Presidenti Wilson pengoi jetësimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës

Nisma e veprimtarisë së organizuar shqiptare në Amerikë do të fillojë me ardhjen e Sotir Pecit, djaloshit të Athinës, i cili nuk e mori diplomën nga shkaku i aktivitetit të tij kombëtar. E pasuan pastaj Petro Nini Luarasi (1904), Faik Konica (1909), Kristo Dako, Fan Noli etj. Por Bashkësia e Emigrantëve nuk kishte ndonjë numër të madh anëtarësh, nuk kishte mjete të konsiderueshme financiare, as ndonjë qendër të fuqishme në Evropë që e mbështeste Shqipërinë. Peci botoi në Amerikë gazetën e parë shqipe “Kombi” (1906). Noli themeloi në Boston Shoqërinë “Besa Besë”, e cila më 15 shkurt 1909 boton gazetën “Dielli”

Hajrudin S. Muja

Zanafilla historike e marrëveshjeve të shqiptarëve me Amerikën i përket vitit 1866, me emigrimin e një grupi arbëreshësh të Italisë, ose vitit 1884 me emigrimin e përkohshëm të Kolë Kristoforit nga fshati Katund i Korçës [Demo:1960, f. 7]. Dihet se të parët shqiptarë që u vendosën në Boston filluan botimin e gazetës së parë javore “Kombi” (1906) dhe krijuan Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” (1912). Natyrisht, aktivistët e kësaj kohe dhe synimet strategjike të vetë Amerikës, shtatë vjetë pas shpalljes së Pavarësisë, bënë që më 6 maj 1919, Presidenti Woodrow Wilson (1856-1924) të kishte në konsideratë se: “Shqipëria duhet të jetë e pavarur”. Ndërsa marrëdhëniet e para diplomatike me Shqipërinë, ajo i vendosi tre vite më vonë [1922], për t’i ndërprerë në vitin 1939, për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste (1939-1943) dhe Gjermania Naziste (1943-1944) gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për t’i rikthyer sërish pas vitit 1991.
Pas mëvetësimit të Shqipërisë, nëpërmjet pamfleteve që shtypte Fondi Amerikan, që financonte shkollën e Korçës, bëhej me dije për qindra mijë shqiptarë pa çati që po vdisnin nga uria [The Albanian Releif Fond, 1915]. Shqiptarët ortodoksë që kishin ardhur në Amerikë informonin për masakrën greke të 1500 burrave e grave, fëmijëve e pleqve në Voskop të Korçës. Ata tregonin “sa lirë kushtonte jeta njerëzore” në Ballkan, ku vetëm gjatë tetorit 1913 ishin djegur 35.000 shtëpi dhe ishin vrarë 20.000 njerëz në jugun e Shqipërisë. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Fondit për ndihmë Shqipërisë, Pil Vilit, i cili kishte vizituar Shqipërinë në korrik-gusht 1914, shkruante për krimet e padëgjuara “ndaj grave të pafuqishme”, në kohë paqeje, akuzonte kishën greke dhe thoshte se viktimat ishin gati të gjithë myslimanë: 200.000 bektashinj, 100.000 sunitë, me përjashtim të 10.000 katolikëve, të cilët nuk e provokuan këtë sulm [Silajxhiq:1999, f. 7-8].

Në Konferencën e Paqes në Versajë (1919), Presidenti Wilson informoi fuqitë se Amerika nuk do të toleronte ndarjen e Shqipërisë nga fqinjët dhe se ai do të tërhiqej nga konferenca nëse shihte diçka të tillë. Vetëm atëherë, fuqitë e tjera u zbrapsën nga planet e tyre për të ndarë Shqipërinë


Ndërsa William Howard (1860-1933) ua kishte përshkruar gjendjen e rëndë në Shqipëri, Fondi Amerikan për ndihmë Shqipërisë e njoftonte presidentin e SHBA-ve (1915) dhe i ankohej për situatën e vështirë, shkaktare e së cilës ishte Italia, e cila kishte bllokuar Shqipërinë e pavarur, ku gjysmë milioni njerëz po vdisnin nga uria, ndërsa 100.000 tashmë kishin vdekur. Anija 300 tonëshe “Albania”, e ngarkuar me miell për ndihmë Shqipërisë, që u nis nga porti i New York-ut më 3 tetor 1915, u detyrua të largohej nga Porti i Durrësit, megjithëqë shumëçka mbeti e pandriçuar në lidhje me të. Katër vjet më vonë (26 shkurt 1919) në Shqipëri arriti njësia e parë e Kryqit të Kuq Amerikan [Silajxhiq:1999, ff. 8-12].
Nisma e veprimtarisë së organizuar shqiptare në Amerikë do të fillojë me ardhjen e Sotir Pecit, djaloshit të Athinës, i cili nuk e mori diplomën nga shkaku i aktivitetit të tij kombëtar. E pasuan pastaj Petro Nini Luarasi (1904), Faik Konica (1909), Kristo Dako, Fan Noli etj. Por Bashkësia e Emigrantëve nuk kishte ndonjë numër të madh anëtarësh, nuk kishte mjete të konsiderueshme financiare, as ndonjë qendër të fuqishme në Evropë që e mbështeste Shqipërinë. Peci botoi në Amerikë gazetën e parë shqipe “Kombi” (1906). Noli themeloi në Boston Shoqërinë “Besa Besë”, e cila më 15 shkurt 1909 boton gazetën “Dielli”. Por jo më shumë se 20 prej emigrantëve shqiptarë atje dinin të lexonin [The Adriatic Review, korrik 1919, f. 458], ndërkohë që në Amerikë kishin lindur 2.312 fëmijë, nënat e të cilëve flisnin shqip.
Perëndimorët filluan të interesoheshin për historinë e Shqipërisë vetëm pas Luftës së Parë botrore. Në gjermanisht u botua “Geschichte von Montenegro und Albanien” [Historia e Malit të Zi dhe e Shqipërisë, Gotha 1914) nga Spiridon Gopçeviq dhe “Geschichte Albaniens” [Historia e Shqipërisë, Lajpcig 1914] nga Karl Roth. Pak më vonë u botua vepra në gjuhën frënge “Breve Historie de l’Albanie et Du Peuple Albanais” [Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, Bukuresht 1919) nga Nikolla Jorga. Po këtë vit në Boston u botua libri i Kristo Dakos: “Albania, The master Key to The East” [Shqipëria, çelës i Lindjes], që u vlerësua si manual shkencor për problemin e nacionalizmit shqiptar. Ndriçim Kulla në “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – një historik gjithëpërfshirës”, bën fjalë edhe për rëndësinë që ka pasur Qendra Amerikane e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, krahas qendrave të tjera jashtë vendit, si ato të Bukureshtit, Italisë së Jugut, Stambollit, Sofjes dhe Egjiptit. Ai emërton vetëm disa nga këta aktivistë, si Fan Nolin, Faik Konicën, Kristo Dakon, Kostë Çekrezin, Eqrem Vlorën, Sejfi Vllamasin, Imzot Zef Simonin etj., që kanë pasur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, duke dhënë fakte, dëshmi e detaje interesante.
Ata me çdo kusht u munduan të përgënjeshtrojnë shpifjet shovene për jotolerancë fetare ndër shqiptarët, duke aluduar se shqiptari mysliman është vëllai i shqiptarit të krishterë [The Adriatic Review”, Janar – shkurt 1919]. Ata qenë mbase një prej shkaqeve që në doracakun e Forin Ofisit të theksohej se motivet fetare nuk kanë qenë asnjëherë motive ngatërresash ndërmjet shqiptarëve [Swire:1929, f. 38, 39].
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nisën fillimisht si marrëdhënie njerëzore dhe më pas u shndërruan në marrëdhënie shtetëtore. Interesimi i Amerikës mbi Shqipërinë në mënyrë serioze filloi vetëm atëherë kur ekzistonte me të madhe fjala se Shqipëria posedonte sasi të mëdha nafte [Silajxhiq:1999, f. 130, 139]. Presidenti amerikan Woodrow Wilson pengoi vënien në jetë të Traktatit të Fshehtë të Londrës (1915), që synonte eliminimin e shtetit shqiptar në llogari të Italisë, Greqisë dhe Serbisë [NY Times, 14. 6. 2007].
Ishte absurd plani i Nikolsonit që e ndante Shqipërinë – Veriun për Serbinë, një shtet mysliman në qendër me mandatin italian, Jugu nën sundimin grek dhe Korça do të ishte shtëpia e një Universiteti Qendror shqiptar nën mbrojtjen amerikane. Shqiptarët ishin të tmerruar nga një mandat italian, thoshte Wilson, që kishte marrë një numër të madh peticionesh. Mbase ata duhej të kishin pavarësinë e tyre. “Vërtet nuk e di se çfarë ata do të bënin me të – u përgjigj Loyd George – përveçse të presin fytet e njëri-tjetrit, Shqipëria do të bëhet si Malësitë e Skocisë të shekullit XV” [Përmeti:2007, f. 1].
Kontakti i parë zyrtar i Esat Pashës me diplomacinë amerikane u realizua në korrik të vitit 1918. Ai akuzonte Ismail Qemalin si bashkëpunëtor të xhonturqve [1912], ndërsa Princ Vidin të paaftë për të qeverisur shqiptarët [1914]. Telford Erikson u hidhërua për takimin e Wilsonit me Esat Pashën, duke i shkruar se ai: “nuk përfaqëson asnjë njeri, përveç vetes”. Kundër Esatit ishte edhe William Hauard, sekretar i Fondit për ndihmë Shqipërisë, i cili kur e kishte takuar Esatin me një agjent të tij (1915), kishte marrë përshtypjen e “dy dhelprave dinake”. Esat Pashën e akuzonin edhe Durhami e gjenerali anglez Philips.
Në Konferencën e Paqes në Versajë (1919), Presidenti Wilson informoi Fuqitë e Mëdha se Amerika nuk do të toleronte ndarjen e Shqipërisë nga fqinjët dhe se ai do të tërhiqej nga konferenca nëse shihte diçka të tillë. Vetëm atëherë, fuqitë e tjera u zbrapsën nga planet e tyre për të ndarë Shqipërinë.
Në korrik të vitit 1921, Kryqi i Kuq Amerikan krijoi një shkollë teknike që funksionoi deri më 1933 nën drejtimin e Harry Fultz-it, ndërsa në shtator të vitit pasues në Kavajë u hap edhe shkolla amerikano-shqiptare e bujqësisë dhe shkencave, e njohur me emrin e themeluesit Charles Erikson. Në korrik të atij viti (1922) SHBA-të njohën zyrtarisht shtetin shqiptar, ndërtuan në Tiranë një legatë (ambasadë) dhe caktuan Ulysses Grant Smith (1870-1959) për të filluar misionin diplomatik më 4 dhjetor të atij viti, nisma e një rrugëtimi të gjatë marrëdhëniesh dhe vendosja e një filli për të njohur opinionin e vet se çfarë ishte Shqipëria, cilët ishin shqiptarët dhe si mund t’i ndihmonte Amerika. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat