Klubi i Futbollit “Jezero” nga Plava, anëtarë i re e “Telekom” Ligës së Parë të Malit të Zi, përgatitjet për vazhdimin e kampionatit i filloi të shtunën, më 16 janar 2021, në Podgoricë. Plavjanët, për shkak të reshjeve intensive të borës në veriun e Malit të Zi, tetë ditët e para të përgatitjeve do t’i kalojnë në Podgoricë, ndërsa stërvitjet do t’i kryejnë në terrenet në Aeroportin e Vjetër (Stari Aerodrom).
Trajneri i skuadrës, Millija Savoviq, i shoqëruar nga kryetari i këtij klubi, Ervin Toshiq, dhe bashkëpunëtorë të tjerë, në deklaratën për media konfirmoi se për shkak të kushteve të pavolitshme atmosferike në Plavë, nga reshjet e dendura të borës, përgatitjet i fillojnë me vonesë të vogël prej ca ditësh. Mirëpo, siç ka theksuar ai, zgjidhjen e kanë gjetur duke i filluar ato në Podgoricë, falë ndihmës së miqve të sportit, KF “Buduqnost” dhe Federatës së Futbollit të Malit të Zi, të cilët u kanë mundësuar që stërvitjet t’i bëjnë në terrenet e tyre.
Kështu, në Podgoricë do të stërviten deri më 23 janar, ndërsa dy ditë më vonë do të shkojnë në Budvë, ku do të kryejnë pjesën e dytë të përgatitjeve.
Ai në vazhdim ka theksuar se fillimi i stërvitjeve do të ketë ndryshim të vogël në përbërjen kadrovike të lojtarëve të skuadrës, në krahasim me atë që ka luajtur në pjesën e parë të kampionatit. Ca lojtarë me minutazhë të vogël loje (5 sish) kanë marrë letrat, ashtu që në gjysmësezonin vijues do të mund të bëhen pjesë e ndonjë klubi tjetër, kurse do të përtërihet me dy lojtarë të rinj: me pjesëtarin e ri të Malit të Zi – bonus lojtarin, Petar Vukoviq, dhe me Mamadu Mendin, nga KF “OFK Titograd”, i cili skuadrës do t’i bashkohet së shpejti. Me skuadrën është edhe argjentinasi Denis Brizuela, i cili vjen nga Liga e Dytë e këtij shteti. Skuadra përgatitjet në Podgoricë i ka filluar me 20 lojtarë.
Përndryshe, gjatë kohës së përgatitjeve janë caktuar edhe katër ndeshje miqësore: më 23 janar me KF “Podgorica”, më 29 janar me KF “Sutjeska” nga Nikshiqi, pastaj me “Rudarin” nga Plevla, të tri anëtare të “Telekom” Ligës së Parë Futbollistike të Malit të Zi, dhe në fund me KF “Mornar” nga Tivari, anëtarë i Ligës së Dytë Futbollistike të Malit të Zi.
Shaban Hasangjekaj