
Pas rotacionit të pushtetit në Mal të Zi, qeveria e re ka mundësi të tregohet e kujdesshme për Ulqinin, e jo si ajo e mëparshmja e cila nuk ka treguar interesim për investime e zhvillim të përgjithshëm, nga del se për 30-vite është komuna më e pazhvilluar në bregdet, me emigrim të vazhdueshëm të popullsisë dhe më pagat me të ulta në vend(!), që është paradoks i llojit të vet duke marrë parasysh resurset me të cilat disponon ky mjedis, andaj i mbetet qeverisë se re të angazhohet në këtë drejtim për të ndryshuar dështimet e politikës qeverisëse vite me radhë ndaj këtij qyteti dhe banorëve të tij.
Investime si në vendet koloniale
Kur trajtohen tema të tilla, vazhdimisht theksohen investimet kapitale për vitet përkatëse, duke dëshmuar me të dhëna statistikore si kudo në botën demokratike. Pikërisht në këtë aspekt kemi të dhëna që është vështirë të pranohen dhe të besohen kur ato janë publikuar për opinionin e gjerë.
E dhëna se në vitin 2020 Qeveria e Malit të Zi në Ulqin ka investuar 20.000 euro apo 1 euro për banor paraqet skandal të llojit të vet, fyerje dhe nënçmim për popullsinë e kësaj komune.
Kemi të bëjmë me gjoja përkujdesje qeveritare që i ngjan vendeve koloniale, apo të njerkës, duke dëshmuar në praktikë strategjinë e „investimeve“ në nivel shtetëror. Një veprim i tillë i pushtetit ishte befasi, se vazhdimisht në vitin zgjedhor janë bërë investime, qofshin ato edhe minimale sa për të mashtruar elektoratin, ndërsa kësaj radhe mungoi një angazhim i tillë!
Më të votuarit shkatërrimtarët e Ulqinit(!)
Por, pavarësisht mungesës së investimeve kapitale, por edhe dështimeve të pushtetit qendror në procesin e privatizimit në Ulqin për tre dekada, në zgjedhjet parlamentare (30.8.2020) qytetarët e votuan DPS-in me 4003 vota, më shumë së asnjëherë deri më tash në këtë komunë(!). E pse qytetarët e Komunës së Ulqinit e votuan në këtë numër këtë subjekt politik i cili për 30-vite në pluralizëm ka shkatërruar të gjitha resurset ekonomike, ka rritur papunësinë e ka ndikuar në emigrimin e popullsisë, mbetët çështje për analizë të veçantë.
Në pritje të ndryshimeve
Pas rotacionit të pushtetit në mënyrë demokratike, në zgjedhjet parlamentare(30.8.2020) qytetarët presin që Qeveria e re të ketë përkujdesje më të madhe ndaj Ulqinit, sidomos kur nënkryetari i saj D.Abazoviqi është nga ky qytet. Madje të gjithë janë të mendimit se ky është momenti që duhet shfrytëzuar për investime kapitale në Ulqin, sepse kemi të bëjmë me individin në pozitën më të lartë deri më tash nga Ulqini në Qeverinë e Malit të Zi. Përveç investimeve kapitale duhet patjetër të rishqyrtohet procesi i privatizimit që këtu ka marrë përmasat e plaçkitjes, më tepër se në asnjë komunë bregdetare.
Rikthimi i Valdanosit- shpresë për qytetarët
Procesi i rikthimit të Valdanosit, ish pronarëve legjitimë me shumicë të votave nga shumica aktuale parlamentare (por pa votat e DPS-it) si dhe fillimi i dhënies së vendimeve pronarëve ditë më parë(20 tetor 2021) paraqet moment historik për Ulqinin. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse pronarët rikthehen në pronat e tyre pas 43 vitesh.
Rikujtojmë me këtë rast se në mjediset e tjera në Mal të Zi, ish-pronarëve iu është kthyer prona, por në Ulqin kishte pengesa burokratike nga ana e pushtetit, sepse ndaj Valdanosit ekzistonin plane të ndryshme nga qeveritarët me oligarkët e ndryshëm nga vendi dhe bota e jashtme. Por, përfundimisht fitoi drejtësia, e cila u realizua vetëm kur u largua DPS-i nga pushteti, më 30 gusht 2020.
Pas Valdanosit, qytetarët presin që ngjashëm të ndodhë edhe me kriporen, hotelet e Rivierës së Ulqinit(Galeb, Lido), dhe me ndërmarrjet e ndryshme (AgroUlqini, Otrantcomerc, Primorje, Ultep) etj.
Rasti K1-plaçkitje e pandëshkuar
Në veçanti duhet rishqyrtohet me një proces të veçantë gjyqësor ish-Pushimorja e Sindikatave të Kosovës e njohur si K1, e cila ka zgjatur nga monizmi në pluralizëm(1983-2019), duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Ulqinit me 6.5 milion euro, në sajë të akrobacioneve gjyqësore të Podgoricës. Kemi të bëjmë me një rast specifik të korrupsionit shtetëror i panjohur deri më tash ne procedurat gjyqësore në Mal të Zi, që do të mbesë shembull tipik për tekstet e studentëve te juridikut, se si plaçkitët një komunë e cila nuk është përgjegjëse për një veprim të tillë ndëshkues!
Ulqini, i vetmi pa terrene sportive
Ndonëse me vite terreni sportiv, përkatësisht stadiumi i futbollit në Plazhin e Madh ka qenë në shfrytëzim nga klubi i futbollit „Otrant“, ka vite që nuk përdorët sepse komuna e Ulqinit nuk është pronar i këtij mjedisi. Të ndodhur në situatë të tillë, futbollistët janë të detyruar të përdorin terren ndihmës për të zhvilluar ndeshjet. Jo vetëm se klubi i futbollit nuk ka terrenin e vet por mungon përkujdesja financiare nga buxheti i komunës, që ndikuan nga rënia në ligën regjionale. Ndonëse më herët është diskutuar se do të ndërtohet një palestër sportive, çdo gjë ishte premtim parazgjedhor duke mbetur zhgënjim për të rinjtë sportdashës në Ulqin.
Kujtojmë me këtë rast se vite më parë në Tivar është ndërtuar qendra sportive e cila ka kushtuar 8 milion euro, me financim nga komuna(5 milionë euro) e qeveria(3 milion euro), ndërsa në Ulqin kanë munguar nisma të tilla.
Në këtë aspekt mund të shërbejë si model qytetet tjera në Mal të Zi madje edhe Tuzi, ndonëse komuna u formatizu e pavarur në vitin 2019, ka arritur ta kompletoj stadiumin e futbollit, madje edhe me ndriçim publik.
Përfundim
Mbetët të presim projekt buxhetin për vitin 2022 për të parë se cilat do të jenë financimet kapitale në Ulqin, të cilat kanë munguar vite me radhë nga qeveria, sepse kur është në pyetje Ulqini nuk kemi të bëjmë vetëm me çështje ekonomike por edhe politike. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe qëndrimi përbuzës qeveritar vite me radhë ndaj popullsisë së kësaj komune.
