Universiteti i Malit të Zi ka bërë të ditur se ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores mbi njësimin e kualifikimeve të fituara në institucionet e huaja të arsimit të lartë me kualifikimin e nivelit të arsimit në këtë universitet.
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me mënyrën e dorëzimit dhe përpunimit të dokumentacionit në procesin e njohjes së kualifikimeve.
“Konkretisht, qytetarët e Malit të Zi, dokumentet e të cilëve janë lëshuar në gjuhët që janë në përdorim zyrtar në Mal të Zi, nuk do të jenë më të detyruar që vetë të sigurojnë dhe bëjnë përkthimin e dokumentacionit”, thuhet në këtë njoftim.
Për qëllimet e kësaj procedure, përkthimi do të sigurohet nga Universiteti i Malit të Zi duke punësuar një përkthyes të autorizuar që përmbush kushtet e përcaktuara.
“Me lirimin e kandidatëve nga detyrimi për t’i dorëzuar dokumentet e përkthyera afirmohen edhe më tej të drejtat kushtetuese të qytetarëve, zvogëlohen pengesat administrative dhe përmirësohet efikasiteti i procesit të njësimit të kualifikimeve të huaja”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Malit të Zi.
Ndërkaq, për dokumentet e lëshuara në gjuhët tjera, edhe më tutje do të jetë i domosdoshëm dorëzimi i dokumenteve të përkthyera, në pajtim me rregulloret në fuqi.
Nga ky ndryshim i Rregullores së Universitetit të Malit të Zi pritet të përfitojnë edhe studentët shqiptarë në Malin e Zi, të cilët studimet i kanë kryer në gjuhën shqipe – në Shqipëri, Kosovë apo vende tjera të rajonit.
Ky akt është përshëndetur nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Malin e Zi, të cilët e kanë vënë theksin në kontributin e tyre për këtë ndryshim në Rregulloren e Universitetit të Malit të Zi mbi njësimin e kualifikimeve të fituara në institucionet e huaja të arsimit të lartë.
(Kohapress)
