Poezi kushtuar Basri Çapriqit

HAJREDIN KOVAÇI

Çoni fjalë!

Sot fjalët janë në grevë
edhe germat s’kanë rehati
sapo morën një lajm të zi!

Ah, tinëzare, tinëzare, he zuzare
ku e gjete poetin
pse ia këpute vargun
fjalët në fyt ia zure
e Ai akoma pat diçka për të thënë!

Çoni fjalë gjithë miletit
sot pushoi së shkruari
penda e poetit!

(U prehsh në paqe miku im Basri Çapriqi)

FIQRET MUJEZIQI

Lamtumirë
(Basri Çapriqit)

Sot,
zemra pikon lot gjaku
për një meteor,
për vargun
lërë përgjysmë,
për pendën-shigjetë
në dorë.
Lamtumirë mik
nga Shasi i lashtë,
që brengat e Atdheut
tërë jetën
ke mbartur
në strajcë.
Nga kjo botë
ike faqebardhë,
si kurorë ulliri
mbi plisin e bardhë.
Qysh nga bankat e shkollës
shiheshim shumë rrallë,
sot në ndarjen tënde,
ndjej dhembje, mall
dhe vdekjen fajësoj
që shumë herët
të ka marrë.

Stuttgart 15. 01. 2018

ARGËZON SULEJMANI

Ai nuk e ka për herë të parë
(Basri Çapriqit)

Ai nuk e ka për herë të parë
Ka vdekur sa herë që
Nuk e kuptonin, nuk donin ta merrnin vesh
Nuk i jepej zë, nuk i shqiptohej fjala
Nuk bënte dot punë, nuk nxjerrte mujore
Nuk mbushte shportat, nuk gëzonte fëmijët
Nuk i gjente paqe vetes, komshisë njerëzisë
Ai nuk e ka për herë të parë
Ka vdekur sa herë që
Një i tij ka ndërruar jetë në luftë, në paqe, rrugëve të mërgatës
Ka parë fëmijë gra pleq të luajnë macen e dromcave
Ka parë zonja e zotërinj me kostume e kollare, të paimunizuar nga mesjeta
Prijësit e vendit të tij tek ngriten ngrihen duke u shitur dhjerë fikur
Kopshteve ka vu re partizanë të vegjël të marrive të mëdha
Ai nuk e ka për herë të parë
Ka vdekur sa herë është ndier poet i dërguar të vuajë të thotë deri në vdekjen e fundit(!?)
Ne e kemi për herë të parë
Një vdekje të Tij
E shihni sa fort sa thellë dhembin shembin
Vdekjet e poetit.

Krythë / Ulqin 14. 01. 2018

Të fundit

më të lexuarat