Podgoricë – Federata e Taekwondosë së Malit të Zi ka ndarë të hënën çmimet për sportistët dhe klubet më të mira, të cilët kanë shënuar vitin 2020.
Po ashtu u janë ndarë mirënjohje edhe klubeve për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të taekwondosë gjatë vitit të kaluar, që u karakterizua nga kushtet e vështira për shkak të pandemisë.
Klubit të Taekwondosë “Ulqini” i takuan tetë çmime për sportistë, si dhe mirënjohja për klubin për angazhim gjatë këtij viti të vështirë.
Nga ky klub, çmime kanë fituar garuesit Amella Nuti – sportistja më e suksesshme në kategorinë e pioniereve, Bledar Kasmi – sportisti më i suksesshëm në kategorinë e pionierëve, Medina Kanaqeviq – seniorja më e suksesshme në disiplinën e formave, Dion Mustafa – juniori më i suksesshëm në disiplinën e formave, Amra Dushku – kadetja më e suksesshme në disiplinën e formave, ndërsa Sara Kraja, Merisa Malokraja dhe Arta Ismailaga për pjesëmarrje të suksesshme në Kampionatin Evropian. Po ashtu Klubit të Taekwondosë “Ulqini” i është ndarë mirënjohje për kontribut dhe zhvillim të sportit në kushte të vështira gjatë vitit 2020.
Në deklaratën për shtyp, KT “Ulqini” ka falënderuar komisionin pranë Federatës së Taekwondosë së Malit të Zi për vlerësimin e këtij klubi dhe garuesve të tij.
(Kohapress)