Ateizmi donte të zhdukte me çdo kusht traditën shqiptare të agjërimit

Kur fillonte Ramazani, në kohën e iftarit dhe të syfyrit kërciste “topi i Ramazanit”, traditë që u vazhdua edhe në periudhën e Mbretërisë Shqiptare, madje edhe gjatë pushtimit italian! Kështu kishte vepruar edhe vetë Mbreti Nikollë i Malit të Zi, i cili teksa po mundohej të fitonte besnikërinë e shqiptarëve myslimanë, që tashmë i kishte pushtuar, kujdes të veçantë tregoi për agjërimin e tyre, duke urdhëruar topçiun e Tivarit që gjatë Ramazanit, me të shtëna topi të shënojë fillimin e agjërimit

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Në vitet e para të ngritjes së shtetit shqiptar (1912-1925), agjërimi i Ramazanit respektohej jo vetëm nga popullsia, por edhe nga shtetarët më të lartë të besimeve të ndryshme [Zani i Naltë, 19. 06. 2015], ndonëse e kishte humbur atë shkëlqimin që kishte pasur më parë. Kështu shprehej Hafiz Ali Korça: “Në Shqipëri ne muslimanët, si punë feje ashtu dhe punë morali kemi patur një nam të madh. Po mjerisht, që nga Luftrat Ballkanike (1912-1913) e këtej, nga çdo pikëpamje po shkojmë poshtë. Sot, si besa fetare ashtu dhe besa kombëtare është ligështu e është sëmurë aq fort sa na vjen turp të themi se jemi bijt e atyre të parëve” [Zani i Naltë, #7/1924].
Një trajtim më i veçantë dhe më i privilegjuar u bëhej punëtorëve, shtetarëve edhe nxënësve të shkollave. Sipas projekt-ligjit të vitit 1925 për arsim, për shembull: “Në shkollat ku nxënësit janë muslimanë, në muajin e Ramazanit mësimi do të bëhet vetëm 4 orë, duke mësuar vetëm lëndët kryesore” [Drita Isl¬ame, Nëntor 1913, f. 21]. Privilegjet vazhdonin edhe pas përfundimit të agjërimit. Në shkollat shqiptare programi për festën e Bajramit të Ramazanit ishte: dy ditë pushim para dhe tri ditë pas Bajramit të Ramazanit. Kjo traditë u ndoq edhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste (1939-1943) si dhe nga gjermanët (1943-1944).
Askush nuk e kishte menduar se për besimtarët po vinin kohë të vështira, sidomos pas vitit 1967 kur nisi një dhunë e egër kundër fesë dhe fetarëve. Njerëzit që refuzonin të hanin mishin e derrit, ose të prishnin agjërimin gjatë Ramazanit, arrestoheshin e dënoheshin me burg. Ata madje edhe në shtëpi frikësoheshin të kryenin ritet fetare, për shkak se fëmijët mund të tregonin [Moorey:2015, f. 72]. Nën propagandën e këtij sistemi, të gjithë duhej të hanin me zor për hir të Partisë [Sulstarova:2006, f. 168]! Ky regjim, gati për një gjysmë shekulli pati shkaktuar probleme të mëdha për besimtarët, me internime, burgosje e keqtrajtime fizike. “Drita Islame” tregonte për një nënë nga Bërxulli i Tiranës, e cila edhe gjatë atyre viteve, asnjëherë nuk e kishte prishur agjërimin e Ramazanit, pavarësisht barbarizmave që ishin shkaktuar ndaj saj.

Ndonëse i shkaktoi dëme të mëdha veçanërisht rinisë, ateizmi nuk e pati forcën e pretenduar për të shuar dritën e besimit në Zot, në zemrat e shqiptarëve. Kjo u vërejt me rënien e regjimit komunist, që solli menjëherë edhe ripërtëritjen e besimit. Disa shpreheshin për këtë muaj:“na çeli sytë e zemrës së errësuar për gjysmë shekulli”, disa të tjerë thonin: “na përtërinë imanin e zbehur prej vitesh”


Sot të vjen të qeshësh me budallallëkun që Kadareja na e ka paraqitur në romanin “Lëkura e Daulles”, që njihet edhe si “Dasma”, por që i kushtohej atij revolucioni të tretë të Partisë (1960-1970). Ismail Kadare shkruan për “qyfyret” e ditëve të Ramazanit në Kavajë, në kohën kur ishte krijuar shtabi për luftën kundër agjërimit. Agjitatorët, korrierët, aktivistët, venin e vinin poshtë e përpjetë atë natë, trokitnin derë më derë, raportonin, telefononin: “Alo, sukses, plaka Makbule më në fund hëngri. Piu dhe dy gota ujë. E pashë me sytë e mi”. “Alo, fitore, Sul Bullunga u shqep së ngrëni një gjel të tërë me pilaf”. “Alo, Rrem Tufja s’bindet. Rri përpara gjellës si i luajtur dhe se ç’mërmëritë. Ç’të bëj?” “Detyroje të hajë, përpiqu, ndërroji gjellën. Gjer në orën 17:00 të ketë ngrënë”. “Si urdhëroni, shef” [Kadare:1981/VIII:3111; Sulstarova:2006].
Gjatë muajit të Ramazanit dhe festave të tjera fetare, persona të veçantë në sektorë të ndryshëm të shoqërisë dhe administratës, caktoheshin për të parë zhvillimin e ngjarjeve, për të gjetur agjërues, për t’i ndaluar dhe për t’ua prishur agjërimin. Raportet e “rëndësishme” i shkonin qeverisë se: “gjatë ditëve të Bajramit dyqanet shitën shumë më tepër sheqer” dhe se: “u konstatuan edhe shumë mungesa në punë”. Ata nuk ishin agjërues që ta kuptonin bindjen e tyre se agjërimi do t’u bëhej ndërmjetësim në Ditën e Gjykimit, nuk mund ta kuptonin kënaqësinë e tij, pra iftarit, sepse vetëm agjëruesi mund ta ndiejë.
Edhe në Bullgari i njëjti sistem i ndaloi të gjitha festat e myslimanëve, agjërimin e Ramazanit, ndaloi performancën e Haxhit dhe ritet e tjera fetare islame. Nën regjimin e Zhivkovit, thirrja për namaz (Ezani) gjithashtu u ndalua [Poulton&Taji-Farouki:1997, f. 5]. Pak a shumë një ‘sistem’ i ngjashëm me inkuizicionin spanjoll [1478-1834], ku të privuarit nga pirja e alkoolit, nga ngrënia e mishit të derrit apo nga mos prishja e agjërimit paguhej me jetë [Bajnodez:1992]. Por, ndërsa inkuizicioni e kishte ‘hujin’ me myslimanët dhe çifutët, sistemi ateist i Shqipërisë e pati me të gjitha fetë.
Ata donin me çdo kusht ta zhduknin edhe traditën shqiptare të agjërimit që fillonte me “muajt e mëdhenj”. Niste me pastrime të posaçme të shtëpive, duke pastruar sofrat, shtrojat (shiltet), mbulesat e shtratit (çarçafët, jorganët dhe këllëfët e jastëkëve), etj. [Drita Islame, Korrik/2012]. Kur fillonte Ramazani, në kohën e iftarit dhe të syfyrit kërciste “topi i Ramazanit”, traditë që u vazhdua edhe në periudhën e Mbretërisë Shqiptare, madje edhe gjatë pushtimit italian! Kështu kishte vepruar edhe vetë Mbreti Nikollë i Malit të Zi, i cili teksa po mundohej të fitonte besnikërinë e shqiptarëve myslimanë, që tashmë i kishte pushtuar, kujdes të veçantë tregoi për agjërimin e tyre, duke urdhëruar topçiun e Tivarit që gjatë Ramazanit, me të shtëna topi të shënojë fillimin e agjërimit. Me një letër të shkurtër kishte porositur vojvodë Masha Vrbicën: “Masho, jepu urdhër topxhinjve në Tivar që gjatë këtij Ramazani të ndezin nga një top në mëngjes (syfyr) dhe në darkë (iftar), por porositi që të jenë në kohë që do t’ju japë hoxha – Knjazi” [Andrijašević & Stojanović:2003, f. 43]. Ligji i tij për shkollat fillore [1884] i lironte fëmijët e myslimanëve gjatë Ramazanit dhe Bajramit dhe u jepte të premteve ditë të lirë në shkollat ku dominonin [Pekić:2011, f. 15].
Në zonat më të varfra binin daullet për t’i përkujtuar se “është koha e iftarit”, ashtu siç bëhej në kohën e syfyrit duke thirrur: “Zgjohuni për syfyr”. Në fshatrat më të mëvetësuara muezini thërriste Ezanin e akshamit. Një nderim i veçantë ishte kur kryetari ose të gjithë anëtarët e familjes të ishin ftuar për iftar te të afërmit, miqtë, komshinjtë apo farefisi. Kaq rëndësi i jepej këtij zakoni sa burrat rezervonin ditën që do të ishin të ftuar te njëri-tjetri. Thuhej se gjatë Ramazanit duhej të shkoje së paku tri herë mik dhe të ftoje së paku po aq miq. Ende ka të moshuar që i kujtojnë ato periudha vëllazërore në harmoni me njëri-tjetrin, edhe pse të varfër, të pasur në zemra, duke ia hapur dyert gjithkujt dhe duke ndarë gjithçka me të gjithë. Ato ditë që shfaqnin admirim të veçantë duke besuar se është një muaj që ditët dhe netët e tij kanë një mëshirë dhe shpërblim të veçantë. Tregohej një kujdes i veçantë për jetimët, të varfrit, skamnorët dhe ata pa përkrahje, sepse në Ramazan gjithçka ka vlerë më shumë.
Ndonëse i shkaktoi dëme të mëdha veçanërisht rinisë, ateizmi nuk e pati forcën e pretenduar për të shuar dritën e besimit në Zot, në zemrat e shqiptarëve. Kjo u vërejt me rënien e regjimit komunist, që solli menjëherë edhe ripërtëritjen e besimit. Disa shpreheshin për këtë muaj: “na çeli sytë e zemrës së errësuar për gjysmë shekulli”, disa të tjerë thonin: “na përtërinë imanin e zbehur prej vitesh”. Të tjerët, sikurse Ndriçimi – një kamerier rreth 50 vjeç, e deklaroi veten si mysliman, kurrë nuk kishte qenë në xhami, pinte alkoolin, por agjëronte Ramazanin: “Kam agjërue gjithmonë, nëna ime agjëronte, e si të mos agjëroja unë?” [Tosic:2015, f. 102]. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat