
Më 7 shtator 2021, që është dita zyrtare e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, në portalin e Ambasadës së Shqipërisë pranë Vatikanit thuhet se: “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, 7 shtator 1991, përfaqësonte një stacion shumë të rëndësishëm në të cilin po hynte diplomacia shqiptare në rrugëtimin e saj të ri në marrëdhëniet me jashtë pas rënies së Murit të Berlinit dhe vendosjes së pluralizmit në vend”.
“Në të vërtetë marrëdhëniet diplomatike midis Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme që përpara sistemit të diktaturës komuniste, por që qeveria komuniste i ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin, me dëbimin e legatit apostolik Imzot Leone Nigris, si person të “padëshirueshëm”, më datë 24 maj 1945”, thuhet në portalin e Ambasadës Shqiptare në Vatikan, që në mungesë të një ambasadori fuqiplotë, kryesohet nga e Ngarkuara me Punë, Majlinda Doda. Deklarata e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit, thuhet më tej në portalin e Ambasadës Shqiptare u mendua të bëhej publike nga të dyja palët, më 7 shtator 1991, ku ndër të tjera thuhet: “Selia e Shenjtë beson që marrëdhëniet zyrtare të vendosura me Shqipërinë do të jenë një avantazh për të dyja palët, do t’i shërbejnë forcimit të lidhjeve dhe miqësisë midis tyre, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, thekson portali zyrtar i përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Vatikan.
Ndonëse marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme shekullore, që para periudhës së diktaturës komuniste, ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin, me dëbimin e legatit apostolik, Imzot Leone Nigris, si person të “padëshirueshëm”, më 24 maj të vitit 1945, kur edhe filloi martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare dhe persekutimi i klerikëve të saj nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës.
Ndërkaq, javën që kaloi, në 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndёrmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, në emër të Kishës Katolike të Shqipërisë, u shpreh Imzot Gjergj Meta, sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, me një deklaratë për Radio Vatikanin, në të cilën nënvijoi hapat drejt forcimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, përfshirë vizitat e dy papëve në Shqipëri, Gjon Palit II më 1993 dhe Papa Françeskut më 2014, por ai nuk anashkaloi as problemet që duhen zgjidhur në marrëdhëniet midis dy vendeve në këtë 30-vjetor, përfshirë edhe mungesën e një ambasadori fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan, vakant ç’prej vitit 2013.
Me këtë rast, Imzot Gjergj Meta foli pozitivisht, por edhe realisht për ecurinë e marrëdhënieve këto 30-vite post-komunizëm midis Tiranës zyrtare dhe Vatikanit.
“Shqipëria dhe Vatikani kanë pasur gjithmonë një raport të mirë, një raport strategjik me njëri-tjetrin. Dhe kjo që nga lashtësia, që nga kohët e hershme”, tha ai, për Radio Vatikanin. Imzot Gjergj Meta u shpreh se gjatë historisë ka pasur shumë momente dhe ngjarje historike të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, por klima që ekziston, marrëveshjet që janë arritur, përfshirë ato juridike dhe ndërkombëtare, por edhe ato të brendshme, theksoi Imzot Meta, kanë qenë të një niveli shumë të mirë dhe të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Kishën Katolike. “Dihet se shteti dhe populli shqiptar kanë tek Vatikani një partner të vazhdueshëm, një aleat të vazhdueshëm, edhe për aspiratën e tij për integrimin evropian, për zbatimin e të drejtave të njeriut, e kështu me radhë. Mund të themi se në këto vite shkëmbimet e ndryshme që kanë ndodhur, e kanë pasuruar marrëdhënien midis dy vendeve”, vlerësoi ai.
Ndër çështjet problematike që mbeten midis dy palëve, i përndershmi Gjergj Meta përmendi mungesën e vazhdueshme prej tetë vitesh të një ambasadori fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan: “Sigurisht se duhet thënë se mungesa e një ambasadori të Shqipërisë në Vatikan që nga viti 2013 nuk është një gjë që na bën fort nder ne si shtet, duke qenë se Vatikani, vazhdimisht, ka sjellë ambasadorë në Shqipëri dhe ne prej disa vitesh pra nuk kemi ambasador atje (Vatikan). Jam i sigurt se po të kërkohet dhe po të kihet vullneti i mirë, mendoj se mund të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për të dyja shtetet, por që është edhe përfaqësuese e denjë për shtetin tonë, një zgjidhje e kënaqshme për të gjithë ne”, ka theksuar përfaqësuesi i lartë i Kishës Katolike Shqiptare.
Një çështje tjetër, që sipas Imzot Gjergj Metës, shqetëson Kishën Katolike Shqiptare (por besoj edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri – shënim i autorit), është çështja e pronave të tyre të konfiskuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. “Ky mbetet ende një problem i pazgjidhur, çeshtja e kthimit të pronave Kishës Katolike, prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Gjatë këtyre 30-viteve ka munguar vullneti për të gjetur në zgjidhje edhe për ato prona që ka pasur Kisha”, është ankuar Imzot Gjergj Meta. Ai shtoi se këto janë prona që nuk janë një qëllim në vetvete, se sa një mundësi që do t’i lejonin Kishës Katolike të kishte një autonomi të veten për të kryer ato veprimtari që janë në të mirë të popullsisë, në të mirë të vendit, qoftë veprat e bamirësisë, qoftë shkollat që ka në administrim, qoftë Universiteti katolik e tjerë.
Megjithë këto çeshtje të pazgjidhura, Imzot Gjergj Meta u shpreh optimist për zgjidhjen e tyre, duke thënë: “Mendoj se edhe këtu, nepërmjet atyre zgjidhjeve ligjore që ofron edhe vet marrëveshja Vatikan-Shqipëri, si për shembull krijimi i komisioneve ad hoc për çeshtje të veçanta, do të ndihmonte shumë për zgjidhjen e këtyre ngërçeve, të cilat nganjëherë duket se i bëjnë hije marrëdhënieve të mira Vatikan-Shqipëri”.
Më në fund, sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta i vlerësoi keshtu marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Vatikanit në programin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe: “E them me bindje se këto marrëdhënie janë në nivelin më të mirë të përzemërsisë dhe të ndihmës reciproke të dy shteteve, me njëri-tjetrin. Sigurisht se duhet thënë se marrëdhëniet Vatikan – Shqipëri kanë shprehjen e vet më të mirë në angazhimin e katolikëve në jetën e shoqërisë shqiptare. Katolikët si pjesë themelore të historisë së Shqipërisë, të shtetit shqiptar, të institucioneve shqiptare, të jetës shoqërore të përditshme, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në trasnformimin e shoqërisë, të frymëzuar nga ato parime që vijnë nga jeta shpirtërore, nga ato parime që vijnë nga tradita e krishterë e cila ka elementë, ka shumë gjëra për të thenë e për të kontribuar në arritjen e mëtejshme të demokratizimit të vendit, në rritjen e mëtejshme të cilësisë së jetesës dhe të një shoqërie ku ka vend për të gjithë. Katolikët në Shqipëri kanë qenë mjaft aktivë në dialogun ndërfetar, në punë të ndryshme, në ndihmat dhënë familjeve në nevojë, qoftë në kohën e pandemisë, qoftë në kohë edhe më të vështira”, ka thenë Imzot Gjergj Meta në deklaratën e tij për Radio Vatikanin, duke uruar, njëkohësisht, në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, që këto ”marrëdhënie të vazhdojnë të jenë të mira, të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme midis shtetit shqiptar dhe Vatikanit, sigurisht në të mirë të të gjithë njerëzve, në të mirë të komunitetit katolik, në të mirë të shtetit shqiptar, por edhe në të mirë të Selisë së Shenjtë”, ka përfunduar deklaratën e tij Imzot Gjergj Meta me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit.
Zakonisht, mungesa e një ambasadori fuqiplotë në një vend, sidomos për një periudhë kaq të gjatë si në këtë rast – prej 8 vitesh – tregon se ai shtet që nuk ka një ambasador fuqiplotë në një shtet të caktuar, siç është rasti i Shqipërisë me Vatikanin, duhet të jetë i pakënaqur për diçka me vendin pritës, me politikat e tij, me sjelljet ose diçka tjetër. Ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është e hapur dhe vazhdon veprimtarinë, por nuk është njësoj pa ambasador, ndërsa drejtohet nga një e ngarkuar me punë, në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan.
Atëherë, ku qëndron problemi? Kush e pengon dhe PSE emërimin e një ambasadori të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan? Në qoftë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Vatikanit vazhdojnë të jenë, jo vetëm të mira, por të “shkëlqyeshme”, sipas Imzot Gjergj Metës, PSE vazhdon të jetë bosh karriga e ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan, për 8 vjet e deri tani?! Dikush në qarqet e politikës shtetërore, qeveritare e diplomatike në Tiranë duhet ta dijë se PSE mungon ambasadori fuqiplotë i Shqipërisë në Vatikan dhe kush e pëngon emërimin e një ambasadori atje. Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje nga autoritetet shqiptare në këtë 30-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit.
