Një lidhje dashurie ushtarake

Siç dihet, stërvitjet ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 21” të NATO-s, të drejtuara nga Ushtria Amerikane, janë në zhvillim e sipër. Në fillim të këtij muaji, në portin e Durrësit arritën një numër i madh kontejnerësh dhe kamionësh të mëdhenj në prag të stërvitjeve të forcave të NATO-s në Shqipëri dhe në rajon

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Zyrtarët amerikanë e cilësuan këtë përqendrim të mjeteve ushtarake amerikane dhe të NATO-s si më të madhin që është parë në bregdetin e Shqipërisë ç’prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas zëdhënësve amerikanë, këto stërvitje ushtarake (nga 17 maji e deri më 2 qershor) kanë për qëllim parandalimin e agresionit dhe ruajtjen e gatishmërisë operacionale të Aleancës Perëndimore të NATO-s. Në stërvitjet “Defender Europe 21” të këtij viti po marrin pjesë gjithsej 26 vende me pjesëmarrjen e 28.000 ushtarëve të kësaj force shumëkombëshe, aleatësh dhe partnerësh.
“Shqipëria është një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë përfitojnë duke u trajnuar së bashku, duke rritur ndërveprimin, duke ndërtuar gatishmërinë operacionale dhe duke forcuar marrëdhëniet – të gjitha këto mundësojnë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize, në çdo kohë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë,” citon VOA-shqip zëdhënsen, Tami Makenfus të kontingjentit të ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, me qendër në Gjermani.
Është mirë që me këtë rast të kujtojmë se si erdhi deri tek ky moment historik në marrëdhëniet ushtarake të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, fillimisht, dhe pastaj si anëtare e NATO-s. Megjithë rrëmujën politike të kësaj klase politike gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur neo-komunist në Shqipëri prej tri dekadash – fatbardhësisht kanë qenë dhe janë lidhjet ushtarake dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ato që të paktën, simbolikisht, e kanë mbajtur Shqipërinë të ankoruar në Perëndim, shpesh edhe përballë kërcënimeve nga udhëheqësit politikë shqiptarë se Shqipëria ka alternativa të tjera, duke lenë të nënkuptohet dhe duke aluduar për marrëdhëniet “historike” të Shqipërisë komuniste enveriste me Rusinë, Kinën dhe shtete të tjera autoritare, vende këto që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat që mbron NATO-ja, anëtare e të cilës është sot Shqipëria.
Merita për këtë moment historik të stërvitjeve “Defender Europe 21” nuk u shkon politikanëve aktualë dhe neo-komunistëve shqiptarë – jo se jo – por as të tjerëve që me “photo opps” nga platformat e anijeve ushtarake amerikane në Durrës, me dylbi në dorë sikur të ishin turistë, duan ta tregojnë veten si protagonistë kryesorë të këtij momenti historik në marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane. Jo, jo, merita për këtë moment në histori, siç tha më 3 maj edhe zëdhënësi i Pentagonit, z. Xhon Kirbi, u shkon atyre “Burrave dhe grave në uniformë dhe punës së tyre të shkëlqyeshme nga dita në ditë në rajon – veçanërisht në Ballkan dhe në zonën e Detit të Zi, si dhe në zonat operacionale të caktuara të Evropës dhe Afrikës”, theksoi zëdhënësi i Pentagonit. Unë do të shtoja se meritë për ketë ditë të shënuar shqiptaro-amerikane, kanë edhe ushtarakët shqiptarë të cilët, krah për krah, me forcat ushtarake amerikane dhe të NATO-s janë të përkushtuar dhe të betuar që të mbrojnë sigurinë kombëtare dhe vlerat e përbashkëta perëndimore, si ushtarë të një vendi anëtar të NATO-s.
Prandaj, në këtë eufori të këtij momenti historik – ndoshta deri diku edhe i justifikueshëm ia vlen të sjellim në kujtesë se si erdhi deri tek ky moment historik i stërvitjeve historike “Defender Europe 21” në Shqipëri, vërtetë një moment krenarie për të gjithë, sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan.
Në një shkrim me rastin e 9-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, botuar më 10 gusht 2018 kisha shënuar një historik të shkurtër të marrëdhënive ushtarake shqiptaro-amerikane se si dhe kur filluan ato. Pjesë nga ai shkrim i tre viteve më parë:
“Megjithëse njerëzit mund të kenë harruar, e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme nga ana e Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët, është pasqyruar dhe theksuar që në vitet menjëherë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, ç’prej fillimit. Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve, kryesisht, për arsye të problemeve të brendshme politike në Shqipëri, por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në fillim të 1990-ve, një proces ky që zgjati, por që më në fund kulmoi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.
Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhëniet me të cilin Uashingtoni i ka vlerësuar shumë. Që prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej një gjysmë shekulli nga regjimi komunist edhe Shqipëria, brenda mundësive të saj, e ka dëshmuar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkëpunimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Vizita e parë në Uashington e një ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e Safet Zhulalit dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të viteve ’90. Unë kam marrë pjesë si përkthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dyja palët biseduan në hollësi mbi gjendjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme dhe për bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.
Ishte tetori i vitit 1993 kur Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrëveshje të tillë. Si diçka e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh mosekzistencën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Uashingtonit – në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Uashington Post. “Marrëveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante gazeta Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 tetor në Tiranë është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Zhulali”, njoftonte në atë kohë gazeta e njohur e Nju Jorkut. Në marrëveshjen ushtarake shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjeruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.” Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm Sali Berisha, gjendej ato ditë në Uashington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes.
Jo vetëm që kjo ishte marrëveshja e parë ushtarake e Uashingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të anëtarësohej në NATO. Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të anëtarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior – NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.

Të fundit

më të lexuarat