Home KULTURË Paga më të larta, por sfida të mëdha për biznesin sezonal dhe...

Paga më të larta, por sfida të mëdha për biznesin sezonal dhe buxhetin komunal

Në bilancin përfundimtar, përfituesit kryesorë të kësaj reforme do të ishin punonjësit me pagat më të ulëta dhe pensionistët, me kusht që rritja e çmimeve të mos e zhvlerësojë rritjen nominale të të ardhurave. Në anën tjetër, më të ekspozuarit ndaj rrezikut mbeten bizneset e vogla sezonale dhe buxhetet komunale

Reforma e paralajmëruar ekonomike në Malin e Zi, e njohur në opinion si “Euromodeli”, ka nxitur debate të shumta mbi qëndrueshmërinë e financave publike dhe ndikimin real në ekonominë lokale. Ky model, i cili ende ndodhet në fazën e propozimit, synon rritjen e standardit të jetesës dhe afrimin me praktikat evropiane përmes rritjes së pagave sipas nivelit të kualifikimit arsimor, duke parashikuar 1.000 euro për punonjësit me arsim fillor, 1.250 euro për ata me arsim të mesëm dhe 1.400 euro për kuadrot me arsim të lartë, si dhe përmes ndryshimeve në tatimin mbi të ardhurat personale, uljes së barrës fiskale mbi punën dhe rishikimit të modelit të financimit të vetëqeverisjeve lokale.
Por, çfarë sjell konkretisht kjo reformë për një mjedis me specifikë të theksuar ekonomike siç është Ulqini, ku pjesa dërrmuese e aktivitetit ekonomik varet nga sezoni i shkurtër veror i turizmit?
Për këtë temë, në programin e Radio Ulqinit foli ekonomisti dhe profesori i lëndëve ekonomike në Universitetin e Malit të Zi, Sead Osmanoviq, i cili analizoi në detaje si përfitimet potenciale, ashtu edhe rreziqet që i kanosen sipërmarrjes dhe financave komunale.
Nga këndvështrimi makroekonomik dhe social, rritja e pagave sjell efekte pozitive të menjëhershme në rritjen e konsumit lokal. Sipas Osmanoviqit, të ardhurat më të larta rrisin fuqinë blerëse të qytetarëve dhe stimulojnë qarkullimin e parasë në bizneset vendase.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është frenimi i largimit të fuqisë punëtore jashtë vendit. Pagat më konkurruese do të mund t’i motivonin punëtorët vendas që të angazhohen në sektorin e turizmit dhe gastronomisë në Ulqin, çka, e shoqëruar me trajnime profesionale, do të reflektonte edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve.
Megjithatë, ana tjetër e medaljes paraqet sfida serioze për strukturën ekonomike të Ulqinit, e cila përbëhet kryesisht nga biznese të vogla dhe familjare me karakter sezonal. Kur aktiviteti kryesor ekonomik zhvillohet brenda dy deri në tre muajt e verës, rritja e ndjeshme e pagave shndërrohet në barrë të rëndë operative, sidomos gjatë muajve të dimrit.
“Nëse marrim si shembull një biznes të vogël me pesë punëtorë, një rritje mesatare e pagës prej 300 eurosh për punonjës do të thotë 1.500 euro shpenzime shtesë në muaj, apo 18.000 euro më shumë në vit, pa përfshirë detyrimet e tjera tatimore. Nëse rritja e pagave nuk shoqërohet me rritjen e produktivitetit, kjo do të shfaqet pashmangshëm si rritje e çmimeve”, paralajmëroi Osmanoviq.
Të dhënat e anketave të realizuara me komunitetin e biznesit tregojnë shqetësim të dukshëm: 38 për qind e sipërmarrësve deklarojnë se do të detyrohen t’i rrisin çmimet e shërbimeve, 28 për qind parashikojnë zvogëlim të vendeve të punës, ndërsa 12 për qind po shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së veprimtarisë sezonale ose kalimin në ekonominë informale. Një valë e re shtrenjtimesh në akomodim dhe gastronomi, pa rritje paralele të cilësisë, rrezikon ta bëjë Ulqinin më pak konkurrues krahasuar me Shqipërinë dhe destinacionet e tjera të rajonit.
Një dimension tjetër kritik që preku profesori Osmanoviq lidhet me qëndrueshmërinë e financave të Komunës së Ulqinit. Propozimet e “Euromodelit” parashikojnë zvogëlimin e të hyrave që komunat arkëtojnë nga tatimi mbi të ardhurat personale – një burim kyç i buxhetit lokal – ndërsa njëkohësisht rriten shpenzimet për pagat e punonjësve në administratën dhe ndërmarrjet komunale. Ky efekt i dyfishtë negativ, me më pak të hyra dhe më shumë shpenzime operative, mund të tkurrë ndjeshëm fondet e dedikuara për investime kapitale, siç janë rregullimi i infrastrukturës rrugore, rrjeti i ujësjellësit dhe projektet e zhvillimit turistik.
Në bilancin përfundimtar, përfituesit kryesorë të kësaj reforme do të ishin punonjësit me pagat më të ulëta dhe pensionistët, me kusht që rritja e çmimeve të mos e zhvlerësojë rritjen nominale të të ardhurave. Në anën tjetër, më të ekspozuarit ndaj rrezikut mbeten bizneset e vogla sezonale dhe buxhetet komunale.
“Objektivi i rritjes së pagave është i rëndësishëm, si ekonomikisht ashtu edhe socialisht, por duhet të mbështetet mbi produktivitetin dhe krijimin e vlerës së shtuar. Bizneseve të Ulqinit u nevojitet një planifikim i mirëfilltë financiar 12-mujor dhe një politikë e kujdesshme e çmimeve, ndërsa qytetarët duhet ta vlerësojnë standardin e jetesës përmes fuqisë reale blerëse, e jo vetëm përmes shifrave nominale”, përfundoi Osmanoviq.

Eliana Peku