Përçarja e subjekteve politike shqiptare, kujt i shkon përshtat?

Edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale që do të mbahen në Ulqin. E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se subjektet shqiptare dalin ndaras dhe të përçara (përjashtim bën këtu një koalicion tepër i ngushtë)

Esat Mehmeti

Krerëve të politikës shqiptare, kryesisht në Malin e Zi, duket se iu mungon kuraja e bashkëpunimit. Këta me veprimet e tyre të pamatura mirë, po bëjnë hapa të gabuara që japin karakterin e ulët politik. Një politikë që përçan e shkatërron për synime të rastit, është politikë shterpë dhe krijon antivlerë..! Këta kanë zgjedhur rrugën më të keqe, atë të ndarjes, duke reflektuar mungesën e kulturës politike. Këta siç thotë një fjalë e urtë popullore “Për inatin e time re, vraje Zot tim bir”.
Mendoj se subjektet politike shqiptare, janë në një krizë të thellë dhe kjo vjen nga mungesa e identitetit dhe paqartësia e linjës ideologjike dhe asaj kombëtare.
Këtu, problemi kryesor dhe ndoshta më i madhi është inati dhe kryeneçsia, por edhe servilizmi. Këto “virtyte “ kanë mbetur si një virus, e që vijnë në mungesë të theksuar të cilësive individuale. Për këtë arsye, drejtuesit politikë nuk ndjehen të sigurt, andaj dhe zgjedhin mënyrën për t’u bërë urë për të mbijetuar.
Problemi tjetër është injoranca e tepruar, e cila është tepër e pranishme. Pra, tashmë është krijuar bindja se të bëhesh politikan i zoti në këtë mjedis, nuk ka nevojë të kesh shumë kualifikime apo të jesh i dalluar në fushën profesionale. Kushti i vetëm është të luash lojën, të shtiresh si lojtar i mirë dhe ta kalosh topin tek interesat personale.
Në këtë mjedis politika shqiptare po kalon nga faza tradicionale në atë klanore. Kjo do të thotë se politikën nuk e bëjnë figurat që drejtojnë partinë politike, por janë klanet ose grupet e interesit. Ne jemi një vend i vogël, pak i zhvilluar dhe kjo sjell vetëm një grup ose një klan i cili dikton. Pothuaj tek të gjitha partitë shqiptare të këtij mjedisi, udhëhiqet një politikë pa strategjinë e duhur dhe pa taban kombëtar. Pra, në politikën tonë nuk kemi larmi vendimesh dhe të ideve, thënë shkurt nuk kemi vizion, çka ka kulmuar në zbehjen e vlerave tona. Kemi vetëm interesin personal!. Kjo e varfëron politikën dhe e bën të brishtë demokracinë në përgjithësi. Këto janë vetëm disa nga problemet thelbësore të politikës sonë që e pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe të vendit në përgjithësi. Andaj, për sa kohë do të kemi një politikë shtërpë , politika shqiptare do të vazhdojë të jetë klienteliste, jo funksionale dhe negative.

Çfarë do të sjellë përçarja e partive politike shqiptare?
Nuk është hera e parë që subjektet shqiptare të këtij vendi të vogël dalin të përçara. Shpesh fitohet bindja se NE jemi të zot për t’u përçarë, e jo për t’u bashkuar!. NE edhe me dreqin e mallkuar shkojmë, por mes veti JO. Çuditërisht, o Zot sa keq!
Për shkak të fërkimeve brenda subjekteve shqiptare, bëhen edhe kompromise të dhimbshme, duke lidhur koalicione të panevojshme, madje dhe parazgjedhore,herë me njërën, e herë me tjetrën palë. Koalicioni i arritur ”i madhi“, lexohet qartë se duke gjetur strehim me subjekte të tjera joshqiptare, shkojnë më tepër drejt mbajtjes së pozitave në skenën aktuale politike. Këtu synimi kryesor është lakmia e madhe për pushtet. Vaj halli!
Se sa do të jetë i suksesshëm ky kompromis do të shihet nga rezultatet e arritura në zgjedhjet lokale të 27 marsit. Sido që të jetë, te elektorati shqiptar është krijuar një huti e madhe, duke shkuar herë në një krah e herë në krahun tjetër, madje akterët politikë akuzojnë njëri-tjetrin për keqmenaxhim, duke harruar se kanë bashkëqeverisur.
Ju zotëri të politikës shqiptare, pa nevojë faktorizoni subjektet joshqiptare. Këto kalkulime për momentin mund t’ju sjellin përfitime të çastit, por nuk sjellin suksese, sjellin vetëm humbje të imazhit .
Ndarja gjithherë ka dëmtuar reputacionin e partisë dhe ka vënë në rrezik të ardhmen e saj. Ndarja do të ndikojë në besueshmerinë e partisë. Ndarja ngatërron votuesit dhe i bën konfuzë se kush është në të vërtetë në krye të partisë se tij. Andaj, kjo si pasojë do të sjellë medoemos edhe rezultate shumë të ulëta.
Ky është një tregues i mirë, që për sa kohë subjektet shqiptare vazhdojnë të jenë streha e dikujt tjetër, dhe në mungesë absolute të qartësisë, atëherë edhe votuesi e humb besimin.
Këtu edhe më e dhimbshme është relacioni qendër-bazë. Kjo pothuajse u këput fare dhe si rezultat i gjithë kësaj neglizhence kemi braktisje dhe shkapërderdhje të elektoratit.
Në një vend demokratik, partitë politike duhet të jenë para së gjithash demokratike brënda vetes së tyre, në mënyrë që ato të mund të prodhojnë demokraci për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi.
Lideri dhe lidërshipi politik ka përgjegjësi për të gjetur format më të mira të vendimmarrjes. Ai duhet të ofrojë potencial dhe alternativa të reja. Nëse partitë nuk shihen si alternativë, nëse nuk kanë mbeshtetjen e duhur dhe nëse ka mosbesim në integritetin e tyre, atëherë dhe rezultatet janë të ulta. Sa më demokratike është një parti nga brenda, aq më shumë shanse dhe siguri ka që partia të krijojë sjellje të reja politike nga jashtë.
Duhet theksuar se dikur, të gjithë shqiptarët iu gëzuan lajmit se partitë politike shqiptare në Tuz u pajtuan të dalin në një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale, në mars 2019. Ky gjest pati jehonë jo vetëm në Malësi, por edhe në mbarë hapësirën shqiptare, andaj dhe është për t’u përshëndetur. Kjo dëshmon qartë se përçarja dhe ndasitë e subjekteve shqiptare gjithmonë kanë përfunduar me humbje.
Një vullnet i tillë nuk u përfill në Ulqin. Subjektet shqiptare edhe përkundër faktit që e paten mundësinë e duhur të bashkëqeverisin, por duke mos i lënë anash huqet dhe inatet personale, futen tjetrin në mes, madje edhe duke iu marrë timonin e qeverisjes lokale. E gjithë kjo katrahurë erdhi për fajin tuaj, zotërinj!

Populli thotë: “Loja e minjve, nafaka e dacit”
…dhe sot dëgjojmë një mal me akuza ndaj njëri-tjetrit për keqmenaxhim në bashkëqeverisje?!
E sot sërish është jetësuar i njëjti model, por në një formë tjetër.
Po çfarë keni për t’i thënë popullit më, o zotërinj të politikës?!
Sidoqoftë deshët, s’deshët, përseri do të bashkëqeverisni ngase numrat do t’u mungojnë.

Të fundit

më të lexuarat