“Ulqini Open” vazhdon të jetë turneu më i fuqishëm në rajon

Vendi i parë në renditjen e përgjithshme i takoi KK “Bar” nga Tivari, vendi i dytë KK “Gorshtak” nga Kollashini, vendi i tretë KK “Sharri” nga Ferizaji, vendi i katërt KK “Rei” nga Ulqini dhe vendi i pestë KK “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova. Këto klube u shpërblyen me kupa. Garuesja më e mirë e turneut u shpall Albulena Gërvalla nga KK “As” nga Prishtina, ndërsa garuesi më i mirë Benjamin Alosheviq nga KK “Bar” nga Tivari, të cilët u shpërblyen me nga një kupë

Ulqin – Me rastin e Ditës së Ulqinit, të dielën, më 3 prill 2022, në sallën e Shkollës Fillore “Marshall Tito” në Ulqin, u mbajt Turneu XVIII ndërkombëtar i karatesë “Ulqini Open 2022”.
Turneu është organizuar nga KK “Ulqini” dhe Federata e Karatesë e Malit të Zi, nën patronatin e Komunës së Ulqinit dhe me përkrahjen maksimale të kryetarit të Komunës, Aleksandar Daboviq.
Në deklaratën për shtyp të KK “Ulqini” thuhet se pjesëmarrja e garuesve më të mirë nga klubet pjesëmarrëse nga mbarë rajoni bëri që konkurrenca të jetë shumë e madhe.
Turneu “Ulqini Open”, falë bashkëpunimit profesional e miqësor të KK “Ulqini” me shumë klube në vend, rajon e më gjerë, respektit të ndërsjellë, është shndërruar në turne tradicional dhe një prej garave me pjesëmarrje më masovike dhe më kualitative në rajon. Ky turne ndërkombëtar është nder për Ulqinin pasi që organizohet enkas për Ditën e Ulqinit dhe për vite me radhë është turneu më i madh me karakter ndërkombëtar sportiv në Komunën e Ulqinit, për çka edhe meriton përkrahje nga të gjithë me qëllim të ruajtjes dhe vazhdimit të kësaj tradite, e cila përpos karakterit sportiv, ka edhe karakter promovues të ofertës turistike të qytetit tonë.
Në turne morën pjesë 69 klube të karatesë me 1076 garues, nga dhjetë shtete: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kroacia, Belgjika, Austria dhe Sllovenia.
Vendi i parë në renditjen e përgjithshme i takoi KK “Bar” nga Tivari, vendi i dytë KK “Gorshtak” nga Kollashini, vendi i tretë KK “Sharri” nga Ferizaji, vendi i katërt KK “Rei” nga Ulqini dhe vendi i pestë KK “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova. Këto klube u shpërblyen me kupa. Garuesja më e mirë e turneut u shpall Albulena Gërvalla nga KK “As” nga Prishtina, ndërsa garuesi më i mirë Benjamin Alosheviq nga KK “Bar” nga Tivari, të cilët u shpërblyen me nga një kupë.
Garuesit e KK “Ulqini”, si organizator i turneut, nuk konkurruan për radhitje në renditjen e përgjithshme, edhe pse ishin në vendin e dytë.
Gjatë hapjes solemne të turneut morën fjalën dhe iu nda nga një mirënjohje nga KK “Ulqini” në shenjë të bashkëpunimit të suksesshëm shumëvjeçar kryetarit të Federatës së Karatesë të Malit të Zi, Predrag Perkoviq, presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kryetarit të Federatës së Karatesë së Kosovës, Avni Gashi, nënkryetarit të Federatës Shqiptare të Karatesë, Luftar Kurti si dhe kryetarit të Unionit të Karatesë Shqiptare dhe nënkryetarit të Federatës së Karatesë së Maqedonisë të Veriut, Alim Hajredini. Mirënjohje iu nda edhe sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, dhe Mjeshtrit të Madh, karateistit të suksesshëm, Enver Cakiqi, për përkrahje dhe bashkëpunim, Shkollës Fillore “Marshall Tito” dhe TV “Teuta”, e cila ishte sponsor mediatik i turneut, si dhe klubeve dhe trajnerëve për bashkëpunim dhe pjesëmarrje.
Në këtë turne, për bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar dhe për kontributin e tyre në zhvillimin dhe afirmimin e klubit, u shpallën anëtarë nderi të KK “Ulqini” Muzli Hakaj, mjeshtër i karatesë Og dan, trajner i karatesë në Oslo (Norvegji) dhe refer evropian, dhe Dragan Kraçkoviq, ish-sekretar i FKMZ, punonjës sportiv i palodhur, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, të dy profesionistë të pashoq e miq të mëdhenj të KK “Ulqini”.
Po ashtu, në turne u mbajt një minutë heshtje në nder të kujtimit të të gjitha viktimave të koronavirusit, në mesin e të cilëve ishin edhe Daut Bejta dhe Simo Koçoviqi, anëtarë të udhëheqësisë së Klubit, të cilët ishin kontribuues të palodhur, dashamirë të vërtetë të karatesë, që për vite me radhë i qëndruan klubit pranë, duke i dhënë përkrahje gjithmonë.
Daut Bejta dhe Simo Koçoviqi do të kujtohen gjithmonë me pietet e respekt të thellë dhe për kontributin e tyre të pashoq për zhvillimin dhe afirmimin e KK “Ulqini” iu nda mirënjohje post mortem, të cilat i pranuan familjarët e tyre.
Mirënjohje në shenjë falënderimi për përkrahje në organizimin e turneut dhe të veprimtarisë së Klubit në përgjithësi, morën edhe të gjithë sponsorët, mediat e portalet e ndryshme.
Falënderim i veçantë i takon Komunës së Ulqinit, së cilës iu dorëzua një plaketë për përkrahje dhe bashkëpunim, të cilën e pranoi kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, bashkorganizatori i turneut, i cili pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, i falënderoi për praninë dhe i uroi sukses dhe qëndrim të këndshëm në Ulqin, e shpalli të hapur Turneun XVIII ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2022”.
Udhëheqësia e KK “Ulqini” falënderon të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në turneun “Ulqini Open 2022”, duke e madhështuar në këtë mënyrë festimin e Ditës së Ulqinit.
Pjesëmarrja e tyre masovike është dëshmi e miqësisë dhe bashkëpunimit të mirë të KK “Ulqini” me klube në vend dhe jashtë vendit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat