Përse çekët “dashurojnë” Alpet Shqiptare dhe bien dëshmorë?!

U mbushën 30 vjet nga hapja e Shqipërisë dhe po kaq vjet që turistë nga të katër anët e botës nuk kanë pasur kurrfarë pengese për të vizituar vendin e shqiponjave i cili deri në fund të vitit 1990 njihej vetëm nëpërmjet propagandës së kohës dhe 2 emrave; udhëheqësit të kohës Enver Hoxha dhe shkrimtarit të njohur ndërkombëtarisht qysh në atë periudhë, Ismail Kadare. Mungesa e sigurisë ishte evidente në fillim të viteve ’90, së pari për vetë shqiptarët por sidoqoftë për turistët e huaj bëhej kujdes pasi ata instruktoheshin se në cilat vende nuk kishte siguri që të vizitoheshin prej tyre, përveç rasteve kur ishin të shoqëruar nga banorët vendas. Kështu edhe zonat malore filluan të vizitoheshin shpesh nga turistë të kombësive të ndryshme, duke nisur nga Europa, Amerika, diaspora shqiptare etj. Bile pika të tilla turistike në rrethin e Shkodrës si Razma apo Thethi, që kishin pasur traditën e frekuentimit qysh me kampet e punëtorëve kishin pasur edhe para viteve ’90 turistë kryesisht nga vendet e Lindjes. Mirëpo duke filluar nga viti 2001 një varg ngjarjesh të rënda tronditën opinionin shqiptar dhe më gjerë me zhdukjen pa gjurmë të 3 turistëve cekë në Alpet e Veriut. Vite më pas turistëve çekë iu ndodhën përsëri aksidente, tentativa për vrasje, grabitje etj…
Arsyeja e vërtetë e incidenteve të njëpasnjëshme që u ndodhin që prej 2 dekadash turistëve çekë në Alpe dhe në përgjithësi në zonat malore të Veriut të Shqipërisë është kërkimi i jashtëligjshëm që ata bëjnë për gjetjen e mineralit të kërkuar me vlerë në formë gurësh të çmuar quajtur Gralin. Gralin është një metal i cili hyn në rangun e çmimeve me të cilat shiten dhe blihen në tregun e zi gurët e çmuar.
Konfirmimi i mësipërm vjen nga qarqet e hershme të gjeologëve në qytetin e Shkodrës, një pjesë e të cilëve të diplomuar edhe në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera të Lindjes së ish kampit socialist deri në vitin 1961. Dhe natyrisht edhe nga homologët dhe ish-shefat e tyre në Tiranë ku si në çdo kryeqytet ndodhet ajka e intelektualëve dhe specialistëve të të gjitha fushave, ashtu edhe të gjeologjisë. E përbashkëta e tyre është vendimi në unison për të mos u prononcuar me emra për arsye sigurie meqë “këto janë gjëra me zarar”. Një pjesë prej gjeologëve në fjalë natyrisht që ka lidhje të hershme me gjeologët çekë që datojnë që nga vitet 50-60 të shekullit të kaluar. Zbulimi se pikërisht kjo zona malore e Shqipërisë është e pasur me Gralin është mësuar fillimisht nga hartat e vjetra gjeologjike të Shqipërisë të cilat i kanë hartuar rusët qysh në vitet ’50. Këto janë hartat e fundit gjeologjike dhe mbi baza shkencore që ka Shqipëria edhe sot e kësaj dite. Zbulimit të atëhershëm i janë shtuar edhe kërkimet në 10-vjecarin e parë pas hapjes së Shqipërisë gjatë vizitave “turistike” dhe “alpinistike” të gjeologëve dhe studentëve cekë të gjeologjisë, pra në periudhën 1991-2000. Nuk është pa baza edhe ajo shprehja se “Shkodra ka qenë dhe mbetet një qendër e konspiracionit”, shprehje e cila në kohën e komunizmit u vu në gojën e Mehmet Shehut me përkufizimin: “…Shkodra si qendra e reaksionit…”
Po sipas këtij burimi, guri i çmuar Gralin nuk është vështirë të kërkohet dhe të gjendet sepse ai ndodhet në thellësi të vogël nga sipërfaqja e tokës. Ndërkohë, kalimin në doganën shqiptare të logjistikës kërkimore moderne qysh në vitet ’90-ta kontrabandistët çekë e mbase jo vetëm ata e kanë bërë dhe vijojnë ende që ta bëjnë fare lehtë edhe sot duke i çmontuar dhe duke i kaluar pjesë-pjesë nëpërmjet anëtarëve të të njëjtit grup “turistik”. Ç’ka nuk i ka sjellë asnjë dyshim nga mungesa e kontrolleve të specializuara kufitare të shtetit tonë rrumpallë. Kjo në një kohë kur përbën problem kalimi i këtyre pajisjeve në dogana të shteteve të tjera edhe të rajonit pasi ndërmarrja e një veprimi të tillë pa pasur marrëveshje ndërshtetërore kërkimesh përbën një shkelje të rëndë ligjore të ngjashme me një agresion kundër një vendi tjetër. Dhe detyrimisht që edhe penalitetet ndaj çdo kundërvajtësi të tillë janë të rënda në çdo vend të botës.
Ndërkohë, vrasjet, grabitjet dhe plagosjet që në 20 vitet e fundit kryesisht në Shqipërinë Veri-Lindore u ranë për hise “turistëve” cekë, kanë qenë thjesht pasojë e luftës së brendshme të konkurrencës që kanë këto grupe private gjeologësh të cilët operojnë në mënyrë mafioze meqë në lojë është tregtia ndërkombëtare kontrabandë e gurëve të çmuar. Në këtë pikë ata kanë pasur informacion edhe nga gjeologët vendas që i kanë informuar. Për ekzekutimin e vrasjeve zakonisht ata nuk kanë vepruar drejtpërdrejt, vetë por kanë përdorur mercenarë vendas. Në një vend me varfëri të tejskajshme si Shqipëria ky rol ka kohë që luhet edhe në mes të Tiranës dhe në qytetet kryesore e jo më në zonat e thella malore, ku ka varfëri të tejskajshme dhe një infrastrukturë që favorizon largimin e hershëm dhe pa lënë gjurmë nga vendngjarja të agresorëve.
Natyrisht që në mesin e këtyre të zhdukurve, të vrarëve, të plagosurve dhe të grabiturve çekë mund të ketë edhe turistë të mirëfilltë që u ka rënë për hise ndonjë prej këtyre fatkeqësive, por pjesa dërrmuese e këtyre ngjarjeve shumica e të cilave është enigmë dhe pa autorë, ka si shkak atë që shtjellova më lart.
Megjithëse prej 20 vjetësh janë gjithsej 8 të vdekur, 6 të grabitur dhe 2 të plagosur rëndë, megjithatë turistët çekë vijojnë që të dashurojnë Alpet e Shqipërisë dhe zonat e tjera malore në Veri të vendit(!). Si ka mundësi që këto shifra të frikshme nuk kanë ndaluar sadopak fluksin e ardhjes së vizitorëve çekë në lartësitë e Veriut?
Në vitin 2001 fillojnë historitë e rënda të turistëve cekë. 3 turistë cekë, Jan Pavelka, Mihal Pavelka dhe Lenka Tuçova u zhdukën pa lënë gjurmë në Alpet e Shqipërisë dhe nuk janë gjetur më. Megjithëse Ambasada e Çekisë në Tiranë pat bërë shumë herë thirrje për gjetjen e tyre, madje duke vënë në dispozicion edhe shuma të konsiderueshme monetare nga shteti çek, nuk u arrit asgjë.
Fati i zi me turistët çekë vijoi në verën e vitit 2011. Katër turistë, respektivisht 2 femra dhe 2 meshkuj u grabitën me dhunë në Kalanë e Dodës dhe pas ngjarjes u dërguan edhe në spital për shkak të dhunës që kishin ushtruar grabitësit.
Një vit më pas, në qershor të vitit 2012, dy turistë çekë u grabitën teksa po laheshin në liqenin e Shkopetit. Po gjatë verës së vitit 2012, vetëm pak javë më vonë, një e moshuar çeke ishte shpallur e humbur për ditë me radhë në afërsi të Krujës, por fatmirësisht u gjet…
Në korrik të 2013-s, turisti dhe alpinisti çek Pavel Prozak pësoi një aksident në Malin e Jezercës. Ai ra nga një lartësi e konsiderueshme dhe u gjet pas një ditë nga helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në qershor të vitit 2014, turisti cek David Polack pësoi një aksident vdekjeprurës në Dukagjin pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte ra në humnerë nga ku dhe ai gjeti vdekjen e menjëhershme.
Në gusht të po këtij viti, Martina Mala, u plagos me armë zjarri në një plazh në Velipojë, nga një shtetas i rrethit të Shkodrës.
Më maj 2015, Adam Baron u mbyt në lumin Kir në Shkodër.
Po gjatë këtyre ditëve u vra barbarisht çifti çek Michail Svatos dhe Anna Kosinova në Prekal të Dukagjinit nga një i ri që e morën në automjetin e tyre për t’i treguar udhën. Autori i vrasjes së dyfishtë u pat kapur jo për meritë të policisë por sepse u tradhtua nga celulari. Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore ai u trajtua si i sëmurë mendor që e kishte bërë vrasjen për t’i grabitur.
Me e bukura është se menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë mediat çeke shkruajtën në kor ku më pak e ku më shumë se “…Veriu i Shqipërisë, së bashku me malet është një destinacion shumë i dashur për çekët (!)…”
Ndërkohë sipas gazetarucëve që “investigojnë” nga kafenetë e Shkodrës dhe të Tiranës u patën shpikur shumë pista për zhdukjen e 3 turistëve çekë. Sipas njërës prej tyre ata u vranë nga kafshët e egra në pyll (!). Kjo është absurde sepse nuk mund të zhdukeshin të tre dhe se muaji tetor nuk stimulon ngjarje të tilla. Nëse do të ishte mesi i dimrit dhe të kishte shumë dëborë atëherë mund të dyshohej se turistët mund të ishin sulmuar dhe shqyer nga ujqit e uritur por në atë kohë vjeshte kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë. Por edhe kur kanë ndodhur raste të tilla në mes të dimrit janë gjetur gjurmë të viktimave si p.sh rroba apo këpucë…
Një tjetër “burim” i fantazisë folklorike thotë se çekët paskan ngacmuar një vajzë vendase në një bujtinë dhe të afërmit e saj janë hakmarrë barbarisht duke i vrarë të tre (!). Sot nuk ka më asnjë naiv që i beson këtyre përrallave. Kjo pistë bie poshtë totalisht sepse eksperienca ka treguar se në Shqipëri nuk vret kush të huajt e për më tepër krejt grupin e turistëve vetëm për një ngacmim femre (!).
“Pista” e fundit në lidhje me këtë temë, në dijeninë time, është se 3 turistët çekë u rrëmbyen dhe u zhdukën për trafikim organesh. Edhe ky pretendim është më se absurd ,kur dihet se Shqipëria nuk përmbushte dhe nuk i përmbush as sot kushtet për të bërë një transplantim me logjistikën mizërie dhe nivelin e shëndetësisë që ka. Imagjino para më së 20 vjetësh… Por më e bukura është se kjo “pistë” e re “e zbuluar” plot një dekadë pas ngjarjes, “u zbulua” nga fantazia e avujve të alkoolit në vitin 2011. pikërisht në kohën kur Dick Martin akuzoi pa asnjë provë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës-në në një raport të Këshillit të Europës së kishte abuzuar me ushtarët serbë të zënë rob në shtëpinë e verdhë në Mat duke shfrytëzuar rastin për të bërë me ta trafik organesh(!). Siç dihet kjo akuzë e tyre u pat hedhur poshtë përfundimisht nga Ministri i Jashtëm i Francës i asaj kohe Bernard Kuchner dhe ish Administrator i parë i UNMIK në Kosovë i cili e njihte shumë mirë realitetin në terren larg tendencave keqdashëse të Dick Martin.
Me fjalë të thjeshta asnjëra prej këtyre pistave të shpikura për zhdukjen e 3 turistëve çekë në vjeshtën e vitit 2001 nuk është konfirmuar dhe tashmë pas 20 vjetësh ajo mund të arkivohet zyrtarisht si enigmë.
(Autori është Koordinator i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Unionin e Gazetarëve Shqiptarë (UGSH)

Të fundit

më të lexuarat