Kur Prishtina priti mendjen e Ulqinit

Libri analizon në mënyrë krahasuese tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Kili, duke shqyrtuar njëkohësisht fenomenin e së ashtuquajturës “intuitë inxhinierike”: ajo aftësi e rrallë që sot, kur inteligjenca artificiale po ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën e vendimmarrjes njerëzore, duhet të mbetet, sipas Llunjit, “modus operandi” i çdo inxhinieri të ndërgjegjshëm dhe jo vetëm

Ka ngjarje që i kapërcejnë kufijtë e protokollit dhe shndërrohen në diçka krejt tjetër: në takim frymësh, në bashkim identitetesh, në dëshmi të gjallë se dija shqiptare nuk njeh kufij administrativë. Promovimi i librit të fundit të inxhinierit të shquar Mentor Llunji “Reflections on Seismic Design: An engineer’s view beyond the code”, i mbajtur të mërkurën, më 20 maj 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ishte pikërisht një ngjarje e tillë.

Libri dhe autori
Mentor Llunji nuk është një emër i ri në botën e arkitekturës sizmike. Fitues i çmimit vjetor të Dhomës së Inxhinierëve të Malit të Zi, librat e tij të mëparshëm në fushën e projektimit sizmik kanë bërë rrugën e tyre gjer në kurrikulat e universiteteve më prestigjioze të botës.
Libri i tij i parë ndodhet sot në Milano si pjesë e materialeve mësimore të atij institucioni, një fakt që dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Mr. Visar Krelani, i shërbeu si pikënisje e fjalimit të tij frymëzues.
“Mentori vjen nga provinca, por ka zbërthyer një lëmi që kolegët e tij e kishin lënë thuajse të paprekur”, u shpreh ai.
Kjo e bën atë, sipas Krelanit, një “sui generis” të vërtetë të inxhinierisë bashkëkohore.
Libri i gjashtë i Llunjit, i cili vjen pas pesë veprave themelore të fushës: “Towards a New Engineering”, “Towards a New Era”, “Seismic Architecture”, “Aseizmičko projektovanje / Arkitektura sizmike”, “Roli i arkitekturës në strukturat sizmike”, analizon në mënyrë krahasuese tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Kili, duke shqyrtuar njëkohësisht fenomenin e së ashtuquajturës “intuitë inxhinierike”: ajo aftësi e rrallë që sot, kur inteligjenca artificiale po ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën e vendimmarrjes njerëzore, duhet të mbetet, sipas Llunjit, “modus operandi” i çdo inxhinieri të ndërgjegjshëm dhe jo vetëm.

Rrethanat dhe rëndësia e promovimit
Promovimi u zhvillua në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi, një kontekst që i shtoi ngjarjes një shtresë të veçantë kuptimi.
Kryetares së ASHAK-ut, akademikes Justina Shiroka – Pula, i takoi nderi të hapte këtë promovim, dhe ajo e bëri me një përkushtim të veçantë dhe me ngrohtësinë e mikpritjes gjithëpërfshirëse ndaj autorit Llunji, i cili pati guximin të shkruajë këtë libër të mirëpritur, i frymëzuar nga tërmetet vrasëse në Turqi dhe Kili.
Llunji rrëfeu me sinqeritet se në pesëmbëdhjetë vitet e publikimit të librave të tij, ky ishte promovimi i parë që ai bënte. Kjo dëshmon shumë: jo vetëm modestinë e njeriut, por edhe rrugëtimin e çuditshëm të dijes shqiptare, e cila mund të arrijë Oksfordin dhe Politeknikun e Milanos pa kaluar asnjëherë nëpër sallat e vendit të vet.

Pse Prishtina dhe pse tani?!
Nuk ishte rastësi që autori zgjodhi Prishtinën si vend të promovimit të tij të parë. Ai i kreu studimet në Universitetin e Prishtinës, institucion që ai e vlerëson kur bëhet fjalë për çështjen e statikës në Fakultetin e Ndërtimtarisë, si superior ndaj atij të Podgoricës. Ky besim i thellë ndaj tokës dardane solli mes publikut një numër të konsiderueshëm ulqinakësh të cilët janë tashmë pjesë e pandarë e jetës kulturore e profesionale të Prishtinës, prania e të cilëve na bëri krenarë të gjithëve.
Mes të pranishmëve veçoj historianin Frashër Demaj dhe akademiken e pamposhtur Zake Prelvukaj, emra që vetë prania e tyre dëshmon për peshën kulturore të ngjarjes. Ndërkohë, konsulli i nderit i Malit të Zi, Gazmend Abrashi, i cili vetë ushtron profesionin e ndërtimtarisë, i frymëzuar nga fjalimi i Llunjit dhe nga dashuria e tij e dukshme ndaj sizmikës arkitektonike, e ftoi autorin të udhëzojë inxhinierët e tij rreth përfshirjes së ideve bashkëkohore në ndërtimin e sotëm. Ishte një moment i rrallë: dija e librit duke kaluar drejtpërdrejt në praktikë, pa ndërmjetës.

Rrugëtimi nga Ulqini –
miqësi e dy dekadave
Me Mentorin, inxhinierin e statikës, na lidh Ulqini dhe një miqësi që i kalon dy dekada. Ndaj nuk kishte se si të mos e pranoja ftesën e tij për të qenë pjesë e rrugëtimit nga Ulqini drejt Prishtinës, më 18 maj 2026, bashkë me grupin që inicioi themelimin e Librarisë në Ulqin (2021): ambasadorin fuqiplotë të Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj dhe Marian Shkrelin, i cili nuk ishte rastësisht i pranishëm, duke qenë se ai e faqosi librin e fundit të Llunjit.
Polici në kufi, kur na i pa letërnjoftimet, nuk e shuajti dot habinë.
“Të gjithë shqiptarë?!” – tha ai.

  • Po! – thamë ne, njëzëri.
    Ai buzëqeshi dhe tha thjesht: – Kaloni!
    Zemra na u bë mal. Është një ndjenjë e posaçme ajo që kemi për Kosovën dhe ajo për ne. Udhëtimi na u duk i shkurtër, mbasi edhe bisedat ndërmjet shokëve e shkurtojnë disesi rrugën.

Nën kujdesin e ambasadorit Çobaj
Nën organizimin cilësor të ambasadorit Bernard Çobaj dhe fjalëve të tij të dala nga zemra, erdhi edhe momenti kur Mentori rrëfeu pse ky libër u jetësua dhe cilat ishin sfidat që ai i preku brenda tij. Rrëfimet e tij të gjalla e mbanin vëmendjen e çdo të pranishmi – akademik apo jo. Intuita, sipas Llunjit, është diçka që nuk mund ta zëvendësojë asnjë algoritëm: në një kohë kur IA po zvogëlon margjinat e kohës dhe vendimmarrjes, ajo duhet të jetë “modus operandi” e çdo inxhinieri.
Kur fjalimi hyrës mbaroi, publiku i entuziazmuar pati rastin të bënte pyetje dhe dialogu u zgjat me kënaqësi, sepse Mentori është njeri që flet dhe dëgjon me të njëjtin seriozitet.

Epilogu i gjatë – kthimi me shije
Promovimi mbaroi me një koktej të bukur dhe i kaloi pritshmëritë e veta, jo vetëm se ishte i organizuar mirë, por sepse Mentori ishte në shtëpinë e tij. Kosova di t’i presë bijtë e vet.
Ne u kthyem drejt Ulqinit tonë me atë shijë të ngritur që të lë një takim i vërtetë me dijen, me miqtë dhe me atdheun.

Sami Flamuri

Të fundit

më të lexuarat