Katër garues të Klubit të Taekwondosë “Ulqini” morën pjesë gjatë fundjavës në Turneun ndërkombëtar të taekwondosë, për nivelin G1-E1, që u organizua në Tiranë nga Federata e Taekwondosë së Shqipërisë, nën delegimin e Federatës Botërore të Taekwondosë.
Suksesin më të madh nga garuesit e KT “Ulqini” e shënoi Sara Kraja, e cila u shpall kampione në kategorinë e kadetëve, për peshën – 55 kg. Ajo fitoi katër ndeshje duke fituar medaljen e artë dhe siguruar vetes pikë shumë të vlefshme, të cilat do t’i shërbejnë për ngjitjen në rang-listën evropiane dhe botërore.
Përkundër paraqitjes së mirë, tri garueset tjera nuk patën sukses. Ndonëse ishte shumë afër fitores, Arta Ismailaga u ndalua në raundin e katërt me pikën e artë. Po ashtu edhe Merisa Malokraja dhe Amella Nuti.
Për garuesit e KT “Ulqini”, kjo ishte paraqitja e tyre e parë në nivelin G1-E1, që shërben për grumbullimin e pikëve për renditjen në rang-listën botërore.
Në turne morën pjesë mbi 1100 sportistë të 120 ekipeve nga 40 vende.
Nga KT “Ulqini” kanë bërë të ditur se turneu i radhës i këtij niveli do të mbahet pas dy javësh në Podgoricë.
“Sportistëve nga Ulqini ju urojmë sukses në këtë rrugëtim, që çon drejt lojërave olimpike. Se sa do të afrohemi, mbetet të shihet në vitet në vijim”, thuhet në një deklaratë për media të këtij klubi, duke falënderuar njëkohësisht prindërit e sportistëve për përkrahje maksimale si dhe sponsorët që ua lehtësuan pjesëmarrjen në këtë aktivitet të këtij niveli, ku vetëm pagesa për pjesëmarrje kushton 120 euro.
(Kohapress)
