Përse liria e shtypit është “biznes” i mirë?

Liria dhe pavarësia e shtypit, një element kryesor i demokracisë në mbarë botën, po pëson rënie me një ritëm alarmues, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit

Lusi P. Markus

Por, transparenca dhe vigjilenca që ofron një shtyp i lirë dhe i pavarur janë kritike jo vetëm për demokracinë; ato shërbejnë gjithashtu si armë të fuqishme kundër forcave degraduese nga korrupsioni deri te praktikat e këqija të biznesit, të cilat dëmtojnë begatinë ekonomike. Më thjesht, pa gazetari të cilësisë së lartë, bëhet e pamundur të kesh ekonomi më të mirë, më të fortë dhe më të begatë.
Çdo ditë që kalon sjell shembuj kërcënimesh, dhe në disa raste sulmesh, me të cilat përballet gjithnjë e më shumë shtypi, qoftë nga udhëheqës autoritarë, qoftë si rezultat i modeleve të paqëndrueshme të biznesit. Sido që të jetë, në një kohë kur kemi nevojë më shumë se kurrë për gazetari investigative serioze dhe analizë inteligjente të tendencave ekonomike si dhe veprimtarive të biznesit, aftësia për t’i ofruar këto po reduktohet me shpejtësi.
Një problem tjetër është se, me reklamat, në print në rënie të pandalshme, kompanitë mediatike e kanë gjithnjë e më të vështirë të financojnë gazetarinë investigative, e cila kërkon kërkime afatgjata dhe të thella. Megjithatë, duke identifikuar dhe nxjerrë në pah problemet që mund të kenë ndikim të madh në agjendat politike dhe jetën publike për vitet që do të vijnë, impakti i një gazetarie të tillë mund të jetë shumë i madh. Mendoni investigimin që bëri Rojters në vitin 2012 – i cili bëri muaj të tërë kërkimesh të hollësishme mbi skemën e shmangies së taksave nga ana e Starbaks.
Gazetari Tom Bergin analizoi vite të tëra dokumentacione komplekse për të zbuluar, ekspozuar dhe shpjeguar se si kompania po anashkalonte taksimin e vendeve ku vepronte. Investigimi i tij shkaktoi një ortek, i cili vazhdon të jehojë përreth botës, edhe sot e kësaj dite, teksa shumë kompani shumëkombëshe po shihen “me lupë”.
Dhe një kërkim i tillë gazetaresk kushton. Por, një model financimi që siguron ofrimin e kësaj të mire publike nuk të hyn në punë, përballë represionit politik, i cili po rritet kudo në modë. Për shembull, në fillim të marsit, qeveria e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, mbylli gazetën me tirazh më të lartë në vend “Zaman”, dhe forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës e qëlluan me plumba gome protestuesit jashtë zyrave të gazetës. Udhëheqës evropianë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin italian, Mateo Renci, dhe presidentin francez, Fransua Holand, të gjithë e bënë çështjen “Zaman” pjesë të diskutimeve të tyre me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, kur u takuan së fundmi për të diskutuar mbi krizën e refugjatëve.
Udhëheqësit botërorë duhet të vazhdojnë të flasin me zë të lartë – dhe të jenë të palëkundur në mbështetjen për lirinë e shtypit në vendet e tyre. Në fund të fundit, sinjali që dërgon një qëndrim i tillë zyrtar është i një vendi që bën hapa prapa – një pengim i inovacionit dhe rritjes. Kina, e cila është sot ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe një burim tejet i rëndësishëm i prodhimeve botërore dhe investimeve, të duket sikur përgënjeshtron çdo lidhje mes lirisë së shtypit dhe suksesit ekonomik.
E megjithatë, një mësim themelor në rritjen e luhatshmërisë financiare që nisi verën e kaluar, është se informacioni i kontrolluar nga shteti, shpeshherë është informacion i keq. Duket se investitorët kanë filluar të vlerësojnë rrezikun e të bërit biznes, në një mjedis ekonomik dhe biznesi, të cilin ata nuk munden ta kuptojnë plotësisht. Organizatat mediatike kineze janë nën mbikëqyrje konstante nga autoritetet, dhe botuesit kanë protestuar, e ndonjëherë janë përpjekur edhe të sfidojnë censurën. Kohët e fundit, botimit në gjuhën kineze të “South China Morning Post” iu mbyllën llogaritë në mediat sociale. Shumë faqe të huaja lajmesh në internet, nga BBC te Rojters, iu bllokohen shpeshherë lexuesve kinezë. Në vitin 2012, faqja e internetit e “New York Times” u bllokua në Kinë, pasi gazeta botoi një artikull se familja e kryeministrit të atëhershëm kinez, Uen Jiabao, kontrollonte asete me vlerë 2.7 miliardë dollarë.
Po kështu, organizatat e huaja mediatike shpeshherë nuk munden të investigojnë kompani kineze dhe veprimtarinë ekonomike, në mënyrë të lirë dhe të saktë. Ursula Gautier, korrespondente nga Pekini për L’Obs (Ish-Le Nouvel Observateur), u detyrua të largohet nga Kina në vitin 2015, pasi autoritetet refuzuan t’i rinovojnë vizën. Ajo nuk është aspak e vetmja gazetare perëndimore që “neutralizohet” në këtë mënyrë. Pastaj ka vende që nuk marrin aq vëmendje sa duhet. Renditja e Andorës, një parajsë fiskale në Indeksin e Lirisë së Shtypit, pësoi rënie të fortë në vitin 2015, sepse gazetarët nuk e kanë të lehtë të sigurojnë qasje në informacion për bankat që veprojnë atje. Vendit i mungon “mbrojtja ligjore për lirinë e informimit, si për shembull konfidencialiteti i burimeve të gazetarëve”.
Dhe sasia e paktë e mbulimit që marrin bankat në Andorë, ka qenë shqetësuese. Lista e vendeve ku liria e shtypit është e kufizuar vazhdon, nga Afrika dhe Lindja e Mesme në Rusi, si dhe në shumicën e ish-republikave sovjetike. Edhe SHBA-ja po sheh shenja alarmuese, teksa kandidati kryesor i republikanëve për president, (i cili edhe u bë president) Donald Trump, i ka sulmuar ashpër gazetarët gjatë mitingjeve të tij elektorale.
Një shtyp aktiv, i angazhuar dhe i pavarur ofron një të mirë publike themelore – transparencën, e cila bën të mundur llogaridhënien politike dhe ekonomike. Në një botë gjithnjë e më komplekse e të specializuar, sigurimi i një shtypi të tillë duhet të mbështetet, të mbrohet dhe të inkurajohet. Po organizatat mediatike duhet të gjejnë mënyra për të financuar gazetarinë që vlen, investigimet dhe analizat. Fatkeqësisht, shumë vende do të ishin të lumtura që ato kanë probleme të tilla.

Të fundit

më të lexuarat