Poezi

Ali Gjeçbritaj

NA THONI DIÇKA ZONJË
(Agolliane)

Na thuaj diçka zonjë, na thuaj diçka
Nga çanta që mban në krah
Na gëzo me diçka zonjë me buzëkuq
Si fëmija që përkëledh nënën në gushë
Flisni diçka zonjë me këpucë me taka
Na u plas shpirti, na dogji vapa
Na falni diçka zonjë, na falni diçka
Koha iku, ajo nuk kthehet më
Ju zonjë me çantë në krah
Me buzëkuq në buzë e këpucë me taka
Dielli në perëndim iku, na zuri nata.

VALLE MOTESH
Hapat hidhen, dyshemeja pëlcet
Sa herë sillen rrotull në rreth
Kush kërkon leje pushimi
Valles sonë s’do t’i prijë kurrë.

Në mes trualli kaltërsi qiellore
Hënë e plotë me shami në dorë
Prijësi në valle këngën lindi
Si rrjedhë uji nga burimi.

Shamitë e japin alarmin
Vallja jonë rrugën vazhdon
Ngjyrë kostumi, kohë rrotullimi
Nga moti i lashtë me gajtanë tirqish.

Shamibardha prin si rrezja
Gjithësinë e ndez me flakë
Pas saj me larmi hyjnë vitet
Në kupë të qiellit zëri ngritet.

PASHË E S‘PASHË
Çfarë po më shohin sytë
Çfarë po më dëgjojnë veshët
Thyen xhamat me gurë
Gozhdën e vejnë në mur
Për të varë fytyrën e sëmurë
Në kornizën me unazë
Zot na ruaj, sot çfarë pashë.
Në ekrane lakuriqësia
Bashkëkohore thotë marrëzia
Derri i egër në foçkë ka vënë
Klarinet e saksofon
Pëllet këngëtari gomari
Kësaj i thonë muzikë për së mbari.

NË RRUGËTIM PËR NË KALA
Qilim i shtruar me ngjyrë motesh
Ëndrrat s’u zbehën kurrë në kohë
Lundrim shekujsh, vargonj kujtimesh
Asnjëherë s’e ndalen rrugëtimin.

Që të vijnë ditët kaq të bukura si sot
Shekujt na shtruan sofrën me bujari
Rrugëtimet e mia vijnë kaq bukur
Tokë e shkelur nga gjurmët e mia.

Sot janë zhdukur përbindëshat e kohës
Rrugëtimet në udhët e lashtësisë
Janë bërë si kroi burim i madhështisë
Në bedenet e kalasë gjeta derën e shtëpisë.

KOSOVË
Kosovë, nënë e dytë e imja
Më përkunde në djepin e kohës
Nëna gjuhën, ti zërin e rritën
Kosovë, gurrë, ujë i pashterur
Më shove etjen me ujë burimi.

Kosovë, djep i gjuhës sime
Sa shumë forcë pate në vete
Më fale gjithçka nga jeta jote
Zemrën me nektar ma mbushe
Më bëre mal në hartën e botës.

Sa e madhe puna jote Kosovë
Durimmadhe, zemërgjerë
Asgjë për vete, shumë miq bëre
Sot në ditën e bekuar nuk derdhi lot
Dhembje nuk kam, as rënkim jo
Thure vetëm lavdi, zanë mali.

Faleminderit Kosovë, më mbajte në zemër
Faleminderit zonjë e madhe, më dhe emër
Faleminderit durimmadhja jonë
Më bëre qytetar të kësaj bote
Zemërhapura, besnikja ime Kosovë
Më mbushi me forcë bujaria jote.

PLAGË
Plagë që flasin
është gjaku yt
Kosovë
sa shumë qava atë ditë
zëri m’u mbyt
në pellg gjaku
në Reçak
Kosovë
shpirti yt i madh
duron
ka vend për krenari
sa shumë gjak
u derdh atë ditë
në Reçak
tokën dardane
kufijtë s’e ndajnë
me gjirin tënd
janë ushqyer zanat
ora e maleve
e zemrat e trimave
Kosovë
munde
ndërgjegjen e përgjumur
të botës mizore
liria hapi krahët
përqafoi dheun tënd
Kosovë

KU JANË YJET
Dielli ngadalë po perëndon
Në horizont errësira ka nisë të bjerë
Fundi i një dite po afron
Ku janë sonte në qiell yjet?

Vjeshtë e brishtë ku je nisë
Më trego si do jetë koha nesër
Shiu u zgjua nga gjumi
Ku janë yjet që nuk ndrijnë?

Në prag mesnata afrohet
Pandeha veten mbushur me musht
Vjeshta kësaj here vazhdoi rrugën
Yjet s’po duken askund.

NA PRET NËNA
Rri e ulur pranë oxhakut
Me mashë gacat përpushë
Ngrohtësi i jep votra
Nënë, pranë zjarrit je gjithë bota.

Gështenja të pjekura në prush
Me fiq të tharë xhepat na mbushë
Nëna pranë oxhakut ulur
Prapë na pret si dikur.

Ky zjarr, ky prush, ky oxhak
Na ka rritur, na ka dhënë gjak
Nëna pranë oxhakut plak
Na pret të kthehemi me vrap.

Na pret nëna me krahë hapur
Sofër shtruar me bukë e zemër
Ta mbysim zbarazëtirën e saj
Nënë, më i bukuri emër.

UNË JAM EVROPIAN
Kam lindur heshturazi
Në muajin e dytë të pranverës
Atë ditë kur lulëzuan qershitë
Në prillin e shekullit njëzet
Diku reth vitit të atëhershëm
Mbase të pesëdhejtë e tretë
Më regjistruan me datën një
Emrin ma vunë të gjyshit Ali
Në shqip më duket se lexohet
Bujar apo bujari, saktësisht nuk e di.
Thonë se kur linda gur dhe dru u gëzuan
Po pse, me të drejtë do të thoni ju
Përgjigjen më të saktë të zyrtarit
Do ta merrni kush të jetë i pari
Në librin e lindjeve shënoi ditëlindjen

Emrin e nënës dhe të babait tim
Babai më pagëzoi, nëna shqip më foli
Posa hapa sytë në vesh më pëshpëriti
Evropian do jesh biri im
Sado që mendoni se jam oriental
Unë s’e ngre zërin, as nuk bërtas
Arbërisë ndër shekuj Evropa i vjen pas
Ndër mote kemi qenë evropianë
Të tillë janë shqiptarët anekënd

Të fundit

më të lexuarat