Rezultate mbresëlënëse

Gjatë vitit 2021 garuesit e KT “Ulqini” kanë fituar gjithsej 219 medalje dhe 23 trofe. Gjashtë medalje (dy të arta, dy të argjendta, dy të bronzta) i përkasin nivelit G1-E1 dhe katër medalje ballkanike (tri të arta, një e bronztë). Rezultatin më të mirë e ka shënuar garuesja e këtij klubi, Sara Kraja, e cila renditet në vendin e tretë në rang-listën evropiane në taekwondo, për kategorinë e kadetëve

Pandemia Covid-19 nuk i ka penguar garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” në arritjen e synimeve dhe rezultateve pozitive në vitin 2021. Gjatë këtij viti ata kanë marrë pjesë në 18 aktivitete, tre në nivel vendi dhe 15 gara ndërkombëtare. Rezultatet e shënuara janë mbresëlënëse. Garuesit e KT “Ulqini” kanë fituar gjithsej 219 medalje dhe 23 trofe. Nëse i grupojmë medaljet e fituara, 92 (47 të arta, 29 të argjendta, 16 të bronzta) i kanë fituar në gara vendore dhe 127 (66 të arta, 30 të argjendta, 31 të bronzta) në gara ndërkombëtare. Gjashtë medalje (dy të arta, dy të argjendta, dy të bronzta) i përkasin nivelit G1-E1 dhe katër medalje ballkanike (tri të arta, një e bronztë). Po ashtu, 21 medalje shtetërore (12 kampionë – të arta, 7 nënkampionë – të argjendta, 2 të bronzta) i kanë fituar në disiplinën e ndeshjes, kurse 16 medalje shtetërore (14 kampionë – të arta, 2 nënkampionë – të argjendta) i kanë fituar në disiplinën e formave.
Sa i përket trofeve, gjashtë i kanë fituar në Mal të Zi dhe 17 në gara ndërkombëtare.
Ndër garuesit e KT “Ulqini”, rezultatin më të mirë e ka shënuar Sara Kraja, e cila renditet në vendin e tretë në rang-listën evropiane në taekwondo, për kategorinë e kadetëve.
“Për këtë sukses të arritur gjatë vitit 2021 dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kontribuan në çfarëdo mënyre: prindërit, Komunën e Ulqinit, anëtarët e Komisionit për sport pranë Komunës së Ulqinit, sponsorët, mediat, portalet dhe të gjithë ata që na përkrahën moralisht e fizikisht”, shprehet kryetrajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku.
KT “Ulqini” është njëri ndër klubet sportive më të suksesshme në Komunën e Ulqinit si dhe ndër klubet më të mira të taekwondosë në Mal të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat