Ekspozita në fjalë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, me seli në Shkup dhe e Arkivit Qendror të shtetit shqiptar.
Ekspozitën, në mënyrë solemne e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, i cili në fjalën përshëndetëse vuri në dukje rëndësinë e kësaj ekspozite.
“Për ne është nder dhe kënaqësi, e besa edhe krenari, që sot në mesin tonë kemi të hapur një ekspozitë të njërës nga figurat më të ndritura në historinë e kombit tonë”, tha Hasangjekaj
Ndërkaq, drejtori i Arkivit vendor të Shqipërisë, z. Lorenc Agalliu, në fjalën e vet të rastit, përshëndeti gjithë të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrje dhe interesim të shprehur për të vizituar ekspozitën e hapur, të përgatitur dhe organizuar në bashkëpunim me Mehmet Prishtinën, bashkëpunëtorin e ITSHKSH-së, me seli në Shkup, dhe njëherazi përfaqësuesin e familjes së Hasan Prishtinës, ekspozitë kjo që ofron me shumë dashuri dhe përkushtim nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë. Drejtori Agalliu theksoi se ekspozita në fjalë ka shëtitur në disa qytete të trojeve shqiptare, në Tiranë, Shkup e Ulqin, në orët e paradites së sotme në Tuz, e sonte edhe në Guci, në vendin, siç tha ai, ku janë të thella rrënjët e shqiptarëve.
Pasardhësi i familjes së Hasan Prishtinës, z. Mehmet Prishtina, në fjalën përshëndetëse rikujtoi sakrificat e Hasan Prishtinës , i cili në momentet më të vështira gjeti strehim në këto treva.
“Në momentet më të vështira të jetës së tij, kur ndiqej nga forcat revizioniste që nuk kishin interesin ta mbanin tërësinë e Shqipërisë Hasan Prishtina gjeti strehim këtu” tha ai.
Ekspozita e shpalosur argumenton disa copëza udhëtimesh jetësore e politike të Hasan Prishtinës, dhe kjo ndoshta mjafton që të krijohet një përfytyrim më i përafërt mbi imazhin e këtij udhëtimi, i cili ka qenë i mbushur me ngjarje dhe ide, në të cilat Hasan Prishtina ka qenë protagonist kryesor.
Në fund, pasardhësi i familjes së kolosit shqiptar Hasan Prishtina, z. Mehmet Prishtina, u shprehi mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin e kësaj ekspozite, duke mbetur me shpresë që në ekspozitat e ardhshme të ketë detaje të reja nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.
Sh. Hasangjekaj
