
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i nisur më 2011, vazhdoi më 15 qershor 2021. Nuk pati asgjë për t’u çuditur, përveç asaj se pala serbe i dha atij një karakter të shfaqjes mediatike me stilin se „ai më tha“ dhe „unë iu përgjigja“. Dialogu nuk është çështje e dy apo tre politikanëve, por e dy shteteve që kanë probleme mes vetes dhe këto probleme duhet zgjidhur përmes bisedimeve.
Duhet të theksojmë se është gabim të themi se nga fillimi i bisedimeve e deri më sot nuk është arritur kurrgjë, por se janë bërë lëshime, nuk ka dyshim. Qeveria e re e Kosovës (mbase është edhe manovrim politik) e paraqet si një dialog të ri që fillon nga e para. Kjo qasje, gjithsesi (për mendimin tim) është e gabuar, sepse duhet të jetë vazhdim i dialogut, por duhet ndryshuar qasja ndaj bisedimeve. Shumë marrëveshje gjatë këtyre bisedimeve janë arritje pozitive për të dyja palët dhe nuk duhet filluar nga e para, por ato që janë tërësisht të papranueshme nga njëra palë duhet diskutuar, patjetër. Sidomos ato gjëra që janë në kundërshtim të plotë me kushtetutën.
Me gjithë respektin dhe autoritetin që gëzon kjo shumicë politike në Kosovë, nuk duhet filluar nga e para, sikur asgjë s’ka ndodhur. Vazhdimësia e politikës së jashtme tregon seriozitetin dhe pjekurinë e shtetit duke krijuar një bazë të drejtë dhe tipike të karakterit shtetëror.
Kur bëhet fjalë për marrëveshjet me shtetin serb, gjithmonë duhet pasur parasysh që të arrihet një marrëveshje e cila do të jetë në dobi të qytetarëve.
Marrëveshjet duhet të jenë fryt i mirëkuptimit dhe i vullnetit të mirë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të siguruar paqen afatgjate në këto hapësira. Ky dialog duhet shikuar si proces, jo si duel në mes të dy delegacioneve, proces i cili do të rezultojë me një marrëveshje pozitive për të dyja palët.
Këto marrëveshje duhen të konsiderohen të dëmshme dhe nuk duhet të ndodhin kurrë:
- Një marrëveshje që shtetin e Kosovës e bën jofunksional;
- Një marrëveshje që cenon dhe dëmton sovranitetin e Kosovës;
- Një marrëveshje që do të cenonte interesin e aleatëve tanë strategjikë;
- Një marrëveshje që krijon një konflikt të ngrirë;
- Një marrëveshje që destabilizon rajonin;
- Një marrëveshje që do të kishte pasoja negative për ekonominë dhe të ardhmen e vendit;
- Një marrëveshje që do të ishte diskriminuese dhe do të bëhej për “sy e faqe” vetëm për të përmbushur një objektiv të njërës pale;
- Një marrëveshje që do të mbante peng ardhmërinë e gjeneratave të reja.
Përfaqësuesit e Kosovës dukeshin më mirë të përgatitur se kurrë dhe në nivelin e detyrave dhe stimuluan dialogun, duke prezantuar agjenda dhe formate të reja për një marrëveshje. Ajo çka vihet re si pozitive është se nga fillimi po shohim një transparencë më të madhe sa i përket dialogut dhe një palë kosovare që duket e përgatitur dhe serioze në bisedime. Kryeministri Albin Kurti nuk tha asgjë çka nuk thonë perëndimorët, por pala serbe reagoi në mënyrë dramatike duke u orvatur të luajë rolin e viktimës. Pragmatizmi i palës kosovare e vuri në vështirësi palën serbe. Shtypi serb po vazhdon me avazin e vjetër antishqiptar, kurse kazanët në kuzhinat nacionaliste serbe po vlojnë.
Pala kosovare informoi përfaqësuesit dhe mbarë opinionin ndërkombëtar se politika shoviniste e Millosheviqit ndaj Kosovës po vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndërsa në krye të institucioneve serbe janë njerëz që kishin pozicione të larta edhe gjatë okupimit të Kosovës nga Serbia, siç janë: Vuçiq, Daçiq, Odalloviq, Angjellkoviq dhe të tjerët. Për herë të parë, kryeministri i Kosovës përcaktoi se kush është viktima dhe kush është agresori. Deri më tani, pala serbe ka luajtur rolin e viktimës, sikur diçka t’i ishte marrë me forcë dhe sikur NATO-ja ta kishte bombarduar Serbinë kot, pa ndonjë arsye.
Është shqetësues fakti që qeveria e re e Kosovës, me një opozitë të lodhur dhe të çorientuar, vështirë se mund të arrijë një konsensus të brendshëm shoqëror dhe politik mbi mundësinë e një dialogu me Serbinë. Opozita kosovare duket se ka problemet e veta. Jo vetëm që dëmton punën e qeverisë, por është gjithashtu shumë destruktive për sa i përket negociatave. Dështimet e tyre ia atribuojnë qeverisë së re. Ata nuk pajtohen me faktin që kanë humbur privilegjet dhe kështu kritikat ndaj pozitës, në vend që të jenë konstruktive, shkojnë deri në banalitet dhe bëhen qesharake. Sidoqoftë, populli i Kosovës nuk harron se kur LVV, që atëherë ishte në opozitë, gjuante gaz lotsjellës në Kuvend, shteti ishte i kapur dhe gazi ishte e vetmja mënyrë për të ruajtur vendin nga marrëveshjet e dëmshme dhe nga pushtetarët e korruptuar. Opozita kosovare duhet të pasurohet me fytyra të reja inteligjente dhe të pashantazhuara. Përveç LDK-së me kryetarin e ri, Lumir Abdixhiku, partitë e tjera vështirë se mund të bëjnë rolin e opozitës konstruktive.
Përparësi e kësaj qeverie është se kryeministri Kurti ka një legjitimitet politik të paprecedent. Kjo e fuqizon dhe e bën serioz deri në atë pikë sa të këtë mundësinë që të imponojë mbarëvajtjen e dialogut. Kërkesat e palës Kosovare duhet të trajtohen në një mënyrë koherente dhe transparente. Një qasje më parimore ndaj bisedimeve mund të bindë aleatët dhe miqtë e Kosovës për një forcim të procesit dhe një dialog ndryshe nga sa është zhvilluar deri më tani.
Gabimet e qeverive të mëparshme nuk mund të pranohen si të vetat, por edhe çdo fillim nga zero do të thotë gjendje “vendnumëro”. Dialogu kurrsesi nuk duhet ta ndalojë qeverinë që të vazhdojë rrugën për çkapjen e shtetit e sidomos ndaljen e gjakderdhjes financiare dhe korrupsionit në përgjithësi. Nëse në politikën e brendshme do të ketë sukses, atëherë edhe dialogu do të jetë më i lehtë dhe shpresëdhënës.
Kryeministri Kurti ka propozuar katër ide të reja për vazhdimin e dialogut. Kjo është një gjë pozitive se ky i fundit dialogun e ka marrë me seriozitet. Duhet shtuar se epilogu në fund të rezultatit është i vlefshëm, prandaj është shumë herët të japim ndonjë vlerësim pa u përfunduar ky proces, por një fjalë e urtë thotë se “dita e mirë shihet në mëngjes”.
Pavarësisht se si reagon delegacioni serb, delegacioni kosovar duhet të jetë i përgatitur dhe pragmatik për të adresuar çështje që janë jetike për të ardhmen e vendit. Kërkesat për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik, gjetjen e të zhdukurve dhe kërkesa për mos sulmim me shtetin serb janë jashtëzakonisht të qëlluara. Kjo e bën Kosovën një faktor stabilizues dhe një shtet serioz ballkanik në sytë e botës.
