Tradita, folklori dhe mitologjia malësore përmes artit

Në ambientet e pavijonit të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi në Podgoricë, të hënën mbrëma (26 tetor 2026) është hapur ekspozita e artistes Arlinda Dushaj. Kjo ngjarje kulturore u organizua nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi në kuadër të aktiviteteve që synojnë promovimin e vlerave kulturore, ruajtjen e identitetit dhe afirmimin e të drejtave të pakicave.
Ekspozita mblodhi figura nga fusha e artit dhe e kulturës, si dhe adhurues të tyre, të cilët patën mundësinë të njiheshin nga afër me krijimtarinë artistike të Arlinda Dushajt, një krijimtari që mbështetet në traditën, folklorin dhe trashëgiminë e pasur shpirtërore të Malësisë.
Ceremonia e hapjes së ekspozitës u moderua nga gazetarja Envera Dukaj, duke krijuar një hapësirë komunikimi dhe bashkëbisedimi rreth artit, traditës dhe rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes shprehjes artistike.
Një moment i veçantë ishte fjala e historianes së artit, Nella Gligoreviq, e cila foli për krijimtarinë e artistes Arlinda Dushaj dhe veçoritë që e karakterizojnë atë. Në vlerësimin e saj, Gligoreviq theksoi rëndësinë e traditës, folklorit dhe mitologjisë malësore si elemente thelbësore që gjejnë shprehje në pikturat e artistes.
Përmes këtyre motiveve, veprat e Arlinda Dushajt dëshmojnë se arti është shumë më tepër sesa një formë estetike e komunikimit. Ai bëhet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të rikthyer në vëmendje rrënjët kulturore dhe për të përcjellë ndër breza vlerat, besimet, simbolet dhe traditat që përbëjnë identitetin e një populli.
Tradita, folklori dhe mitologjia malësore përbëjnë një burim të rëndësishëm frymëzimi në krijimtarinë e artistes Dushaj. Nëpërmjet gjuhës së ngjyrave, formave dhe simboleve, këto elemente kulturore gjejnë një interpretim artistik, duke krijuar një lidhje mes së kaluarës dhe së tashmes. Kështu, piktura shndërrohet në një dëshmi të gjallë të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Malësisë, duke i dhënë vlerë kujtesës, traditës dhe përkatësisë.
Rëndësia e kësaj ekspozite qëndron edhe në faktin se ngjarje të tilla krijojnë mundësi për afirmimin e artistëve dhe për promovimin e kulturës së komuniteteve pakicë. Përmes artit, kultura bëhet një urë lidhëse mes njerëzve, ndërsa trashëgimia kulturore fiton hapësirë për t’u njohur, vlerësuar dhe ruajtur.
Në fund të aktivitetit, artistja Arlinda Dushaj shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë të pranishmit që e nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Ajo falënderoi gjithashtu bashkëbiseduesit për vlerësimet dhe kontributin e tyre, si dhe organizatorin për mbështetjen dhe mundësinë e realizimit të kësaj ekpozite.
Hapja e ekspozitës u përmbyll me një koktej, gjatë të cilit të pranishmit patën mundësinë të bashkëbisedonin, të shkëmbenin përshtypje dhe të ndanin mendimet e tyre rreth veprave të ekspozuara.
Ekspozita e Arlinda Dushajt në Podgoricë përbën një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore dhe artistike, duke dëshmuar se arti mbetet një nga format më të fuqishme për shprehjen e identitetit, ruajtjen e traditës dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Malësisë.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat