Për të tretin vit me radhë, nga data 12-16 qershor 2026, në Ulqin është mbajtur Simpoziumi ndërkombëtar i artit “Dulcigno Inspiration”, i cili këtë vit ka tubuar 30 artistë nga 17 vende të botës.
Organizatoret e këtij simpoziumi, piktoret Vahida Nimanbegu dhe Mersiha Resulbegoviq – Mavriq janë shprehur të kënaqura që kanë arritur të organizojnë edhe një edicion të këtij simpoziumi.
Ato kanë falënderuar për mbështetjen Organizatën Turistike të Ulqinit, Komunën e Ulqinit dhe të gjithë që i kanë ndihmuar.
Në kuadër të simpoziumit, të hënën mbrëma (15 qershor 2026), në galerinë Kulla e Balshajve në Kalanë e Ulqinit është hapur ekpozita me punimet e realizuara nga piktorët gjatë qëndrimit të tyre në Ulqin.
Në emër të artistëve pjesëmarrës në simpozium, të pranishmëve iu është drejtuar piktorja nga Gjermania, Dorothea Fleiss.
Ajo ka thënë se kjo javë ka qenë më tepër se një periudhë e krijimit artistik.
“Ka qenë një periudhë e reflektimit, shkëmbimit artistik dhe dialogut kulturor. Punimet e krijuara gjatë simpoziumit artistik qëndrojnë si testament i fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe bukurisë që artistët kanë gjetur në këtë vend”, ka thënë artistja gjermane.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë se ne duhet të promovojmë jo vetëm vlerat tona natyrore, por edhe vlerat kulturore.
“Kështu që ky simpozium është rrjetëzim ndërmjet artistëve dhe shpresoj rrjetëzim ndërmjet vendeve nga ata vijnë. Kultura është pjesë e jetës dhe besoj që me këtë promovim vazhdojmë ta udhëheqim qytetin tonë në hartën botërore të qyteteve të kulturës, artit, por edhe qytet i cili është i hapur për të gjithë mysafirët”, ka thënë ai, ndër të tjera, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.
Artistët pjesëmarrës i ka përshëndetur edhe Arbër Haxhibrahimi nga Organizata Turistike e Ulqinit.
Programi është shoqëruar edhe me valle nga SHKA “Olcinium” dhe disa pika instrumentale në violinë dhe flaut nga nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit në Ulqin.
Krahas krijimtarisë artistike, simpoziumi ndërkombëtar i artit promovon shkëmbimin kulturor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe afirmon Ulqinin si qytet i artit, kulturës dhe me histori mbi 2500-vjeçare.
i. k.
