Ideja për hapjen e kalimit kufitar nëpër Çakorr ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është aktualizuar sërish pasi që dy shtetas me ndikim të Kosovës i janë drejtuar Zyrës në Bashkimit Evropian në Kosovë me pyetjen nëse ky institucion mund të ndihmojë në hapjen e kalimit kufitar në këtë bjeshkë.
Pyetja është drejtuar për shkak të interesit shumëvjeçar të banorëve nga të dyja anët e kufirit që sërish të vendoset lidhja rrugore nëpër Çakorr, e cila do të lehtësonte komunikimin në mes të Dukagjinit të Kosovës dhe Polimles (Luginës së Limit) së Malit të Zi.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka arritur përgjigjja e Komisionit, ku thuhet se çështja e hapjes së kalimit kufitar nuk është vendim i thjeshtë që Bashkimi Evropian mund ta bjerë drejtpërdrejt, por që varet nga institucionet kompetente të Malit të Zi dhe Kosovës, si dhe nga plotësimi i kushteve të nevojshme dhe procedurave.
Ushtruesi i detyrës së shefit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pjer Mishel (Pierre Michel), në përgjigjen në të cilën portali i Radiotelevizionit të Malit të Zi ka pasur qasje, është përgjigjur se ekziston mundësia që deri te zgjidhja përfundimtare e këtij problemi mund të kërkohet hapja e të ashtuquajturit kalim kufitar lokal në kohë të caktuar.
“Jam i informuar se keni mundësi që të kërkoni të ashtuquajturin ‘kalim kufitar lokal’ në periudhë të caktuar kohore, kur ai është më i volitshmi për bashkësitë që jetojnë në trevat kufitare, p.sh. gjatë muajve të verës. Ky kalim kufitar lokal kërkon Memorandum mirëkuptimi në mes të dy shteteve dhe mund të zbatohet në kohë specifikisht të kufizuar në mënyrë që të lehtësohet jeta e bashkësive në rajonin kufitar. Mund të vendosni që kërkesën për kalimin kufitar lokal t’ua dërgoni Ministrive të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Malit të Zi. Të jeni të bindur se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është e përkushtuar ndaj mbështetjes së institucioneve kosovare në zbatimin e standardeve evropiane dhe përvojave më të mira”, është përgjigjur u. d. i shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Pjer Mishel.
Megjithatë, interesi për hapjen e sërishme të rrugës nëpër Çakorr nuk është vetëm çështje e institucioneve. Ndërmjet qytetarëve të Malit të Zi, veçanërisht në qytetet e Polimles (Luginës së Limit) ekziston mbështetje e dukshme për këtë iniciativë.
Numri më i madh i qytetarëve të kësaj treve bën përpjekje për hapjen e rrugës dhe kalimit kufitar, duke pasur parasysh se ajo do të sillte dobi të shumëfishtë – prej qarkullimit më të lehtë të njerëzve dhe mallit, zhvillim të turizmit, deri te lidhshmëria e fuqishme e veriut të Malit të Zi me Kosovën.
“Hapja e Çakorrit do të ishte e rëndësishme për tërë Polimlen. Njerëzit në të dy anët e kufirit kanë lidhje farefisnore, lidhje pune dhe të tjera, kurse rruga nëpër Çakorr dukshëm do të shkurtonte dhe lehtësonte rrugëtimin”, është qëndrim që mund të dëgjohet në mesin e nismëtarëve të kësaj iniciative.
Megjithatë, ekziston edhe një numër i vogël i qytetarëve të cilët kundërshtojnë hapjen e rrugës, në radhë të parë për shkak të pasojave të mundshme të sigurimit, ekologjike dhe të tjera, të cilat siç konsiderojnë duhet hollësisht të shikohen para marrjes së vendimit përfundimtar.
Çakorri, ndërkaq, dekada me radhë nuk është vetëm kufi gjeografik. Ai paraqet simbolin e lidhjeve të këputura ndërmjet njerëzve të cilët dikur nëpër këtë shteg kanë komunikuar përditë.
Për këtë, pyetja të cilën dy qytetarët e Kosovës ia kanë drejtuar Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, hap temë të gjerë: a ekziston vullneti politik i Podgoricës dhe Prishtinës që seriozisht të shqyrtohet vendosja e sërishme e lidhjes rrugore nëpër Çakorr?
Për banorët e Polimles, përgjigjja si duket është kryesisht e qartë. Ata në hapjen e rrugës shohin shanse zhvillimore dhe mundësinë që veriu i Malit të Zi të fitojë edhe një lidhje të rëndësishme të komunikacionit dhe turizmit.
Aksi rrugor Murinë-Çakorr-Pejë, i gjatë 60 kilometra, i hapur në vitin 1925, në kohën e mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, i cili dikur ka qenë lidhja e vetme rrugore me Kosovën, Maqedoninë dhe një pjesë të Serbisë, është mbyllur për komunikacion në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë. Marrëveshja ndërmjet qeverive të Malit të Zi dhe Kosovës mbi hapjen e vendkalimit kufitar të përbashkët Kotllovi-Kuqishtë për komunikacion ndërkombëtar rrugor për këmbësorë në këtë rrugë, është nënshkruar qysh në vitin 2014, por zbatimi i tij në vepër stërzgjatet për shkaqe të panjohura.
Portali i RTMZ-së kohë më parë ka publikuar tekstin e kësaj marrëveshjeje, tek e cila kanë arritur këto shoqata të qytetarëve. Nga teksti mund të vërehet se marrëveshjen e kanë nënshkruar në Prishtinë ministrat e atëhershëm të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Malit të Zi, Bajram Rexhepi (tani i ndjerë) dhe Rashko Konjeviq, në dy kopje origjinale, “secili në gjuhën shqipe, serbe, malazeze dhe angleze, me ç’rast të gjitha tekstet janë njësoj të besueshëm”. Marrëveshja është nënshkruar në kohë të pacaktuar, që do të thotë se është akoma në fuqi.
Mbetet të shihet nëse pas iniciativës qytetare dhe përgjigjes së Bashkimit Evropian do të pasojnë bisedimet konkrete të institucioneve kompetente të Malit të Zi dhe Kosovës, dhe se Çakorri pas pritjeve me dekada sërish të bëhet rrugë e cila lidh e jo kufi i cili ndan.
Shaban Hasangjekaj
