Të drejtat e fituaranuk guxojnë të preken

Gjatë diskutimit kujdes i veçantë i është kushtuar Projektligjit mbi ndryshimet e Ligjit mbi regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit, ndikimit të mundshëm të tij në statusin juridik të diasporës së Malit të Zi, realizimit të drejtave të tyre, si dhe nevojës që këto çështje të zgjidhen përmes dialogut të hapur dhe me pjesëmarrjen e plotë të opinionit profesional dhe vetë diasporës

Guci – Në kuadër të manifestimit “Ditët e diasporës 2026”, në sheshin e Ali Pashës në Guci, para pak ditësh është mbajtur paneli i diskutimit me temë “Diaspora dhe Mali i Zi – dialog i hapur”, i cili ka tubuar përfaqësuesit e diasporës, institucioneve shtetërore, opinionit profesional dhe bashkësisë lokale.
Të pranishmëve u është drejtuar kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të fuqishme në mes vendlindjes dhe mërgimtarëve si dhe rëndësinë e bashkëpunimit në vazhdimësi të bashkësive lokale me diasporën.
Në panel kanë marrë pjesë ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, kryetari i Këshillit për Bashkëpunim me Diasporën, Vildan Ramusoviq, ekspertja për të drejtën humanitare ndërkombëtare, Tereza Vujosheviq dhe eksperti për të drejtën e emigrimit dhe lëmin e shtetësisë, Bojan Bugarin, kurse panelin e ka moderuar sekretarja shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë, Xhenana Kuç.
Gjatë diskutimit kujdes i veçantë i është kushtuar Projektligjit mbi ndryshimet e Ligjit mbi regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit, ndikimit të mundshëm të tij në statusin juridik të diasporës së Malit të Zi, realizimit të drejtave të tyre, si dhe nevojës që këto çështje të zgjidhen përmes dialogut të hapur dhe me pjesëmarrjen e plotë të opinionit profesional dhe vetë diasporës.
Ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, ka theksuar se në këtë ministri e njohin shqetësimin e arsyeshëm të diasporës së Malit të Zi me rastin e Projektligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi regjistrat e lindjes dhe qëndrimit.
Ai ka njoftuar se është duke u shqyrtuar mundësia që përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme prej shtatorit të organizojnë vizita të përbashkëta në shtetet ku është i përqendruar numri më i madh i pjesëtarëve të diasporës së Malit të Zi, në mënyrë që përmes dialogut të drejtpërdrejtë të parashtrojnë zgjidhjet e propozuara ligjore, të dëgjojnë qëndrimet e diasporës dhe të përgjigjen në çështjet e hapura.
Ministri Azemoviq ka porositur që nëse teksti i propozuar mbetet i pandryshuar dhe i dërgohet Kuvendit të Malit të Zi në formë të projektligjit, të shfrytëzohen mekanizmat politikë që janë në dispozicion.
Kryetari i Këshillit për Bashkëpunim me Diasporën, Vildan Ramusoviq, ka mbajtur qëndrimin zyrtar të Këshillit, si dhe qëndrimet e pjesëtarëve të shumënumërt të diasporës së Malit të Zi, duke theksuar se me këtë projektligj shënjestrohet drejtpërdrejt diaspora dhe se me të cenohen të të drejtat e fituara të qytetarëve të cilët jetojnë në botën e jashtme. Ai ka theksuar se regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit, nuk janë vetëm evidenca administrative, dhe se ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të diasporës në atdheun e vet.
Ekspertja për të drejtën ndërkombëtare humanitare, Tereza Vujosheviq, ka theksuar se duke pasur parasysh që Mali i Zi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe harmonizimin e legjislacionit të vet me standardet juridike evropiane, Bashkimi Evropian u jep rekomandime dhe drejtime shteteve anëtare dhe shteteve kandidate, derisa çdo shtet mban të drejtën sovrane që legjislacionin e vet ta rregullojë në mënyrën që mendon.
Eksperti për të drejtën e emigracionit dhe lëmin e shtetësisë, Bojan Bugarin, ka vlerësuar që për përgatitjen e vendimit ligjor kaq të rëndësishëm ka qenë e domosdoshme përfshirja e një rrethi të gjerë, duke kyçur përfaqësuesit e diasporës, opinionin profesional dhe sektorin joqeveritar, meqë vendimet e propozuara në mënyrë të barabartë kanë të bëjnë me qytetarët të cilët jetojnë në Mal të Zi. Ai ka shprehur veçanërisht rezervë ndaj autorizimeve të propozuara të policisë duke theksuar se nuk janë në mënyrë të kënaqshme të definuara mekanizmat e zbatimit të tij dhe të kontrollit.
Si konkludim i përbashkët i panelit, pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e plotë për azhurnimin e saktë dhe të sigurt të regjistrave të vendbanimit dhe qëndrimit, me synimin që të mos vihen në pyetje të drejtat themelore të fituara të shtetasve të Malit të Zi. Është theksuar se është i domosdoshëm vazhdimi i avancimit të kornizës së tërësishme legjislative përmes dialogut të gjerë shoqëror me pjesëmarrjen e plotë të institucioneve, opinionit profesional, sektorit joqeveritar dhe diasporës së Malit të Zi, në mënyrë që vendimet e ardhshme ligjore të sigurojnë sigurinë juridike, barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh nëse jetojnë në Mal të Zi apo jashtë tij.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat