
Pavarësinë e saj Shqipëria e fitoi në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Shteti i pavarur shqiptar, i shpallur më 28 Nëntor 1912, ishte projektuar të ishte i cunguar, pasi një pjesë e madhe e territoreve të saj do të mbeteshin jashtë kufijve natyror të saj. Fuqitë botërore të kohës, ndonëse dinin për rrezikun dhe politikat sllave të përkrahura nga Rusia, për asimilimin e popullsisë shqiptare dhe copëtimin e trojeve të tyre, në Konferencën e Londrës nuk e përkrahën idenë e formimit të një shteti shqiptar në kufijtë e tij natyror. Por, një rol të rëndësishëm në drejtimin e formimit të shtetit shqiptar të vitit 1912 patën, pa dyshim, dy superfuqitë e kohës: Perandoria Austro-Hungareze dhe Italia.
Zgjerimi i ndikimit sllav në Ballkan, sidomos përmes copëtimit të trojeve shqiptare, ishte faktori kryesor i cili ndikoi që Perandoria Austro-Hungareze dhe Italia të ndihmonin në avancimin e çështjes shqiptare
Shteti kombëtar shqiptar po krijohej pas rrënimit dhe tërheqjes së otomanëve nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt të hapur me fqinjët e vet, që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së luftës.
Në këtë moment, roli i diplomacisë austro-hungareze, ashtu si në përgatitjen e opinionit diplomatik të Fuqive të Mëdha për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë përcaktues edhe për caktimin e kufijve të ardhshëm të Shqipërisë. Momenti kryesor ku Austro-Hungaria luajti një rol të padiskutueshëm për caktimin e kufijve, ishte kryesisht përcaktimi i kufijve të saj veriorë.
Zgjerimi i ndikimit sllav në Ballkan, sidomos përmes copëtimit të trojeve shqiptare, ishte faktori kryesor i cili ndikoi që Perandoria Austro-Hungareze dhe Italia të ndihmonin në avancimin e çështjes shqiptare.
Zgjerimi i ndikimit sllav në Ballkan ishte shqetësues për Austro-Hungarinë. Diplomacia austro-hungareze, duke mbrojtur interesat e saj, mbron edhe çështjen shqiptare dhe për këtë ajo i pa shqiptarët si aleat të saj. Këtu hyn pastaj edhe roli i Italisë, sepse po të mos ishte edhe diplomacia italiane, mund të ndodhte edhe më e keqja, sepse plani i shteteve të Ballkanit ishte që të pengohej njohja e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Interesi i Austro-Hungarisë në kufirin e veriut të Shqipërisë, e sidomos vendndodhja e Shqipërisë në bregdetin lindor të Adriatikut, e bëri atë një territor të rëndësishëm për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye, Monarkia që herët, në vitin 1832, kishte hapur një konsullatë të saj në Shkodër, e cila u bë një qendër e rritjes dhe përhapjes së influencës austriake në rajon, por ishte edhe dëshmitare e rrënimit të autoritetit të otomanëve dhe rritjes së nacionalizmit ndër popujt ballkanikë, ku mes tyre shquante nacionalizmi serb, që pas formimit të shtetit të vet kombëtar dhe përkrahjes së hapur nga Perandoria Ruse, për t’u zgjeruar në territoret osmane, u bë një kërcënim serioz për vetë Monarkinë dualiste.
Përveçse në aspektin diplomatik, Austro-Hungaria dhe Italia ndihmuan edhe në aspektin financiar, ku kjo ndihmë kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare te shqiptarët. Një rol në këtë drejtim kishin edhe vizitat e Ismail Qemalit në këto vende, në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë klimë politike dhe diplomatike që pasqyronte shpirtin e epokës, ishte e vështirë që çështja e caktimit të kufijve të Shqipërisë të gjente një modus vivendi të pranueshëm nga monarkia Austro-Hungareze dhe sllavët e jugut, që kishin mbështetjen e Perandorisë Ruse për pretendimet e tyre. Pranimi i krijimit të shtetit shqiptar dhe moslejimi i daljes së Serbisë në Adriatik, ishte parë si problem i madh politik nga ana e Perandorisë Ruse.
Roli i diplomacisë austro-hungareze, ashtu si në përgatitjen e opinionit diplomatik të Fuqive të Mëdha për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë përcaktues edhe për caktimin e kufijve të ardhshëm të Shqipërisë. Momenti kryesor ku Austro-Hungaria luajti një rol të padiskutueshëm për caktimin e kufijve, ishte kryesisht përcaktimi i kufijve të saj veriorë
Me aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, më 29 nëntor 1912 i njoftoi për aktin historik gjashtë fuqitë e mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, për këtë vendim, Ismail Qemali i njoftoi edhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ato që të njihnin aktin e pavarësisë, si ndryshim i vullnetit politik të kombit shqiptar.
Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar shtetin e pavarur shqiptar, ajo, objektivisht, krijoi premisat politike, aq të nevojshme, për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare, dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.
Shikuar në aspektin historik, sot kur shteti shqiptar feston 109-vjetorin e krijimit të tij, roli i dy fuqive të mëdha të kohës, Austro-Hungarisë dhe Italisë pa dyshim që ishte përcaktues për shqiptarët në Ballkanin e trazuar.
