Përdorimi i narrativës nacionaliste për përfitime politike dhe interesa individuale

Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Kosovën kanë qenë të acaruara deri kur në pushtet erdhi Zoran Zaevi (2017), kur u përmirësuan ndjeshëm, duke filluar nga vizita “e parë” e një kryeministri të Maqedonisë deri te vizitat e shumta private midis tij dhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës. Zgjedhja e Zaevit shënoi një kthesë në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin rajonal, pasi interesi i Qeverisë së tij ishte që të kapërcejë pengesat e vendit për t’u inkuadruar në NATO dhe në BE. Qeveria e tij avancoi edhe në përfaqësimin e të drejtës gjuhësore dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, një kontribut i ndjeshëm në uljen e tensioneve etnike

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Dëshira për të gjetur një rrugëdalje nga ngërrçi politik rezultoi në mbështetjen e afro 40.000 shqiptarëve etnikë në Maqedoninë për liderin e LSDM-së së Zoran Zaev gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, një fitore që për partitë opozitare ishte thjesht dobësi dhe rrezik, pasi – sipas tyre, partitë politike shqiptare nuk duhej të jepnin mundësi të ‘maqedonizojnë’ vullnetin e shqiptarëve, por të luftonin për të drejtat e tyre. Por, koalicioni i përbashkët elektoral (2020) fitoi më së shumti vota dhe ulëse në Parlament, duke i dhënë faktorit politik shqiptar një rritje dhe rëndësi më të madhe. Ndërkohë, raporti i të Drejtave të Njeriut në SHBA për vitin 2020, paraqiti akuzat e përfaqësimit të pabarabartë të shqiptarëve etnikë në ministritë qeveritare dhe ndërmarrjet publike, si dhe në ndarjet e pabarabarta buxhetore.
Mbështetja e shqiptarëve për integrimin në BE ka qenë konsistente ndër vite dhe është qartësuar përmes sondazheve të ndryshme të kryera në periudha të ndryshme të zhvillimeve sociale dhe politike në Maqedoni. Ata kanë shprehur bindjen se një realizim i tillë, krahas rritjes ekonomike do të forcojë rëndësinë gjeopolitike të faktorit shqiptar në rajon, gjë që do të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe faktorit politik shqiptar në sferat e qeverisjes së mirë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Në përgjithësi, të gjitha sondazhet tregojnë se në krahasim me qytetarët etnikë maqedonas, qytetarët shqiptarë kanë një mbështetje më të fortë për integrimet euroatlantike. Vetë presidenti Pendarovski theksoi një herë se shqiptarët: “Në vend të kufijve të rinj, shumica favorizon anëtarësimin në BE dhe pa kufij”.
Studimi anketues për Maqedoninë përmbyllet me mendimin se partitë politike shqiptare mbeten shumë të rëndësishme në krijimin e koalicioneve paszgjedhore dhe se në vitet e ardhshme, rëndësia e tyre do të varet nga aftësia për formimin e qeverive të ardhshme, bazuar në përputhje ideologjike dhe programore. Ato duhet të kenë kujdes që në kohën parazgjedhore të mos dalin “me fjalë të mëdha” dhe pastaj kur të përfundojnë në Qeveri “të mos heshtin për kërkesat e shqiptarëve”. Një numër i madh i të anketuarve shohin një rol pozitiv të faktorit shqiptar në bashkëpunimin rajonal midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i tyre mendojnë se faktori shqiptar në Maqedoni ka pasur një rol neutral në drejtimin e agjendës së reformave dhe bashkëpunimit me akterët e tjerë politikë.
Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Kosovën kanë qenë të acaruara deri kur në pushtet erdhi Zoran Zaevi (2017), kur u përmirësuan ndjeshëm, duke filluar nga vizita “e parë” e një kryeministri të Maqedonisë deri te vizitat e shumta private midis tij dhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës. Zgjedhja e Zaevit shënoi një kthesë në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin rajonal, pasi interesi i qeverisë së tij ishte që të kapërcejë pengesat e vendit për t’u inkuadruar në NATO dhe në BE. Qeveria e tij avancoi edhe në përfaqësimin e të drejtës gjuhësore dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, një kontribut i ndjeshëm në uljen e tensioneve etnike.
Duke qenë se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata jashtë saj janë sunduar nga etni të ndryshme, ata ndryshojnë në shumë vlera. Ndryshimi më i theksuar është te niveli i fesë (besimit), që është më i vogël në mesin e shqiptarëve në Shqipërinë (ish-ateiste) dhe më i theksuar në jetën individuale të komuniteteve të Kosovës dhe Maqedonisë, veçanërisht në rastin kur shumica i takojnë besimit islam. Kjo gjithmonë lidhet me ndikimin gjeopolitik dhe fetar të Turqisë dhe akuzat se po përpiqen të zëvendësojnë “identitetin kombëtar shqiptar” me një “identitet fetar”. Disa prej tyre madje mendojnë se: “Ndikimi fetar islam i lidhur me faktorët e huaj përdor zhargonin nacionalist, por interesi është më shumë për të theksuar elementin islamik sesa kombëtar mes shqiptarëve”.
Një dallim i tillë është i dukshëm edhe në platformën politike. Duke qenë se shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën në Republikën e Shqipërisë, politika etnike dhe respektimi i të drejtave të shqiptarëve etnikë në vend nuk ka peshë politike. Për këtë shkak, nacionalizmi në Shqipëri nuk është pjesë e dukshme e jetës së përditshme.
Ndonëse marrëdhëniet e Tiranës me vendet e rajonit kanë qenë të pranishme, me kalimin e kohës janë luhatur. Bie fjala, kur konflikti po zgjerohej në Kosovë, kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë u takua me homologun e tij jugosllav në Kretë dhe deklaroi se “Kosova është një çështje e brendshme e Federatës”. Një luhatje e ngjashme e pozicionimit retorik ka dëmtuar marrëdhëniet e Tiranës edhe me shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut. Ndonjëherë, retorika ka marrë një kthesë të kundërt, ku nuancat kanë qenë më nacionaliste, veçanërisht gjatë periudhave parazgjedhore. Për më shumë, në nenin 8 (1) të Kushtetutës së Shqipërisë, përcaktohet se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Të intervistuarit e kanë potencuar këtë si të rëndësishme, duke qenë se shqiptarët etnikë janë të shpërndarë në vende të ndryshme të rajonit, përkatësisht: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Mal të Zi. Aq më tepër kur vetëm termi “shqiptar” përdoret për një shtetas të Republikës së Shqipërisë po aq sa edhe për një shqiptar etnik, që mund të jetë ose të mos jetë shtetas i këtij vendi.
Për shkak të numrit të konsiderueshëm të shqiptarëve në rajon, qasja zyrtare e politikës së jashtme të Tiranës konsiderohet si komponenti kyç për stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, si nga komuniteti ndërkombëtar (BE dhe SHBA) ashtu edhe nga fqinjët. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO (2009) u konsiderua një arritje e madhe, duke i dhënë vendit rolin e një lideri rajonal dhe kontributin për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në kontekst me Kosovën, marrëdhëniet e Shqipërisë janë thelluar pas shpalljes së pavarësisë (2008), përkatësisht me nënshkrimin e marrëveshjes së “Partneritetit Strategjik” (2014) për koordinimin e veprimeve të përbashkëta politike dhe diplomatike, me synim të “konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Kosovës, duke fituar më shumë njohje dhe anëtarësim në organizata rajonale, evropiane dhe globale”. Për më tepër, Shqipëria ndan me Kosovën disa misione diplomatike në mbarë botën dhe kanë nënshkruar një marrëveshje që synon unifikimin dhe koordinimin e politikës së tyre të jashtme, duke përfshirë edhe krijimin e ambasadave të përbashkëta jashtë vendit.
Elitat politike të Kosovës u ndien të shqetësuara nga deklarata e kryeministrit Rama në Prishtinë, kur tha: “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të përbashkët të jashtme, jo vetëm ambasada dhe zyra të përbashkëta diplomatike, por pse jo edhe një president të vetëm, si simbol i unitetit të kombit dhe politikë të përbashkët të sigurisë kombëtare”. Ata hodhën akuza për “një mosrespektim të aspiratave kosovare për një shtet të pavarur që synon integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO”. Pas një deklarate të tillë ‘kontroverse’, BE-ja nga ana e saj paralajmëroi Shqipërinë kundër “ndërhyrjes” në vendet fqinje, kurse zyrtarët serbë e akuzuan Tiranën se donte të krijonte një “Shqipëri të Madhe”. Në arsyetimin e tyre, një ndërmarrje e tillë do të kundërshtohej fuqishëm nga aleatët strategjikë, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, BE-në dhe shtetet anëtare të saj si Gjermania, Franca dhe Italia. Rrjedhimisht, nocioni i bashkimit të dy vendeve është rindërtuar në bashkimin e shqiptarëve përmes anëtarësimit në BE.
Në përfundim, të anketuarit shprehën mendimin unanim se faktori politik shqiptar në rajon “është një përzierje e partive politike, organizatave të shoqërisë civile, mediave, biznesmenëve, aktivistëve, individëve dhe akterëve të tjerë me ndikim në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi që përfaqësojnë interesat dhe idetë” e shqiptarëve etnikë, që jetojnë në komunitetet e tyre përkatëse. Një profesionist i medias, për rastin e Shqipërisë u tha autorëve të këtij studimi se “shumë nga vështirësitë me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj në pushtet”. Këta “akterë politikë” vazhdimisht përdorin narrativa nacionaliste për përfitime politike dhe interesa individuale, duke u shërbyer si një shpërqendrim nga çështjet reale, si korrupsioni, papunësia, migrimi masiv dhe keqmenaxhimi. Retorikat e tilla mund të gjejnë potencialisht një audiencë mes qytetarëve të privuar ekonomikisht dhe politikisht! (Fund)

Të fundit

më të lexuarat