Lidhjet historike që fuqizohen

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Ky është lajmi i njoftuar javën që kaloi nga kryebashkiaku i qytetit italian Napoli, z. Luigi de Magistris, i cili, sipas disa burimeve ka pranuar dhe miratuar rekomandimin e Komisionit Toponomastik të qytetit për vendosjen e një pllake përkujtimore në Rrugën Shën Kiara, në kujtim të Donika (Arianiti) Kastriotit. “Vendimi për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendosë një lidhje të thellë kulturore, që ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”, citohet të jetë shprehur me këtë rast kryebashkiaku i ketij qyteti të njohur italian, Luigi de Magistris. Thuhet se ky gjest fisnik e bujar për vendosjen e pllakës u ndërmor, natyrisht, për të nderuar Mbretëreshën e shqiptarëve (Andronika Arianiti Komneni Kastrioti) për lidhjet e saj historike me atë qytet pas vdekjes së bashkshortit të saj, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, largimit të saj nga Shqipëria si rrjedhim i kësaj humbjeje, dhe në kujtim të kohës që ajo ka jetuar në Napoli.
Por, kjo pllakë kujton gjithashtu të gjithë ata shqiptarë të cilët janë larguar nga atdheu i tyre shekuj më parë për në Itali, pasi hordhitë turke pushtuan trojet arbërore, pas vdekjes së Kryeheroit shqiptar, i cili me dinjitet mbrojti trojet shqiptare nga sulmet otomane dhe shpëtoi Evropën nga depërtimet e tyre në kontinentin e vjetër. Mbretëria e Napolit u kishte ofruar, në atë kohë, mbështetje dhe strehim shumë shqiptarëve që qenë detyruar të largoheshin nga atdheu, si rrjedhim i pushtimit turk të tokave shqiptare. Ata u detyruan të largoheshin dhe të vendoseshin në Italinë Jugore, sepse nuk donin të jetonin nën thundrën e skllavërisë otomane, nuk donin të ndërronin fe e gjuhë, nuk dëshironin të braktisnin zakone e tradita, të cilat i ruajtën me dashuri prekëse ndër shekuj e deri më sot, ndërsa sot ata – të quajtur Arbëreshë të Italisë vijojnë të flasin me atë gjuhë që flisnin gjyshërit e tyre në kohën e lavdishme të Skënderbeut.
Ajo pllakë sot simbolizon gjithashtu, siç u shpreh edhe kryebashkiaku italian De Magistris, miqësinë dhe lidhjet aktuale të banorëve të këtij qyteti italian me shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, matanë Adriatikut, por edhe u kujton historinë e lashtë të kombit të vet, qindra mijëra shqiptarëve që janë vendosur në Itali tri dekadat e fundit pas shembjes së komunizmit, shumë prej të cilëve jetojnë e punojnë në Napoli me rrethe.
Pllaka në kujtim të Mbretëreshës shqiptare do vendoset pra në rrugën që tani mban emrin Santa Kiara të Napolit, pasi thuhet se pikërisht në atë rrugë ka jetuar për një kohë Donika Kastrioti, në shtëpinë e familjes fisnike Alesandro, por nën mbrojtjen e Mbretërisë së atëhershme të Napolit, aleate e Skënderbeut, në luftërat kundër turqve otomanë. Sipas disa të dhënave, ajo ka jetuar në atë rrugë që nga viti 1469 derisa është detyruar, për arsye të luftrave që kishin përfshirë mbarë Italinë midis viteve 1494-1498, të vendosej më në fund në Valencia të Spanjës, ku thuhet se ajo ka vdekur më 1506, dhe ku sipas një zbulimi të kohëve të fundit, në një kishë të këtij qyteti të vjetër gjëndet edhe varri i Donika Kastriotit, bashkëshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Donika është martuar me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun më 23 prill 1451. Sipas gojëdhënave, darsma është bërë në Kaninë, e sipas traditës ka zgjatur tri ditë (21-23 prill), siç ishte zakon edhe në viset tona dikur. Për këtë darsëm tregohen shumë gojëdhëna, ruhen këngë popullore, që arrijnë deri në kohët tona, si dhe të dhëna historike. Sipas tyre, Skënderbeu shkoi t’a merrte nusen i shoqëruar nga 500 kalorës, aq sa të dukej se po nisej për një betejë të re dhe jo për darsmën e tij. Sipas gojëdhënave, thuhet se kënga dhe vallja buçitën dhe Kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Kurora u bekua në Kishën e Bardhë afër Kaninës. Ndërsa për bukurinë e pashinë e çiftit Donika Arianiti-Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit, shkëputur nga “Historia e Skenderbeut:”…Dhëndëri si dielli ndriste,/Edhe nuseja që prunë,/Porsi hëna vetëtinte,/Dritë në ditën e shtunë…”
Mirënjohje Bashkisë së Napolit dhe kryebashkiakun të saj Luigi de Magistris që me vendosjen e një pllake në rrugën e atij qyteti ku jetoi shekuj më parë bashkëshortja e Skënderbeut, Donika, na e kujton familjen e Heroit Kombëtar të Gjergj Kastriotit –Skënderbeut : kontributet e saj, por edhe vuajtjet e asaj familjeje në mërgim, përfshirë Donika Kastriotin. Ajo pllakë do t’u kujtojë shqiptarëve por edhe të huajve që kalojnë pranë saj, fisnikërinë, trimërinë dhe burrërinë e Kryetrimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut dhe familjes së tij të ngushtë, sepse ishin ata të cilët mbrojtën nderin e Kombit dhe identitetin e shqiptarit, kudo dhe kurdoherë, nën rrethana shumë të vështira. Madje edhe sot pas më shumë se pesë shekujsh, nderi dhe dinjiteti i kombit shqiptar, po sulmohen e nepërkëmben, jo nga të huajt si dikur nga otomanët, por nga vet shqiptarët. Këto vlera kombëtare shekullore shqiptare sot kanë renë pre e një klase politike të shqiptarëve të shekullit 21, viktima të influencave të huaja politike, ekonomike dhe kulturore, për qëllime personale e partiake, që fatkeqësisht, po ndihmon në zbehjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve, vlera këto që Skënderbeu dhe familja e tij, mbrojtën me aq trimëri, atdhedashuri dhe devotshmëri. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre në trojet shqiptare, në Evropë dhe në mbarë botën, ku ata kujtohen, vlerësohen dhe nderohen për kontributin e tyre ndaj shtetformimit të kombit shqiptar dhe në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor.

Të fundit

më të lexuarat