Sabri Halili
Në skenën e sallës së Shtëpisë së kulturës në Ulqin, të shtunën u ngjit Ansambli “Hazis Ndreu” Nderi i kombit nga Dibra. Performuan në mënyrë të mrekullueshme artistët e këtij Ansambli, e të gjithë pa përjashtim shkëlqyen. Ishte një mrekulli e vërtetë. Valltaret dhe valltarët e këtij Ansambli, të gjithë shumë të rinj, ishin, më shumë se të mrekullueshëm. Për fat të keq, kur grupi i valleve dilte në skenë fitohej përshtypja se më shumë ka valltare e valltarë në skenë se shikues në sallë. Nga kjo pamje, ndjehesha keq, shumë keq.
Posaçërisht keq jam ndje kur në skenë u ngjitën artistët e mëdhenj: Liri Rasha e Arif Vladi, e po përmendi këtu edhe dy këngëtarët ulqinakë: Shaban Gjekaj e Shemso Hasanagaj. Kisha përshtypjen se edhe ata ndjeheshin keq. U mundova ta fus trurin në punë, për të gjetur ndonjë arsye pse salla ishte bosh (rreth 50 shikues, asnjë më shumë). Pandemia, mendova për një moment, por nuk ma mbushte mendjen, aspak nuk ma mbushte mendjen. Jo, nuk është pandemia, sepse jo më larg se para 2-3 ditësh në një mort, e po ashtu jo më larg se 4-5 ditësh në një gëzim familjar merrnin pjesë më shumë, shumë më shumë persona (5-6 fish më shumë, e ndoshta edhe më shumë se kaq) në mort, se në gëzimin familjar. Pra, nuk qenka aspak faji i pandemisë.
Mos ndoshta ka të bëjë me politikën, pra me ndarjet e përçarjet politike këtu në Ulqin? Phhh. Ndoshta. Edhe nëse bëhet fjalë për inatet tona politike, është gabim i madh, sepse me kulturë, art e sport nuk guxon të bëhet politikë, veçmas kur kemi të bëjmë me një shfaqje shumë serioze dhe me nivel të lartë. Kur kemi të bëjmë me artistë të nivelit mbarëkombëtar, siç janë Liri Rasha e Arif Vladi. Nuk e di se si janë ndjerë dibranët përballë karrigeve bosh në sallën e Shtëpisë së kulturës në Ulqin? Nuk e di se si janë ndjerë organizatorët, pastaj ata pak shikues në sallë, por unë jam ndier i turpëruar para artistëve të mëdhenj dibranë. Dyshoj se këtu nuk ka gisht shumë politik. Nëse jo, atëherë çfarë dreqi mund të jetë? Mos vallë kemi të bëjmë me??? Jo këtë nuk dua ta besoj. Nuk dua ta besoj se salla bosh, e që nuk është hera e parë, flet për nivelin tonë në përgjithësi, e për atë kulturor në veçanti. Vite me radhë kemi thënë se Ulqini ka histori, patjetër që ka, e kjo është dëshmuar. Kemi thënë se Ulqini është djep i kulturës dhe ka dhënë shumë artistë, në shumë fusha të artit e të kulturës dhe është më se e vërtetë. Por, se ulqinakët e duan kulturën, unë të paktën, kam gabuar, apo ndoshta? As këtë që po më shkon ndër mend nuk dua ta besoj. Megjithëse dyshoj që edhe mund të jetë një shkak i vogël, i vockël fare. Nuk mund të pajtohem as me këtë që jam duke menduar tani. Si mendoni ju, a thua aq keq kemi degjeneruar sa që nuk dimë të vlerësojmë dhe shijojmë vlerat e vërteta dhe artistët e vet? Ka shumë mundësi që kështu është. Pikërisht kështu, sepse tash mu kujtua edhe i ndjeri Dr. Simë Dobreci. Dr. Simë Dobrecin e kanë dëbuar prej Ulqinit duke i thurur vargje ironizuese të tipit: “Doktor Sima daje bolovanje svima, …“.
Se vërtetë qenkemi keq, shumë keq, flet edhe fakti se këtë shfaqje dinjitoze nuk e përcolli mediatikisht asnjë media shtetërore, lokale e as private. Këto media vrapojnë për të zënë pozitën më të mirë për kamerat e veta edhe në evente të parëndësishme, por të shtunën munguan. Pse? Arsyetimi i vetëm mund të ishte vetëm ndonjë orë policore, gjë që nuk kishte. Atëherë, PSE???
Për të mos fajësuar askënd, po them se të gjitha sa përmenda në këtë tekst, kanë ndikuar ngapak që Ulqini dhe ulqinakët të koriten para artistëve dibranë.
