Suksese të njëpasnjëshme

Në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, më 12-15 nëntor është mbajtur
Kampionati Evropian në Taekwondo për kategorinë junior. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë mbi 1000 sportistë nga 55 shtete, në mesin e të cilëve dhe Mali i Zi. Pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi, e cila u paraqit me katër sportistë, ishte edhe garuesja e Klubit të Taekwondosë “Ulqini”, Amra Dushku. Ajo nuk pati fat, pasi që u ndalua që në ndeshjen e pare nga përfaqësuesja e Irlandës, me rezultat të ngushtë 6:5.
Ndërkaq, më 16-17 nëntor është mbajtur Turneu ndërkombëtar i nivelit G1-E1, që ka të bëjë me grumbullimin e pikëve të cilat shërbejnë për rang-listën botërore si dhe për Lojërat Olimpike. Në këtë turne, KT “Ulqini” u paraqit me tri sportiste: Sara Kraja, Merisa Malokraja dhe Arta Ismailaga.
Sara Kraja arriti të fitojë dy ndeshje, por humbi në ndeshjen e tretë, duke u kurozuar me medaljen e bronztë. Në këtë mënyrë, ajo fitoi edhe disa pikë që e ngrejnë më lart në rang-listën botërore. Nga KT “Ulqini” kanë deklaruar se shpresojnë që një ditë asaj do t’i hapet rruga për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
Dy garueset tjera, Merisa Malokraja dhe Arta Ismailaga, u ndalën që në ndeshjen e parë edhe pse gjatë gjithë kohës ishin në avantazh, mirëpo në sekondat e fundit nuk ia arritën të ruajnë rezulatin në favor të tyre.
Të shtunën, garuesit e KT “Ulqini” morën pjesë në një aktivitet tjetër sportiv – Turneun ndërkombëtar në Novi Sad, për të dy disiplinat, ku kanë marrë pjesë 760 sportistë nga 61 klube të gjashtë vendeve. Tetë garuesit e këtij klubi fituan shtatë medalje të arta dhe një medalje të bronztë. Medalje të arta fituan Sumeja Bisha, Vesa Dervishi, Berina Mustafa, Selma Demiri, Dorian Vukaj, Ardit Dervishi dhe Amell Nuti, kurse medalje të bronztë Adna Sulejmani. Në renditjen e përgjithshme “Ulqini” fitoi trofeun e vendit të dytë në disiplinën e formave.
Në deklaratën për shtyp KT “Ulqini” falënderon të gjithë sponsorët dhe prindërit të cilët, sipas drejtuesve të këtij klubi, “po japin maksimumin për sukseset e klubit tonë”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat