Për disa ditë me radhë, Ulqini u bë qendër e takimeve, emocioneve dhe kujtimeve sportive, duke mirëpritur edicionin e pestë të “Mondialit të Miqësisë”, një manifestim që bashkon emra të njohur të sportit nga hapësira e ish-Jugosllavisë dhe përcjell mesazhe paqeje, respekti dhe bashkëjetese.
I organizuar nga ideatori Pavle Pepgjonoviq, aktiviteti solli në Ulqin më shumë se 500 ish-sportistë, punonjës të sportit, gazetarë dhe përfaqësues të medieve nga vende të ndryshme të rajonit. Përmes takimeve, ceremonive përkujtimore, promovimeve të librave dhe shfaqjeve të dokumentarëve, manifestimi dëshmoi se sporti vazhdon të jetë një gjuhë e përbashkët që i kapërcen kufijtë dhe i afron njerëzit.
Veprimtaria nisi të premten, më 9 tetor 2026, me një mbrëmje emocionale kushtuar personaliteteve të shquara të sportit dhe kulturës, që janë ndarë nga jeta gjatë vitit të fundit. Në qendër të vëmendjes ishin futbollisti Ivan Gudel, shkrimtari Bozho Koprivica, trajneri i basketbollit Dushko Vujosheviq dhe legjenda të tjera të sportit. Përmes dokumentarëve, dëshmive dhe kujtimeve personale, u rikthyen në vëmendje kontributet e tyre dhe një epokë që la gjurmë në historinë sportive e kulturore të rajonit.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte kujtimi për Ivan Gudelin dhe miqësinë e tij me organizatorin Pavle Pepgjonoviq, një lidhje që ishte ndër nxitjet që çuan në krijimin e këtij manifestimi.
Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua të shtunën, më 10 tetor 2026, në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin. Hapja ishte planifikuar fillimisht në hapësirën pranë Qytetit të Vjetër, por për shkak të reshjeve të shiut u zhvendos në ambientet e Qendrës së Kulturës. Në këtë ceremoni, pjesëmarrësit i përshëndeti përmes një lidhjeje video edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Në skenë u prezantuan emra të njohur të sportit rajonal, ndër ta Danira Nakiq, Bojan Krizhaj, Primozh Ulaga, Toni Vogrinec, Dino Ragja, Zhelko Pavlliçeviq, Drazhen Muzhiniq, Ivo Daneu, Stojko Vrankoviq, Mirsad Fazlagiq, Bozhidar Ivanoviq dhe Miodrag Perunoviq. Prania e këtyre figurave i dha manifestimit një dimension të veçantë, duke rikthyer kujtime nga periudha të rëndësishme të basketbollit, futbollit, skijimit dhe sporteve të tjera.
Gjatë ceremonisë, ideatori Pavle Pepgjonoviq theksoi se, pas pesë vitesh, “Mondiali i Miqësisë” është shndërruar në një familje të madhe dhe në një lëvizje që promovon dashurinë, paqen, bashkimin dhe respektin gjatë gjithë vitit. Ky mesazh përbën edhe thelbin e manifestimit, i cili synon të ruajë lidhjet mes njerëzve përmes kujtimeve dhe vlerave të përbashkëta të sportit.
Programi vazhdoi me veprimtari kulturore dhe botime kushtuar personaliteteve të njohura. Të dielën, më 11 tetor 2026, në kuadër të manifestimit u promovua libri “Zhoc”, kushtuar trajnerit të njohur të basketbollit Zhelko Obradoviq. Në promovim folën autorët Branimir Smiliq dhe Nikolla Novakoviq, si dhe ish-bashkëlojtari i Obradoviqit, Vlladimir Dragutinoviq. Në diskutim morën pjesë edhe legjendat e basketbollit Dino Ragja dhe Stojko Vrankoviq, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për karrierën e tij.
Në program u përfshinë gjithashtu dokumentari kushtuar Momçillo “Moca” Vukotiqit, një prej figurave të njohura të futbollit jugosllav, si dhe materiale të tjera dokumentare që rikthyen në vëmendje historinë e sportit dhe protagonistët e tij.
Një nga të ftuarat e mbrëmjes përkujtimore ishte Sonja Pozheg – Dalipagiq, ish-teniste dhe bashkëshorte e legjendës së basketbollit Drazhen Dalipagiq. Ajo e vlerësoi manifestimin si një ngjarje të veçantë, që arrin të mbledhë në një vend kaq shumë personalitete dhe miq të sportit. Duke kujtuar brezin e basketbollistëve, të cilit i përkiste bashkëshorti i saj, ajo theksoi rëndësinë e bashkimit, përkushtimit dhe dashurisë për klubin dhe përfaqësuesen kombëtare.
Përtej dimensionit sportiv, “Mondiali i Miqësisë” përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për promovimin turistik dhe kulturor të Ulqinit. Përmes pjesëmarrjes së personaliteteve të njohura nga rajoni, qyteti prezantohet si një vend me histori, traditë, bukuri natyrore dhe mikpritje. Manifestimi krijon gjithashtu mundësi për takime të reja, shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve të sportit dhe kulturës.
Me përfundimin e edicionit të pestë, “Mondiali i Miqësisë” konfirmoi rëndësinë e tij si një ngjarje që shkon përtej sportit, duke i dhënë përparësi vlerave njerëzore dhe kujtesës kolektive. Në Ulqin, legjendat e sportit u bashkuan jo për të garuar, por për të kujtuar, për të ndarë përvojat dhe për të dëshmuar se miqësia e ndërtuar ndër vite mbetet një trashëgimi e çmuar.
“Mondiali i Miqësisë” është një mesazh se sporti mund të bashkojë breza dhe popuj, ndërsa Ulqini vazhdon të jetë vendi ku këto lidhje marrin jetë dhe përtërihen.
Dafina Teliqi – Rexha
