
Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkëvendas që ishte, familja ime e strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për të derisa ai vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi ashtu me dhimbje, me njollën apsurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht. Merrni me mend, prej 2 vjeç, poeti i ardhshëm do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në arrestimin e tij. Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për pikëpamjet e tij antikomuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në parathënien e librit me poezi, të autorit Luigj Çekaj “Vjeshta në Aeroporte” se Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga, sepse kishte refuzuar të padiste të shoqin te policia.
“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.
Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës
Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,
shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)
Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka. Poeti i ardhshëm me trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në kampet e Tepelenës, sipas vendimeve të autoriteteve komuniste. Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, z. Dalip Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar: “Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqëzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”.
Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës të cilët na thonë se “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose “komunizmi ka berë më shumë të mira se të këqija”, është se çfarë kërcënimi paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i ardhshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja postkomunizëm, në një vend anëtar të NATO-s, i cili pretendon gjithashtu edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian? Pse, ende 30-vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijët 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje? Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?
Për hir të të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si biri i një të arrartisuri nga “parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij. Mbijetoi edhe “Stinën e dhimbjes”:
“Në prill të ’75-sës — Përjashtim nga Universiteti
Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna
Dhe në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”
Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë por mundësia për të botuar iu dha vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri. Kështu që, menjëherë pas ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribuonte si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar “Besa” në Shkodër. Pas kësaj, ai vendos të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant politik, për tu bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën. Luigj Çekaj vendoset në Bronks të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë viteve 1994-1998, ai angazhohet në revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga Shkodra” në vitin 2004, “Libri që renkon nga dhimbja”, ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tij nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e demokratike. “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet,
Bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë!
Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt
Sigurimi i dreqit në Velipojë (Ditën e Hyrjes sime në Uashington, 2 Prill, 1993)
Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, unë banoja në Uashington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim, si një ish-anëtar i redaksisë së kësaj reviste që isha në fillim të 1970-ave, për ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, në përgjithësi. Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar për më mire, falë angazhimit të Luigjit dhe ketë e kisha pasqyruar në përgjigjen time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re “Jeta Katolike Shqiptare”, nën drejtimin tënd është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e këndshme dhe e lezetshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës, një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju dëshiroj suksese të mëtejme”,
Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ave, një meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ serioz që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës por edhe të komunitetit më të gjerë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe. Më vonë, poeti dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë dhe më gjerë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët. (vazhdon)
