Garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” kanë fituar tetë medalje, prej të cilave dy medalje të arta, dy medalje të argjendta dhe katër medalje të bronzta në edicionin e 10-të të Turneut ndërkombëtar në taekwondo “Zrenjanin Open”, që u mbajt të shtunën në këtë qytet të Serbisë.
Medalje të arta kanë fituar Medina Kanaqeviq dhe Bledar Kasimi, i cili me tri fitore ishte garuesi më i suksesshëm nga KT “Ulqini”, medalje të argjendta Sumeja Bisha dhe Edina Kraja, kurse medalje të bronzta Hava Malokraja, Sara Kraja, Merisa Malokraja dhe Enes Dushku.
Në turne kanë marrë pjesë 506 garues nga gjashtë shtete – Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa KT “Ulqini” është përfaqësuar me dhjetë garues.
“Duhet të jemi të kënaqur me pjesëmarrjen e madhe të garuesve duke pasur parasysh situatën me COVID-19. Këtë vit jemi të parët që organizojnë turne në rajon. Jemi të kënaqur që qyteti ynë është iniciator i garave në taekwondo dhe shpresoj që kjo të ripërtërihet, se do të fillojmë ta marrim veten dhe të ecim drejt së mirës”, ka deklaruar Sllavisha Periq, njëri prej trajnerëve të KT “Zrenjanin” dhe organizatorëve të turneut.
Taekwondistët kanë garuar në lufta dhe forma, në kategorinë e pionierëve, kadetëve dhe juniorëve.
(Kohapress)