Tre kampionë ballkanikë nga KT “Ulqini”

Garuesit e KT “Ulqini” fituan tri medalje të arta dhe një medalje të bronztë. Kampionë të Ballkanit, me nga tri ndeshje të fituara, u shpallën Sara Kraja, Arta Ismailaga dhe Enes Dushku, ndërsa Amra Dushku fitoi medalje të bronztë

Garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” kanë dëshmuar edhe një herë vlerat e tyre në dy aktivitete sportive të rëndësishme, që u zhvilluan gjatë fundjavës në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Ata kanë shënuar rezultate të jashtëzakonshme, ku tre prej tyre janë shpallur kampionë të Ballkanit.
Të shtunën është mbajtur Turneu Ndërkombëtar “GEN24” i nivelit E2, që ka të bëjë me grumbullimin e pikëve për rang-listën botërore, ndërsa të dielën është mbajtur Kampionati Ballkanik, ku kanë marrë pjesë 600 garues nga 11 vende të Ballkanit. Malin e Zi, ndër të tjera, e kanë përfaqësuar denjësisht gjashtë sportistë të KT “Ulqini”.
Në turneun “GEN 24” sportistët e KT “Ulqini” fituan katër medalje. Me medalje të artë u kurorëzua Sara Kraja, e cila fitoi tri ndeshje, duke i siguruar vetes pikë të vlefshme në listën e renditjes botërore.
Medalje të argjendta fituan Merisa Malokraja me dy ndeshje të fituara dhe Enes Dushku me një ndeshje të fituar, kurse medalje të bronztë Arta Ismailaga, po ashtu me një ndeshje të fituar.
Ndërkaq në Kampionatin Ballkanik, garuesit e KT “Ulqini” fituan tri medalje të arta dhe një medalje të bronztë. Kampionë të Ballkanit, me nga tri ndeshje të fituara, u shpallën Sara Kraja, Arta Ismailaga dhe Enes Dushku, ndërsa Amra Dushku fitoi medalje të bronztë.
“Ishte një rrugë e lodhshme dhe e mundimshme, mirëpo në fund jemi shumë të lumtur me paraqitjen e sportistëve tanë dhe me rezultatin e arritur. Falënderojmë të gjithë ata që na përkrahën në këtë drejtim”, shprehet i kënaqur kryetrajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat