Udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, është zgjedhur anëtare e Këshillit Drejtues të Shoqatës së Bibliotekarëve të Malit të Zi, për periudhën 2026-2028, në Kuvendin e rregullt që është mbajtur më 3 qershor 2026, në Bibliotekën Kombëtare të Malit të Zi “Gjurgje Crnojeviq” në Cetinë.
Në deklaratën për media të Bibliotekës së Ulqinit, zgjedhja e Ramës cilësohet si një vlerësim i rëndësishëm për angazhimin dhe kontributin e saj në zhvillimin e veprimtarisë bibliotekare.
“Ky përfaqësim dhe kjo zgjedhje përbëjnë një sukses të veçantë për Bibliotekën tonë dhe një dëshmi të rolit aktiv që institucioni ynë ka në avancimin e bibliotekarisë në Mal të Zi”, thuhet në deklaratë, duke nënvizuar se ajo do të përfaqësojë me dinjitet Bibliotekën e Ulqinit në një nga organet më të rëndësishme profesionale të bibliotekarisë në vend.
Në Kuvendin e rregullt të Shoqatës së Bibliotekarëve të Malit të Zi kanë marrë pjesë bibliotekarë nga i gjithë vendi, si dhe përfaqësues të institucioneve kulturore dhe mediave, ndërsa Biblioteka e Ulqinit është përfaqësuar nga delegatet Ardita Rama dhe Lindita Shurdha.
Gjatë punimeve të Kuvendit u zgjodhën organet e reja drejtuese të Shoqatës së Bibliotekarëve të Malit të Zi për mandatin 2026-2028, ku kryetare është zgjedhur Dragana Markoviq, ndërsa detyrën e sekretares do ta ushtrojë Natasha Shpadijer.
Nga Biblioteka e Ulqinit kryesisë së re të Shoqatës së Bibliotekarëve të Malit të Zi i kanë uruar punë të mbarë, suksese në realizimin e objektivave të saj dhe rezultate të frytshme në forcimin e bashkëpunimit profesional dhe zhvillimin e mëtejshëm të bibliotekarisë në Mal të Zi dhe më gjerë.
(Kohapress)
