Duhet të ndryshojë ligji zgjedhor
Për të pasur një ligj zgjedhor të qëndrueshëm, legjislativi është i obligueshëm të miratojë një ligj i cili do të jetë i pranueshëm edhe për pakicat kombëtare, në rastin konkret për shqiptarët, të cilët janë të diskriminuar nga Ligji zgjedhor ekzistues. Një vendim i tillë do të eliminonte dilemat të cilat ishin të pranishme në prag të zgjedhjeve parlamentare, siç ishte më parë, apo me arritjen e 0.7% si kusht për të hyrë në garë në ndarjen e mandateve, përqindje kjo që nuk garanton realizimin e mandatit të deputetit. Andaj, duke e parë si jopraktik Ligjin zgjedhor ekzistues të miratuar në vitin 2011, ku subjekti politik i shqiptarëve duhet të fitojë 0.7% për të hyrë në garë për ndarje të deputetëve e jo se e fiton atë, është i nevojshëm ndryshimi i tij, që të mos ndodhë si deri më tash, ku një mandat i deputetit autentik shqiptar të jetë dyfish më i votuar se deputetët e tjerë në përbërjen parlamentare në Mal të Zi.
Njësia e veçantë zgjedhore apo mandatet e garantuara
Pikërisht, për të eliminuar këtë pabarazi praktike ligjore në llogaritjen e mandatit të deputetëve, mendoj se ekzistojnë dy mundësi që janë më optimale e ato janë: e para, njësia e veçantë zgjedhore dhe e dyta, ajo e mandateve të garantuara.
Nëse në lidhje me njësinë e veçantë zgjedhore ekziston një përvojë e mjaftueshme sepse ka qenë e aplikuar në praktikë, jo si njësi e dytë zgjedhore por në saje të vendvotimeve me popullsi me shumicë shqiptare nga Ulqini në jug e Rozhaja në veri, ajo duhet të modefikohet e plotësohet me disa vendvotime të reja shqiptare, që në të kaluarën pushteti i ka lënë me qëllim jashtë kësaj “njësie zgjedhore”. Në saje të numrit të votuesve, kjo njësi do të siguronte pesë mandate të deputetëve ku përveç subjekteve politike të shqiptarëve, do të kishin mundësi të garonin edhe partitë e tjera nga spektri i ashtuquajtur qytetar. Përveç votave nga kjo njësi subjektet konkuruese do të kishin mundësi të marrin vota edhe nga vendvotimet e tjera në Mal të Zi, si njësi zgjedhore, pra nuk ekziston kufizimi ivotave, por e kundërta, mundësohet bartja nga vendvotimet e ndryshme.
Ndërsa modeli i mandateve të garantuara do të ishte zgjidhje juridike, që për të parën herë do të definohej në Mal të Zi, që ka të bëjë në përcaktimin e numrit të deputetëve në saje të elektoratit shqiptar, që varet nga kompromisi në grupin punues dhe votimi nga shumica parlamentare.
Po ashtu nuk duhet harruar faktin se në Ligjin zgjedhor aktual ekziston sistemi i aksionit afirmativ për pakicat kombëtare, por me prag të ndryshëm për bashkësi të ndryshme kombëtare. Në këtë aspekt del qartë se kemi pabarazi praktike, që duhet përpjekur të eliminohet në saje të mandateve të garantuara, ku në garë marrin pjesë vetëm subjektet e partive nacionale duke iu garantuar pjesëmarrjen në Parlament.
Për të eliminuar këto dilema, Kuvendi i Malit të Zi i duhet të miratojë një ligj të ri për zgjedhjen e këshilltarëve e të deputetëve, e jo ndryshimin e plotësimin e tij, siç pretendon të realizojë grupi punues i miratuar kohë me parë, në Parlamentin e Malit të Zi.
Përvoja e deritashme pluraliste me pushtetin në Mal të Zi, na bën të dyshojmë në seriozitetin e tyre për ndryshime cilësore në Ligjin zgjedhor, sepse ata do të përpiqen si zakonisht për ndryshime kozmetike, duke ia përshtatur vetes, e jo për shqiptarët e popujt e tjerë pakicë në këtë mjedis. Nuk ka dilemë se për ndryshime konkrete në këtë drejtim nevojitet vullneti politik i pushtetit si dhe angazhimi i përfaqësuesve të shqiptarëve në këtë grup punues.
Kroacia dhe Kosova, model për Malin e Zi
Pikërisht, gjendja ekzistuese obligon për ndryshime cilësore të Ligjit zgjedhor, madje jo duke shpikur diçka të re por duke marrë parasysh përvojen e vendeve të tjera. Në këtë aspekt si më i pranueshëm për Malin e Zi mund të jetë modeli zgjedhor i pakicave në Kroaci apo Kosovë.
Kështu Kroacia si anëtare e BE-së, i ka kushtuar kujdes të veçantë përfaqësimit të pakicave kombëtare, sepse ata kanë mandatet e garantuara. Kështu Ligji zgjedhor në Kroaci për serbët ka të garantuar tre mandate, e pakicat tjera së bashku pesë mandate. Madje kësaj here shqiptarët në Kuvendin e Kroacisë janë të përfaqësuar me një deputet, edhe pse ata marrin pjesë me 0.5% nga popullsia e përgjithshme. Nga ana tjetër në Kosovë, Ligji zgjedhor avancon pakicat, ku në rastin konkret për serbët janë 10 vende të rezervuara, ndërsa 10 mandate të tjera janë për pakicat e tjera.
Andaj, do të ishte e udhës që ata të cilët me votat e tyre kanë miratuar një ligj të tillë (PDS dhe FD), të inicojnë rikthimin e të drejtave të mohuara, pËrmes ndryshimit të ligjit zgjedhor. Dhe një mundësi e tillë tani ekziston, por, për një veprim të tillë konstruktiv duhet vullnet politik, që për momentin nuk shihet se ekziston, sepse në rend të parë janë interesat partiake të klaneve të ndryshme, e jo ato të qytetarëve në përgjithësi, e të shqiptarëve në veçanti.
Përfundim
Ndonëse një vend i vogël si përnga sipërfaqja, ashtu edhe nga numri i banorëve, Mali i Zi në pluralizëm ka pasur disa modele zgjedhore të cilat janë ideuar e realizuar sipas qëllimeve politike të pushtetit. Pavarësisht se në vendet e ish-Kampit socialist pushtetet janë ndërruar në formë demokratike, në Mal të Zi vazhdoi nga koha e monizmit deri në vitin 2020, duke mbetur ekzemplar i veçantë në rajon. Në këtë periudhë kohore në skenën politike në Mal të Zi kanë marrë pjesë edhe shqiptarët të cilët janë përpjekur të avancojnë pozitën dhe statusin e tyre politik. Përfaqësuesit e tyre autentik, përmes subjekteve politike qoftë në opozitë, apo pjesëtarë të koalicionit qeveritar (1998-2020) kanë arritur të realizojnë disa të drejta të mohuara, por në këtë drejtim ka shumë për të bërë, sidomos në përfaqësimin proporcional për barazi qytetare e nacionale të shqiptarëve si popull autokton dhe i vetmi josllav në këtë mjedis.
Në gamën e të drejtave të shqiptarëve në këtë mjedis, bën pjesë edhe çështja e përfaqësimit të tyre politik përmes Ligjit zgjedhor, i cili është diskriminues për shqiptarët. Pasi deri më tash në praktikë kanë qenë disa modele zgjedhore, duhet të punohet në ndryshimin e Ligjit zgjedhor aktual sipas standardeve demokratike ndërkombëtare. Në këtë aspekt për ne shqiptarët me të pranueshëm janë: njësia e veçantë zgjedhore apo mandatet e garantuara, ku do të konkurronin subjektet politike të shqiptarëve.
(Fund)
(Kumtesa është paraqitur në Konferencën shkencore”Parlamentarizmi dhe shqiptarët ndër vite”, në organizim të UP-Fakultetit Filozofik, mbajtur në Prizren më 10.6.2021)
Nail Draga
