Pesë ditë nën flakë e vendosën komunën e Ulqinit përballë një prej situatave më serioze të zjarreve të viteve të fundit. Nga 13 deri më 17 gusht 2026, zjarret prekën disa zona njëkohësisht: Klleznën, Shasin, Gaçin, Zogajt, Malin e Brisë dhe Katërkollën, duke kërcënuar banesa, toka bujqësore, ullishta dhe zona me rëndësi natyrore e kulturore.
Në një situatë të tillë, beteja nuk u zhvillua vetëm në një front. Era, temperaturat e larta, bimësia e thatë dhe terreni i vështirë bënë që flakët të ndryshonin drejtim dhe të hapnin vazhdimisht fronte të reja.
Në ditët më kritike, Ulqini u përforcua nga ekipe zjarrfikëse nga Ulqini, Tivari, Shkodra, Bijello Pola, Plava, Plluzhina, Zhablaku, Budva, Kotorri dhe Cetina, si dhe nga pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi. Komuna njoftoi se ekipet u shpërndanë në disa pika, ndër to Mali i Brisë, Shasi dhe Katërkolla, me prioritet mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës.
Në këtë operacion, një rol qendror pati Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit i Komunës së Ulqinit, i cili mbajti barrën kryesore të ndërhyrjes lokale. Në krye të këtij shërbimi është kryeshefi Abdullah Nimanbegu, ndërsa zjarrfikësit e Ulqinit ishin në terren krahas përforcimeve që mbërritën nga komunat tjera. Në një situatë ku ekipet duhej të vepronin në disa drejtime njëkohësisht, koordinimi i forcave lokale me njësitë e ardhura nga jashtë ishte një prej elementeve kyçe të operacionit.
Më 13 gusht 2026, zjarret nisën të shfaqeshin në disa pika. Në zonën e Gaçit flakët iu afruan shtëpive, ndërsa një vatër tjetër u shfaq në Kllezën dhe zjarri u përhap në drejtim të Shasit.
Situata u rëndua më 14 gusht 2026, kur zjarri përparoi drejt Malit të Brisë, një prej pikave më problematike të gjithë operacionit.
Në Kllezën flakët iu afruan edhe kishës, ndërsa në Malin e Brisë rreziku u zhvendos drejt pronave private, pemishteve dhe ullishteve.
Më 15 gusht 2026, Mali i Brisë u shndërrua në një prej fronteve kryesore. Era e fortë e shtynte zjarrin në drejtime të ndryshme dhe flakët iu afruan edhe aksit rrugor Ulqin-Shkodër.
Në terrenin ku automjetet zjarrfikëse e kishin të vështirë të ndërhynin, u kërkua ndihma nga ajri.
Më 16 gusht 2026, operacioni mori përmasa të jashtëzakonshme. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet, kapacitetet ajrore realizuan 114 fluturime dhe hodhën 262 tonë ujë mbi zonat e përfshira nga zjarri.
Në operacion u angazhuan avionë Air Tractor, Antonov AN-32P dhe helikopteri B412 i Ushtrisë së Malit të Zi.
Në terren, ndërkohë, ishin rreth 70 zjarrfikës me 21 automjete, ndërsa Ushtria e Malit të Zi kontribuoi me 14 pjesëtarë, tre automjete zjarrfikëse dhe dy automjete transporti.
Kjo shifër tregon qartë se ajo që nisi si disa vatra në zonën e Ulqinit u shndërrua në një operacion të gjerë të sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit të Malit të Zi.
Përmasat e situatës sollën në Ulqin edhe drejtues të institucioneve qendrore. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me kryeministrin Millojko Spajiq dhe ministrin e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, vizituan zonat e rrezikuara nga zjarret.
Vizita u zhvillua në terren, në shoqërinë e ekipeve për situata emergjente, pjesëtarëve të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe strukturave të tjera. Në fokus ishte situata konkrete, kapacitetet e angazhuara dhe masat për mbrojtjen e popullsisë, pronës dhe zonave natyrore.
Më herët, në Ulqin kishte qëndruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, i cili së bashku me ekipin për situata emergjente diskutoi me përfaqësuesit e Komunës për shpërndarjen e ekipeve dhe logjistikën e ndërhyrjes.
Një tjetër vizitë zyrtare u zhvillua nga zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq, ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Miodrag Vuksanoviq. Ata u pritën nga kryetari Nimanbegu dhe diskutuan për situatën në terren, angazhimin e shërbimeve dhe masat për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe burimeve natyrore.
Kjo varg vizitash politike dhe institucionale ishte edhe një tregues se zjarret në Ulqin nuk po trajtoheshin më si një problem i zakonshëm lokal.
A ishte zjarri i qëllimshëm?
Kjo është pyetja që tashmë kërkon përgjigje institucionale.
Gjatë krizës, autoritetet kanë ngritur dyshime se disa nga zjarret mund të jenë shkaktuar qëllimisht, duke pasur parasysh numrin dhe shpërndarjen e vatrave. Por deri në përfundimin e hetimeve, kjo nuk mund të shkruhet si fakt.
Dyshimet meritojnë hetim serioz edhe për një arsye tjetër: Ulqini ka pasur edhe më parë raste të dokumentuara të zjarrvënieve. Prandaj pyetja që mbetet për policinë dhe prokurorinë është konkrete: a kanë nisur hetimet për secilën vatër, ku ka nisur zjarri, në çfarë rrethanash dhe a ekzistojnë elemente që tregojnë ndërhyrje të qëllimshme të njeriut?
Pesë ditët e zjarreve treguan njëkohësisht solidaritetin e sistemit dhe dobësitë e tij. Aspekti pozitiv është se në momentet më të vështira Ulqini nuk mbeti vetëm. Zjarrfikës nga qytete të tjera, Ushtria, ekipet ajrore, strukturat shtetërore, shërbimet komunale dhe qytetarët u përfshinë në përpjekjen për të mbrojtur territorin.
Por një krizë e tillë ngre edhe pyetje që nuk duhet të harrohen pasi flakët të shuhen: a ka Ulqini mjaftueshëm mjete, ujë, automjete dhe personel për një situatë me disa fronte njëkohësisht? A janë rrugët e zonave rurale të përshtatshme për ndërhyrje të shpejtë? Dhe a ekziston një plan i mjaftueshëm parandalues për zonat e rrezikuara?
Këto janë pyetje që nuk mund të mbeten vetëm për ditët e krizës.
Më 17 gusht 2026 situata u stabilizua dhe disa vatra mbetën nën kontroll, ndërsa ekipet vazhduan monitorimin.
Dhe për Ulqinin, pas përfundimit të operacionit, nis një tjetër punë: dokumentimi i dëmeve, vlerësimi i kostos ekonomike dhe ekologjike dhe, mbi të gjitha, zbardhja e shkaqeve.
Pesë ditët e gushtit lanë pas pemishte të djegura, ullishta të dëmtuara dhe një seri pyetjesh.
Flakët u luftuan nga toka dhe ajri. Tani duhet të zbardhet edhe se nga erdhën.
D. Teliqi
