Poezi

Ali Gjeçbritaj

HISTORI E GABUAR
E shkruat historinë
Me gënjeshtra të përdredhura
Ma shpërlatë trurin tim dikur
Të vërtetën s’e mësova
Nga ju kurrë.
Sot paftyrësia juaj
Barazohet me vetë plehrat
A ju huton pafytyrësia e djeshme?
Apo ende s’u skuqen faqet?
Ma vodhët të shkuarën
Ma vure në peshojë
Rëndë më ofendove
Më le edhe pa gojë.
Sot më erdhi zëri
M’u hap goja, do të flas
Deri në kupë të qiellit
Zëri im të kumbasë
Me sa zë kam
Unë do bërtas
Shpatullat e mia
S’mi shtrinë dot përtokë sot.

KËRKESË ABSURDE
Dua të udhëtoj larg, sa më larg
Të fluturoj përtej detit me aeroplan
Të marr trupin tim të nxirë
Me ahengun e dasmës pa nuse.

Dua të lundroj larg, sa më larg
Me barka velbardha me fuqi ere
Të marr nuse pa dasmë me tupan
Me ahengun e muzgut të lagur.

Dua, dua e vetëm dua, sa më larg
Në udhëkryqet e botës mjegullnajë
Të gjej motet e hijeve të rëna
Me ahengun në mesnatën prush.

Dua e çka nuk dua në shekullin e ri
Hartën e globit ta mbaj në pëllëmbë
Rrjedhën e lumenjve ta drejtoj me gishta
Me ahengun e kohës moderne.

Dua, dua e çka unë sot nuk dua
Vërdallë u solla duke kërkuar
Pa asnjë kurorë pa ahengje
Mbeta beqar pa u martuar fare.

HESHTJA IME
Heshtje, heshtje e vetëm heshtje
Ec e hape gojën po deshe
Antena e televizorit veshur me heshtje
Kah Taraboshi më rrin.

Heshtje gjithandej dikur
Gojë mbyllur, kyçur me dry
Dyer druri në heshtje
Rebeluar në gur e mur.

Mbështetur në heshtje
Në trupin tim të hollë
Plagë dhembjeje e krimi
Rrokullisen nëpër këmbë.

Çfarë mëkati bëra nuk e di
Pafajësinë e dëshmova me heshtje
Antenat drejtuar kah qielli
Luten gjithë ditën për drejtësi.

AJO
Dikur anash i hapte kapakët e drunjtë të dritares
Mbështetur mbi duar gjysmë lakuriqe në pragun e gurtë
Me gjinj të fryrë si shalqinj me aromë ftonjsh vjeshtorë
Mallkova në moment Omer Khajamin dhe vargun e tij.

Ajo sot me pëshpëritje ledhatuese përshëndet kalimtarët
Në mesin e tyre edhe unë sot rrugëtoj në heshtje
Nuk e di a më vuri re në mes turmës si dikur nga dritarja
Në rrugët kalldrëme të qytetit te kroi i lotëve tash ka dalë
Të mbushë ujë me poçin e ujit në dorë mbushur me mall.

Tash ka rënë muzgu dielli në perëndim pas malit iku
Nga hëna e plotë vetëm një hark i kthyer kah deti ka mbetur
Stina e shirave vendin ngrohtësisë e vapës së verës ia ka zënë
Ajo lundron flokëthinjur në detin e hapur në ëndrra
E unë në kohë lakuriq fundosem në kujtime moshe.

MOMENT
E dua pa fjalë gurin në mur
E trarin e nxirë nga tymi i zjarrit
Mbrëmjen e dimrit me borë
Shtrirë në hapësirë kurorë.

Ah sa mirë kur isha shumë i ri
M’u duk se kisha gjithë botën
Krahët e mi bënin gjimnastikë
Shpatullat e mia kalë shalimi.

Ikën motet në ballë dolën rrudha
Në heshtje sa shpejt ikin vitet
Edhe lisi në ograjë u plak
Moment hitie në shpirtin tim

Asgjë nuk flas para flijimit
E kotë larja në liqenin tim
Dreq o punë as zjarri nuk ngroh
Nuk u shemb kulla as guri
Moment hitie e trupit tim.

LISI
Sa i lartë u rrite, qiellin kape me dorë
Kur ti prenë rrënjët mbijetove
Kur ti këputen degët shumë lëngove
Sopatën kur ta vunë përtokë të rrafshuan
Lot e vuajtje në xhaketën e varur
Në trungun tënd mriz i zanave
Dheu që shkela këmbëzbathur
Në hijen e dikurshme rrjedh loti
Degët e thara rrinë pezull mes valës
Në një pyll që ngadalë po kalbet
Unë rreth vetes kërkoj i pashpresë
Përmes rrufeve të kohëve që ikën
Freskinë e dikurshme dhe dritën e syve
Unë tash po iki i dëshpëruar pa fund
Më këtu nuk dua të kthehem kurrë
Nën kurorën tënde thurëm ëndrrën
Kurorë me degë ulliri e pendë pëllumbi
Ligështia e tjerëve na i preu shpresat
Ashtu si sëpata trupin tënd tinëzisht

RRUGË TË BRAKTISURA
Një mijë e një shkallë deri te pesë ublat
Një mijë e një hapa deri te pusat e shterur
Rrugë të braktisura pa kalimtarë
Karvane të plakura me kuaj pa shalë.

Mrize pa grigja, pa ogiç, pa këmborë
Grigjë pa barinj, pa fyej, pa zumare
Lumenj të shterrrur pa ujë të tharë
Kullosa të djegura pa gjethe, pa bar.

Maja bjeshkësh pa bardhësi bore
Shpate malesh pa madhështi kurore
Rrokaqiej mjegullnajash si në fallnamë
Rrugë që braktisëm me duar e me këmbë.

Zbres te bregliqeni shkallë për shkallë
Vanet janë braktisur, s’ka lundërtarë
Barkat janë mbytur, s’shoh as peshkatarë
Rrjetat e zbrazura lundrojnë përmbi valë.

Shtëpi të braktisura pa fëmijë duke qarë
Mure me shpatulla pa ngjyrë të bardhë
Lisa të lartë pa zogjtë këngëtarë
Ara të papunuara, vaji me të marrë.

Një mijë e një shkallë brenda shpirtit tim
Një mijë e një shkallë në trupin e brishtë
Nga maja e shkallës një mijë e një fjalë
Shikoj liqenin, ndiej në sy shumë mall.

Për vendlindjen time kam shumë nostalgji
Shpirti im atje një ditë do të gjej freski
Mbushur me frymëzim këtu s’kam qetësi
Një mijë e një shkallët i drejtoj kah ti.

SHI
E gjithë hapësira mbuluar me mrrolje
Hajt e merre vesh çfarë do ndodhë sonte
Do vijë dritë apo ringjallje e kotë
Asgjë nuk di unë as mjegulla që vlonte.

Në çast u zhyta me shpejtësi në kohë
Kërkova gjurmë në moçalet e ndotura
Unë djalë në të pesëdhjetat e shekullit njëzet
Në mjegullnajën e hapësirës sikur u treta.

Do vijë një ditë besova se do hapim sy e veshë
Do vijë e gjithë bota në heshtje me shpresë
Me shiun e verës do ndërtojmë lapidare
Sot brezi im po hap derën e botës së madhe.

BORË
Nëpër rrugët marramendëse nëpër rrah
Koha me hapësirën krah për krah
Çajnë me gjoks rrugëtimin me vrap
Pa kolonë udhëtarësh pa pushkë në krah

Gjurmë lashtësie në rrugë monopatesh
Kah Mali i Gjanë e shpatet e Rumisë
Në majë të Shkallës shkruan historinë
Karvane me drithë e arka me flori

Borë gjithandej kah Shtegu i Vashës
Në qafë mali na pret mullizeza
Qielli mbi kokë më rrinte para syve si sot
Vraji ata që shkelen bardhësinë o Zot

POETI PLAK
Dy vargje lirike sonte i thura
Zemra thonë s’u plakka kurrë
Jam kthyer pas shumë në kohë
Kur në kokë kisha shumë flokë.

Grave që pinin kafe me lezet
Vargjet ua lexova sikur poet
Ik or plak matuf gruaja bërtet
Trutë në qafë të kanë rënë haj medet.

Unë sot Ju s’kam gjë tjetër t’u qerasë
Përveç këtyre vargjeve të ëmbla mjaltë
Ik ore se na prishe muhabetin thanë
Eh sa keq që më erdhi edhe ky vakt.

(Poezi nga përmbledhja
në dorëshkrim “KOHË”)

Të fundit

më të lexuarat