
(vijon nga numri i kaluar)
Në vitin 1807, gjenerali francez Frederik Guillaum de Vaudonkurt (1772-1845) kishte vërejtur në Epir se dy fetë e vetme – islami dhe ortodoksia, nuk ishin fare të ngarkuara me fanatizëm, sepse ”quheshin shqiptarë”. Feja e Krishtit ose e Muhamedit – thotë ai – mund të ndryshonte vetëm në mënyrën e lutjes. Pjesa më e madhe e fshatrave myslimane nuk kishin xhami dhe prandaj ata nuk e kishin të vështirë të festonin Pashkët me të krishterët, po aq sa këta të fundit të merrnin pjesë në kremtimin e Ramazanit [Vaudoncourt:1816]. Kështu shkruante edhe shkencëtari austriak, hulumtues e studiues i Gadishullit Ballkanik – A. Waldkamf (1887), se si ortodoksët merrnin pjesë me dëshirë në festën e Ramazanit [Krasniqi:2007, f. 38].
Më pastaj kemi përshkrimin e Xhon Kam Hobhouse (1786-1869), i cili kishte udhëtuar gjatë tetorit, që i binte të jetë muaji i Ramazanit: “e krezhmja e turqve”. Fillimi i këtij muaji demonstrohej me gëzim duke u ndriçuar të gjitha minaret. Krisma pushkësh në çdo kënd të qytetit. Në fillim u habit tek u trazua gjatë natës, kur dëgjoi “zërin e muezinit nga minarja që i thërriste ‘turqit’ për kohën e lutjeve“ [Hobhouse:1817].
Duke qenë për gjashtë vjet shoqërues i gjeneralit Daglas në Korfuz, Capt. J. J. Best ka bërë dy udhëtime “gjuetie” në Shqipëri dhe është mahnitur “me këtë vend të panjohur magjik”. Në vitin 1842 boton librin “Excursions in Albania”, në kapitullin e dytë të të cilit, pasi fillon me pamjen e bukur të qytetit jugor e të kështjellës nga liqeni, vazhdon të flasë për Ramazanin dhe mënyrën se si shqiptarët gjatë këtij muaji “natën e bëjnë ditë dhe ditën natë”, kur madje edhe vetë qeveritari Myshir Mustafë Pasha, natën i pranonte vizitat e të huajve [Best:1842]!
Një situatë të tillë pak vite më pas na tregon gjeografi i Oksfordit, Henri Tozer (1869). Thotë se gjatë Ramazanit, në tregje nuk kishte shumë rrëmujë, madje edhe jomyslimanët nuk hanin para të tjerëve dhe prisnin zhurmën e topit të kalasë! Në horizont mbizotëronin minaret në formë spirale me maje dalluese për vizitorët. Ato ndriçoheshin gjatë festave fetare dhe perandorake. Në vitin 1853 e kishte parë secilën prej tyre “të rrethuar nga llampat ndriçuese”. Teksa largohej nga qyteti “ato formonin një konstelacion të shndritshëm që sa vinte e zbehej, si një tufë xixëllonjash në horizont” [Tozer:1869, f. 141].
Shumë vite më vonë, kemi vizitën e fundit të udhëtarit Roi Trevor, që i bëri Shkodrës në vjeshtë të vitit 1912, gjatë muajit të Ramazanit: “periudha e agjërimit për muhamedanët”. Ai thotë se gjatë këtij muaji, asnjë besimtar i vërtetë nuk lejohej të fuste gjë në gojë (të hajë apo të pijë) ndërmjet agimit dhe perëndimit të diellit. Në treg “turqit këmbëkryq para mallrave të tyre” iu dukën si “kuti të mëdha paketimi prej druri”, për shkak se nuk u lejohej të pinin duhan. Trevor kishte fituar përshtypjen se as i krishteri nuk ishte i sigurt të pijë duhan në treg, sepse mund të shkaktonte trazirë “për shkak se për myslimanin madje edhe thithja e tymit të duhanit që pi dikush tjetër thyen ligjin e Profetit” [Trevor:1913. ff. 75-76].
Duke shpjeguar agjërimin e shqiptarëve ashtu siç e kishte kuptuar vetë, Uadham Peakok e kishte parë si një detyrim tejet të vështirë! Ai tregon se gjatë muajit të Ramazanit, myslimani i mirë nuk mund të hajë ose të pijë prej agimit deri në perëndim të diellit, ai s’mund të pijë madje as një filxhan kafeje, as një të vetmen cigare. Mund të imagjinohet lehtë se çfarë prove e dhimbshme është kjo kur vjen Ramazani në verë dhe sa i vështrirë mund të jetë abstenimi nga ushqimi dhe pija në ditët e gjata e të nxehta të verës, në vapën e korrikut ose të gushtit, kur thuajse nuk ka mbetur bimë pa u djegur, ndërsa shi nuk ka rënë me muaj të tërë dhe vapa përvëlon si e dalë prej furre! Pra, gjatë Ramazanit, grupe myslimanësh të agjërueshëm mbase mund të shihen para dyerve të avllive, tek presin diellin të shkojë drejt perëndimit dhe shikojnë “qenët e krishterë” tek pijnë pije freskuese e cigare duhani! Ashtu presin krismën e topit për të lajmëruar se koha e agjërimit ka mbaruar dhe se mund të hanë [Peacock:1914, ff. 119-120]!
Kush mund të ishin “qentë e krishterë” përveç atyre që na ka shpjeguar Nopça, i habitur nga kryeipeshkvi i Shkodrës imzot Serreqi, kur kishte thënë: “çdo mysliman dallohet nga era e keqe që lëshon trupi i tij dhe prandaj ata janë të detyruar të lahen pesë herë në ditë”! Sipas Nopçës, ky ishte besim i verbër e fanatik i Serreqit, që përdorte shpifje për të shfryrë inatin e vet nga ndjenja e pafuqisë [Nopça:2013, f. 52]! Të tillë ishin “edhe njerëz të arsimuar, klerikë dhe laikë, të lartë e të ultë, që me gjithë seriozitetin pohojnë se janë në gjendje të njohin çdo muhamedan nga era e neveritshme që kundërmon prej tyre”, dhe kjo shpjegohej me agjërimin [Bartl:2006, f. 115]! Disa madje provonin të gjenin si “shpjegim shkencor” për ‘argumentin’ e tyre ndikimin që i sjell gjendjes së stomakut agjërimi i muajit të Ramanzanit. Unë nga ana ime – thotë Nopça – vërtetoj se: “muhamedanët lahen më shumë se katolikët, të tjerat ia lë gjykimit të lexuesit“ [Nopça:2013, f. 57].
Bektashinjtë shqiptarë, të cilët kishin krijuar “një besim liberal të pranueshëm për të krishterët dhe myslimanët” [Mann:1955, f. 40], ishin udhëzuar më shumë drejt tolerancës dhe orientimit kombëtar [Hasluck:1929/II, f. 556], si pasuri kryesore të doktrinës bektashiane. Këta shpesh akuzoheshin për mosrespektim të normave islame, si pirje alkooli në publik gjatë Ramazanit, duke demostruar se: “sapo të bëheni dervish, ju liroheni nga të gjitha detyrimet themelore islame, siç janë lutja, agjërimi, zekati etj.” [Duijzings:2000, ff. 105-125]. Sipas tyre, qëllimi (i besimtarit) nuk është që të hajë natën e të agjërojë ditën, por të ruhet gjithnjë nga e tepërta [Frashëri:2000, ff. 46-47]. Ata mbajnë “agjërim zie” në dhjetë ditët e Muharremit, në shenjë kujtimi të tragjedisë së Kerrbelasë. Në dhjetor të vitit 1904, konsulli italian në Janinë pohonte se bektashinjtë, ndonëse ishin myslimanë “nuk ndiqnin rregullat e Muhamedit… mund të pinin pije alkolike… nuk ndiqnin Ramazanin, por mbanin një agjërim pesëmbëdhjetë ditor në verë” [Clayer:2009].
Kishte edhe disa grupe kripto-fetare të cilët as nuk iu përmbajtën plotësisht fesë së tyre të vjetër dhe as nuk e pranuan plotësisht besimin e ri. Të tilla grupe i hasim në disa rajone të Shqipërisë dhe të Kosovës nga shekulli XVII. Të tillët mbanin agjërime të krishtera, por gjithashtu shkonin në xhami gjatë muajit të agjërimit (Ramazanit) [Reinowski:2007, f. 409]! Jastrebov thotë se shumica e banorëve myslimanë të maleve në Kosovë nuk e mbanin Ramazanin dhe nuk i kryenin lutjet e përcaktuara, vetëm një pakicë e njihnin “suren e parë të Kur’anit” [Jastrebov:1904, f. 224]. Edhe Vlora tregon se në Shqipërinë e Jugut “duket se tek shqiptarët vetëm dy herë në vit zgjohet ndjenja fetare, për myslimanët në dy Bajramet, kurse tek të krishterët në Krishtlindje dhe në Pashkë” [Vlora:2003, ff. 32-33].
Natyrisht mund të ishte kështu në ndonjë vend të caktuar, sepse tregohet që në kohën kur myslimanët e Çamërisë u futën në tokën shqiptare dhe u ulën në “Fushën e Kllogjerit”, ishte muaji i Ramazanit dhe njerëzit kishin filluar të agjëronin, megjithë thirrjet e hoxhallarëve që të mos agjëronin, sepse kjo detyrë për ta ishte e pamundur nga gjendja e tyre e mjeruar! Ata kishin përgjigje të prerë: “nëse do na vijë vdekja, le të na gjejë agjërueshëm”. Për shumë familje thuhet se agjërimin e fillonin dhe e mbaronin me “nijetin”, sepse viti kishte qenë tepër i ashpër dhe nuk kishin çfarë të hanin. (vijon)
