Përshpejtohet ritmi i procesit të zgjerimit

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht në konferencën e 29-të ndërqeveritare të mbajtur të hënën në Luksemburg edhe tre kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e çuar në 21 numrin e përgjithshëm të kapitujve në mbyllur.
Bëhet fjalë për kapitujt “Politika ekonomike dhe monetare”, “Statistikat” dhe “Politika sociale dhe punësimi”, të cilët kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka thënë se përfaqësojnë tri shtyllat themelore të integrimit evropian dhe i ka përshkruar ato si “menaxhim të përgjegjshëm ekonomik, hartim të besueshëm të politikave publike dhe përparim shoqëror”.
Ai ka falënderuar Komisionin Evropian dhe secilin prej 27 vendeve anëtare të BE-së si dhe përgëzoi kryesuesit dhe anëtarët e grupeve të punës.
Spajiq ka thënë se ambiciet e Malit të Zi janë të qarta.
“Të mbyllim përkohësisht të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të vitit 2026, të përgatitemi paralelisht dhe të biem dakord për kapitullin 34 sa më shpejt të jetë e mundur, dhe gjatë vitit 2027 do të fillojmë nënshkrimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë kryeministri i Malit të Zi.
Duke folur për të ardhmen në procesin e negociatave me BE-në, kryeministri Spajiq ka theksuar se Malit të Zi i kanë mbetur ende 12 kapituj negociues dhe se institucionet do të vazhdojnë të punojnë me intensitet të plotë.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm të përfundojmë negociatat, por që Mali i Zi të jetë i gatshëm të marrë përsipër të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në Bashkimin Evropian që nga dita e parë e anëtarësimit. Para nesh është një mundësi historike që duhet ta shfrytëzojmë me vendosmëri, me besim të ndërsjellë dhe një ndjenjë të përbashkët përgjegjësie”, ka përfunduar ai.
Edhe Shqipëria ka mbyllur të martën kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”, në konferencën e 10-të ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur të negociatave me BE-në.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së po merr një ritëm më të shpejtë.
“Ndërsa procesi i zgjerimit po merr një ritëm më të shpejtë, do të diskutojmë me shtetet anëtare se si të sigurohemi që Bashkimi Evropian të bëhet më i fortë, ndërsa zgjerohet. Për këtë arsye, kemi propozuar mekanizma më të fortë mbrojtës për garantimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e reformave, me synimin për ta bërë Bashkimin Evropian më efikas”, ka nënvizuar ajo.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat