Paraqitjet e mira me skuadrën e Deçiqit të sulmuesit Kristijan Vulaj i kanë rënë në sy përzgjedhësit të ri të Përfaqësueses së Malit të Zi, Miodrag Radulloviq, i cili e ka ftuar për tri ndeshjet e para kualifikuese për Kampionatin Botëror që do të mbahet vitin e ardhshëm në Katar.
Lajmin e kanë bërë të ditur nga KF “Deçiq”, duke e cilësuar këtë si një moment historik për këtë klub.
“Futbollisti ynë, Kristijan Vulaj, është ftuar nga përfaqësuesja e Malit të Zi. Njëherazi është shkruar historia; futbollisti i parë i Deçiqit në 94 vitet e fundit që ftohet në ekipin A të Malit të Zi”, shkruhet në njoftimin e klubit nga Tuzi.
Kristijan Vulaj ka zhvilluar të dielen mbrëma stërvitjen e parë me Përfaqësuesen e Malit të Zi. Futbollisti 23-vjeçar e ka cilësuar ftesën si momentin më të mirë në karrierën e tij.
Gjatë muajit mars, Mali i Zi do të zhvillojë tri ndeshje kualifikuese. Mbrëmë Mali i Zi ka luajtur si mysafir kundër Letonisë në Riga, ndërsa dy ndeshjet tjera do të presë në Podgoricë, Gjibraltarin, më 27 mars, dhe Norvegjinë, më 30 mars. Përpos këtyre ekipeve, në Grupin G janë edhe Holanda dhe Turqia.
Pas Fatos Beqirajt nga Peja e Kosovës, Kristijan Vulaj bëhet futbollisti i dytë shqiptar që aktivizohet me Përfaqësuesen e Malit të Zi.
(Kohapress)