rrafshin ‘diplomatik’ synohet të mbulohet një e vërtetë në lidhje me një ngjarje që tjetri nuk mund ta durojë.

Disa analistë madje kanë shprehur qëndrimin e tyre se kjo luftë nuk përngjanë në luftërat tjera, sepse është e projektuar për të shkaktuar kriza, për të varfëruar botën dhe për të sjellë pasoja të mëdha e të paparashikueshme!


Një ish-diplomat i OKB-së, kur e pyetën ‘Si lindin luftërat?’, u përgjigj: “Diplomatët gënjejnë gazetarët dhe pastaj besojnë atë që lexojnë në gazeta”. Në konstatimin e Indro Montanellit në Universitetin e Torinos në vitin 1997, kjo është “mynxyra më e keqe që mund të na ndodhë” [Gazeta Shqiptare, 15/04/2009].
Në rubrikën e opinioneve të gazetës prestigjoze “The New York Times” të datës 11 mars 1990, tekstualisht thuhej: “Tani që vumë në gjumë komunizmin, duhet të shpikim një kërcënim tjetër të tmerrshëm” [Pipes:2003/15]. Pas gjashtë vjetësh Fred Halliday, në librin “Islami dhe miti i konfrontimit” [New York, 1996] ishte më konkret: “Mbasi mori fund Lufta e Ftohtë, duket se rivalitete të tjera do ta zëvendësojnë atë dhe njëri prej tyre është ai midis Islamit dhe Perëndimit”. Sipas Stjuart Syme (2004) kjo do të zëvendësojë “gogolin e komunizmit për të trembur ndërgjegjen perëndimore”. Këtë “gogol” e gjeti Xhorxh Bush pas ngjarjeve ende të pandriçuara të 11 shtatorit 2001, kur tha: “Amerika është në luftë me fashistët islamikë” [CNN, 10. 08. 2006]. Mediat botërore u mbushën me lajme, konstatime, analiza e opinione, të cilat në fund të gjitha dolën shterpë, por lufta plasi, vendet u shkatërruan dhe njerëzit vdiqën! Në gjithë botën, përfshirë edhe atë Shqipërinë e posa zgjuar nga monizmi, u bënë “ekspertë” të situatës dhe organizuan ‘inkuizicion’ kundër islamit dhe myslimanëve.
Trazirat e Sirisë, Palestinës dhe Jemenit, që për një kohë të gjatë u përkrahën “nga bota e qytetëruar” qoftë edhe me heshtje, sikur u bënë të parëndësishme dhe filluan të hiqen nga lajmet ditore, sepse erdhi një armik tjetër “i panjohur”, por global, me të cilin duhej të përballeshim. Të gjitha rrjetet mediatike të jepnin përshtypjen se jemi duke jetuar në kohën e “vdekjes së zezë” të mesjetës dhe se po afronte “fundi i botës”. Bizneset e vogla u mbyllën dhe falimentuan, korporatat e mëdha i mbanin konsumatorët në radhë për t’i furnizuar me sendet e nevojshme dhe për ta shtuar profitin e tyre në dhjetëra herë!
Shumë njerëz humbën vendet e punës për shkak se refuzuan të zbatojnë “urdhrat e të mëdhenjve” për marrjen e vaksinës! Njerëzit u gjobitën se u kapën në vendet publike pa maska! Fluturimet u anuluan! Bota u paralizua dhe u karantinua! U la përshtypja se ky armik i padukshëm, që e quajtëm pandemi, do të qëndronte përherë në mesin tonë, ose së paku deri të gjendej një tjetër armik me të cilin duhet të përballemi. Ai duhet të kishte tri veti shtesë: të ishte i dukshëm, të ishte i rrezikshëm dhe të kishte mundësi që ekonomikisht të gjunjëzojë botën. Në lidhje me të gjitha këto, dikush i radhiti në “teoritë e konspiracionit”, të tjerët e konsideruan si “vetë konspiracioni”!
Një ditë pasi tanket dhe trupat ruse kaluan kufirin e Ukrainës, më 24 shkurt (2022), lindi ky armik i rrezikshëm, për të cilin NATO u alarmua dhe shprehu shqetësimin e vet [NY Times, 5. 03. 2022]. Kjo shkaktoi reagime të mëdha në gjithë botën, mobilizoi “analistë” ku janë e ku nuk janë, dhe bëri një rindarje të opinionit publik, për të përcaktuar se cili në të vërtetë është “engjëlli” dhe cili “djalli” në këtë konflikt, që mund ta çojë botën drejt një rendi të ri. Disa analistë madje kanë shprehur qëndrimin e tyre se kjo luftë nuk përngjanë në luftërat tjera, sepse është e projektuar për të shkaktuar kriza, për të varfëruar botën dhe për të sjellë pasoja të mëdha e të paparashikueshme!
Në analizat e ditëve të para u dhanë skenare parashikuese për rrjedhat e ngjarjeve. Në skenarin e parë, Rusia do të pushtonte Ukrainën në ditët e para të luftës dhe do të vendoste në Kiev një qeveri kukull. Në të dytin, ukrainasit do të organizonin rezistencën, kurse Rusia do të tërhiqej e mposhtur. Në të tretin, lufta do të dalë jashtë kufijve të Ukrainës dhe do të ndezet një konflikt i rrezikshëm ndërmjet Rusisë dhe NATO-s, ose që ditën e parë ishte një luftë që NATO po bën kundër Rusisë! Në skenarin e katërt, sanksionet kundër Rusisë do të japin rezultatin e kërkuar, kurse Putini do të detyrohet të dialogojë me vendet perëndimore. Në skenarin e fundit, Rusia do të zhytet në një krizë të rëndë ekonomike që do të shpie në revolta masive popullore dhe do të rrëzojnë Putinin nga skena politike!
Së pari, duhet të vështrohen me shumë kujdes studimet shkencore, të cilat ofrojnë bazë të qëndrueshme për të kuptuar shkaqet, si parakusht për njohjen e ngjarjeve të mëdha socialo-politike dhe historike të globit. Në fillim të vitit 1990, kur sekretari i përgjithshëm sovjetik Mikhail Gorbaçov u pajtua për bashkimin e dy Gjermanive, kërkesa e tij ishte që “Gjermania e ribashkuar të mos bëhej pjesë e Aleancës Atlantike”. Në lidhje me këtë vlen t’i referohemi autorit Ben Steil, në librin “The Marshall Plan – Dawn of the Cold War” [Plani Marshall – fundi i Luftës së Ftohtë (New York 2018)]. Steil shpjegon se anëtarësimi i Gjermanisë në NATO duhej të mbeste përherë i përjashtuar dhe me asnjë kusht zgjerimi i saj drejt Lindjes nuk duhej lejuar. Një udhëheqës sovjetik i asaj kohe e shihte si “një organizatë të krijuar që në fillim, për të qenë armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik”.
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat