Të hënën, më 28 shtator 2026, Shoqata Ndërkombëtare e Krijuesve Letrarë dhe Artistikë “Nekazano” dhe Qendra Mesdhetare e Fotografisë nga Tivari organizuan për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros përurimin e fotoalbumit “Muret e thata të Krajës”.
Përurimi u organizua në bibliotekën e shkollës, në një ambient të mrekullueshëm arsimor-kulturor, ku të pranishëm ishin nxënës dhe mësimdhënës të shkollës së Ostrosit.
Në fillim të përurimit, ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës, Sami Dodiq, shprehu kënaqësinë për këtë ngjarje kulturore që po zhvillohet në fillim të këtij viti shkollor.
Ai tha sa e ndien veten të lumtur që autori i cili dikur ka qenë nxënës i kësaj shkolle, siç është bashkautori i këtij fotoalbumi, Zija Maxhuri, përurimin e parë të fotoalbumit e nisi këtu, në vendlindjen e tij dhe në shkollën ku ka ndjekur mësimet e fillores.
Për librin – fotoalbumin foli Ali Gjeçbritaj, ish-mësues në këtë shkollë. Ai ndër të tjera tha se muret e thata me gurë (të njohur si mure guri) janë struktura tradicionale që ndërtohen duke i vendosur gurët me kujdes mbi njëri-tjetrin, pa përdorur asnjë material tjetër ndërtimor (çimento, lloç apo material tjetër).
“Për të bërë një mur të thatë zgjidhen gurët dhe vendosen në mënyrë të tillë që kryesisht të mbahen nga pesha, fërkimi dhe ndërthurja e tyre. Këto mure tradicionalisht janë përdorur për ndarjen e pronave dhe tokave, rrethimin e arave dhe kullotave, rrethimin e ograjave (prozhmeve), mbështetjen e terrenit në shpatet e kodrave, krijimin e tarracave bujqësore etj.”, theksoi ai.
Gjeçbritaj shtoi se një mur i thatë prej guri mund të qëndrojë për shumë vjet, sepse gurët vendosen me shumë kujdes.
“Kjo edhe ngase gurët e mëdhenj vendosen në bazë mbi tokë të fortë dhe ata krijojnë themelin e murit. Nga ana tjetër, gurët lidhen me njëri-tjetrin duke u vendosur në mënyrë të ndërthurur, jo thjesht njëri mbi tjetrin. Hapësirat e vogla mbushen me gurë më të vegjël, të cilët ndihmojnë në stabilitetin e murit. Në Krajë këtyre gurëve të vegjël u kemi thënë helikë. Muret e thata zakonisht bëhen më të gjerë në bazë dhe më të ngushtë lart, në mënyrë që pesha të shpërndahet mirë. Gurët gjatë vendosjes, herë pas here lidhen në mënyrë që ta lidhin pjesën e jashtme me pjesën e brendshme të murit”, është shprehur ai.
Nga e gjithë kjo, referuar fjalës së Gjeçbritajt, rezulton se sekreti i ndërtimit të mureve të thata është zgjedhja dhe vendosja e gurëve, ku një mur i ndërtuar mirë mund të jetë jashtëzakonisht i qëndrueshëm dhe të mbijetojë gjatë. Muret e thata janë një nga elementet e trashëgimisë sonë materiale dhe kulturore. Ato janë me shumë vlerë dhe pjesë e identitetit tonë.
“Muret e thata janë kadastra e parë e pashkruar në këtë truall. Është detyrë e jona që t’i ruajmë ato ngase paraqesin një pasuri kombëtare që të parët tanë na e lanë trashëgimi e ne e kemi për detyrë t’ua përcjellim brezave të ardhshëm”, konkludoi ai.
Ky fotoalbum është një dokument i mirë dhe dëshmi sesi dikur është zhvilluar jeta këtu e gjithandej këtyre trojeve kodrinoro-malore. Askush deri sot nuk e ka bërë këtë përveç dy autorëve të këtij fotoalbumi, Ante Bakoviq dhe Zija Maxhuri. Përndryshe redaktor i fotoalbumit është Llabud Lonçar.
Libri ka dhe tekste të shkurtra në gjuhën malazeze, angleze dhe shqipe. Brenda librit janë 106 fotografi të llojeve të ndryshme të mureve të thata.
Në fund të përurimit, autori i fotoalbumit Zija Maxhuri i falënderoi nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës. Ai foli edhe për punën në terren që kanë bërë për të kapur me aparatin fotografik mure në të gjitha anët e Krajës.
Në fjalën e tij, Maxhuri evokoi edhe kujtime nga koha kur ka qenë nxënës i kësaj shkolle, duke falënderuar organizatorin e përurimit.
Në fund të promovimit, ai u dhuroi të gjithë pjesëmarrësve nga një kopje të fotoalbumit, ndërsa bibliotekës së shkollës i dhuroi një numër të konsiderueshëm ekzemlarësh.
Për nxënësit e shkollës në Ostros kjo ishte një orë e veçantë kulturore e që mund të konsiderohet edhe një orë nga pjesa e hapur e programit për lëndët e identitetit, si bie fjala gjeografia, historia, arti figurativ, gjuha amtare etj. që janë paraparë edhe me programet mësimore të lëndëve respektive.
Përurimi u përcoll edhe nga mediat elektronike lokale.
Ali Gjeçbritaj
