
Ngjarjet e fundit të bllokimit të rrugës që çon drejt pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinjë në veri të Kosovës, për shkak të vendosjes së reciprocitetit të targave nga Kosova, ishte një skenar i parë edhe më herët dhe i orkestruar nga Serbia. Që prej përfundimit të luftës, por veçanërisht prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia i ka përdorur serbët në veri të Kosovës për të krijuar turbullira politike, ekonomike, sociale etj. në Kosovë, që disa herë kanë përfunduar edhe me pasoja (viktima). Kujtojmë se më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u dogjën këto dy pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.
Serbia dëshmoi për të disatën herë deri tani, gjë që është e pritur, se nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe se një Kosovë e trazuar është në interes të saj. Politika shtetërore serbe manipulon me serbët në Kosovë, duke e mbajtur situatën pezull dhe provokuar nëpërmjet tyre sa herë që don tensione dhe konflikte në Kosovë. Serbia synon që ta shtyjë sa më tepër arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me Kosovën, duke u përpjekur që të përfitojë sa më tepër që të jetë e mundur nga situata dhe pritur ndonjë moment të volitshëm, në varësi të rrethanave, për të realizuar aspiratat dhe projektet e saj të rrezikshme kundrejt Kosovës.
Nga ana tjetër Kosova, ashtu siç e ka shfrytëzuar momentin në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar duke bërë që NATO-ja të ndërhyjë kundër Serbisë, gjë që çoi në çlirimin e Kosovës dhe largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, ashtu liderët e saj të dalë nga lufta, për fajin e tyre, e kanë humbur shansin që ta shtrijnë sovranitetin mbi pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe. De facto Kosova e ka humbur sovranitetin dhe nuk mund ta ushtrojë plotësisht në këtë pjesë të saj.
Arritja e marrëveshjes së përkohshme për zgjidhjen e problemit të krijuar së fundmi në pjesën veriore të Kosovës tregoi se nuk janë serbët e Kosovës, por politika në Serbi problem, kurse serbët e Kosovës përdoren nga ata si kurban. Zvarritja e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me qëllim dhe i shkon përshtat Serbisë, e cila kërkon të fitojë kohë. Megjithatë, arritja sa më parë e një marrëveshjeje, kuptohet jo e çfarëdo marrëveshjeje, e cila presupozon pëlqimin e të dy palëve, është në interesin e Kosovës
Ngjarjet e fundit në Kosovë ngjajnë si një zënkë (konflikt), ku dy veta grinden dhe ndërhyn një i tretë, i moshuar, në rastin konkret bashkësia ndërkombëtare, i cili i ndanë dhe përpiqet t’i pajtojë. Por ata grinden sërish pas një kohe.
Duke mos minimizuar dhe anashkaluar aspak fajin e udhëheqësve të Kosovës, të cilët 15 vite pas shpalljes së pavarësisë kanë bërë shumë pak në forcimin e shtetësisë dhe institucioneve të Kosovës, një pjesë të madhe të fajit për situatën aktuale dhe konfliktin e ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka edhe Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi. Si një protektorat i bashkësisë ndërkombëtare, Kosova është shndërruar në një eksperiment të ndërkombëtarëve.
Plani i Ahtisarit, sipas të cilit u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008, nënkuptonte kompromise të dhimbshme për Kosovën. Njëri ndër to është krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili nëse do të ketë kompetenca ekzekutive do ta bosnjëzonte Kosovën, edhe ashtu të ndarë, duke e shndërruar në një shtet krejtësisht jofunksional. Po ashtu, zbatimi absurd i parimit të ekstraterritorialitetit për pronat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke penguar zhvillimin e projekteve me interes publik, siç është ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë. Prandaj duken të pakuptueshme zërat që herë pas here dëgjohen nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së se arritja e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë nënkupton kompromise të dhimbshme. Kosova ka bërë deri tani mjaft kompromise dhe nuk ka çfarë të bëjë tjetër.
Duke mos minimizuar dhe anashkaluar aspak fajin e udhëheqësve të Kosovës, të cilët 15 vite pas shpalljes së pavarësisë kanë bërë shumë pak në forcimin e shtetësisë dhe institucioneve të Kosovës, një pjesë të madhe të fajit për situatën aktuale dhe konfliktin e ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka edhe Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi. Si një protektorat i bashkësisë ndërkombëtare, Kosova është shndërruar në një eksperiment të ndërkombëtarëve
Megjithëse e drejta është në anën e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare e ka shpërblyer disa herë deri tani Serbinë. Kjo e fundit ka shfrytëzuar dobësitë e BE-së dhe mosunitetin e saj (kujtojmë se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës). Serbisë i intereson mbajtja pezull dhe konflikti i ngrirë me Kosovën, sepse don ta tregojë atë përpara botës si një vend që nuk e meriton të jetë shtet. Kësaj i ka shkuar në favor edhe ngecja e Kosovës në procesin e njohjeve, derisa Serbia ka pasur sukses në fushatën e saj të çnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Në kuadër të konfliktit Kosovë-Serbi duhet vlerësuar edhe projektin Ballkani i Hapur, ku Serbia dëshiron të tregohet para ndërkombëtarëve, të paktën deklarativisht, se është për projekte dhe marrëveshje të bashkëpunimit rajonal. Por që në fakt, edhe në këtë projekt vërehet qartazi përpjekja e saj për të treguar hegjemonizmin ndaj vendeve tjera të rajonit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dy vende që presin të marrin ftesën për fillimin e bisedimeve me BE-në, përpos tjerash edhe për këtë fakt, kanë pranuar të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ndërkaq vendet tjera, përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën janë shprehur skeptike dhe kanë shfaqur rezerva për një projekt të tillë, pasi që e njohin mirë Serbinë nga e kaluara e përbashkët.
Po kështu, Ballkani i Hapur duhet shikuar në një kontekst më të gjerë rajonal e ndërkombëtar.
Ndërkohë që Serbia deklarohet për Ballkanin e Hapur, ajo vepron për realizimin e projektit hegjemonist, të riemërtuar së fundmi si Bota Serbe. Këtë ajo provon ta bëjë duke provokuar tensione, konflikte etj. përmes Kishës Ortodokse Serbe, siç është rasti në Malin e Zi, serbëve në Kosovë apo Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë. Duhet pranuar se ndikimi i Serbisë në Kosovë dhe vendet tjera të rajonit vazhdon të jetë i madh, jo vetëm përmes serbëve, por edhe lidhjeve ekonomike e tregtare të trashëguara, prodhimeve serbe, Kishës Ortodokse Serbe etj.
Arritja e marrëveshjes së përkohshme për zgjidhjen e problemit të krijuar së fundmi në pjesën veriore të Kosovës tregoi se nuk janë serbët e Kosovës, por politika në Serbi problem, kurse serbët e Kosovës përdoren nga ata si kurban. Zvarritja e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me qëllim dhe i shkon përshtat Serbisë, e cila kërkon të fitojë kohë. Megjithatë, arritja sa më parë e një marrëveshjeje, kuptohet jo e çfarëdo marrëveshjeje, e cila presupozon pëlqimin e të dy palëve, është në interesin e Kosovës.
