Ndërmjet së vërtetës dhe manipulimit

Mënyra se si ne e perceptojmë të kaluarën (historinë) varet shumë nga mënyra se si media na e ka prezantuar atë. Por mediatizimi i historisë bart me vete rrezikun e manipulimit dhe konstruktimit të historisë. Një ndër karakteristikat, njëkohësisht rreziqet më të mëdha të dukurisë së mediatizimit të historisë është instrumentalizimi politik i historisë. Filmi si një medie e komunikimit të përhershëm, qoftë ai dokumentar apo artistik, është ndër format më tërheqëse dhe më me ndikim të mediatizimit të historisë

Ismet Kallaba

Mediat janë pasqyruese të realitetit përmes raportimit për ngjarjet nga jeta e përditshme. Ato janë dëshmitare dhe një burim i rëndësishëm edhe për trajtimin dhe studimin e historisë. Që prej lindjes së shtypit, e kaluara, ngjarjet dhe personazhet historike kanë qenë lëndë e preferuar pët të, nisur edhe nga interesi i lexuesit. Mediat gjeneraliste përpiqen të trajtojnë çdo gjë me qëllim të plotësimit të kërkesave në rritje të audiencës së tyre.
Marrëdhëniet e medias dhe historisë janë një raport ndërvarësie. Ato e ndihmojnë dhe e plotësojnë njëra-tjetrën. Mënyra se si ne e perceptojmë të kaluarën (historinë) varet shumë nga mënyra se si media na e ka prezantuar atë. Përpos që shërben për regjistrimin e historisë, media është ndoshta institucioni social më i përshtatshëm për rishqyrtimin e së kaluarës, sepse vetëm vështrimi i publikut mbi atë “çfarë ka ndodhur” hap rrugën për shqyrtim kritik të së kaluarës. Këtu duhet përmendur edhe rolin kyç të medias në procesin e kujtesës kolektive.
Vetë media është pjesë e historisë së një vendi apo një populli, ndërsa historia e medias shkencë ndihmëse e historisë moderne bashkëkohore. Gazetat dhe mediat në përgjithësi janë edhe aktore, edhe dëshmitare të historisë së një vendi, dokumente historike që mund t’i ndihmojnë historianët në punën e tyre duke iu ofruar material.
Mediatizimi i historisë bart me vete rrezikun e manipulimit dhe konstruktimit të historisë. Shembulli më i mirë për këtë është mediatizimi i historisë në periudhën e socializmit në Shqipëri, ku ngjarjet e ndryshme, sidomos Lufta e Dytë Botërore, por edhe ngjarje të tjera janë treguar nën ndikimin (presionin) e ideologjisë sunduese të kohës, duke e proklamuar atë si “të vërtetë absolute”. Kjo mënyrë e trajtimit dhe e mësimit të historisë ka lënë pasoja të pariparueshme në mendësinë tonë kolektive për historinë shqiptare.
Media ka përparësinë për shkak të mënyrës tërheqëse të tregimit të historisë. Audienca e sotme kërkon forma të gatshme dhe media është në gjendje t’ia ofrojë, falë teknologjisë që përdor, pa çka se mediatizimi i historisë vuan nga tregimet sipërfaqësore dhe jo të thelluara, ndonjëherë edhe të formës “bardhë e zi”.
Një ndër karakteristikat, njëkohësisht rreziqet më të mëdha të dukurisë së mediatizimit të historisë është instrumentalizimi politik i historisë. Filmi si një medie e komunikimit të përhershëm, qoftë ai dokumentar apo artistik, është ndër format më tërheqëse dhe më me ndikim të mediatizimit të historisë. Në kinematografinë botërore ka mjaft shembuj pozitivë të mediatizimit të ngjarjeve dhe personazheve historike. Këtu po përmendim filmin “Quo Vadis, Aida?” të regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniq, i cili flet mbi gjenocidin në Srebrenicë. Filmi ka marrë vlerësime nga kritika filmike dhe ka fituar shumë çmime, ndër të cilët së fundmi edhe Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit.
Nga ana tjetër, ka edhe shembuj negativë të mediatizimit të historisë nëpërmjet filmit. Një filmi artistik ose dokumentar-artistik i lejohet “të luajë” me elementet artistike, por nuk mund të trillojë të vërtetën, aq më tepër nëse ka për qëllim mohimin e së vërtetës, manipulimin e fakteve historike etj., siç është rasti me filmin serb „Slučaj Račak“ (Rasti Reçak) për Masakrën e Reçakut, i realizuar nga Radiotelevizioni i Serbisë si pjesë e serialit „Dosije Kosovo“ (Dosja Kosova), me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Serbia është e njohur për investimet e shumta shtetërore në propagandën mediatike, ku filmi zë një vend të posaçëm. Përkundër kësaj, shqiptarët kanë investuar shumë pak gjatë pluralizmit për mediatizimin e historisë, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë. Sipas disa regjisorëve, përpos mosinteresimit të shtetit për të investuar në projekte të tilla të kushtueshme, një gjë e tillë ka ndodhur edhe për shkak se regjisorët nuk i shikojnë me interes filmat me temë nga lufta e fundit. Por regjisori i njohur kosovar Ben Apolloni mendon se nuk është jashtë modës të trajtohet tema e luftës në filma, por kjo është e vështirë të realizohet pa përkrahjen e shtetit.
Së këndejmi, duhet thënë se bazuar në përvojën shqiptare dhe atë botërore mediatizimi i historisë duhet shikuar si një përpjekje (luftë) e vazhdueshme për paraqitjen e së vërtetës historike dhe përpjekjeve për deformimin apo manipulimin e saj.

Të fundit

më të lexuarat