Kalorësi fisnik i Malësisë

Emri i këtij atdhetari humanist është i njohur në diasporë dhe në Malësi. Veprat dhe kontributet e tij për të mirën e vendlindjes kishin filluar pothuajse një gjysmë shekulli më parë, kur kishte kontribuuar një sasi të madhe fondesh për rregullimin e ujësjellësit të Luharit.

Gjekë Gjonaj

Rrugës prej Trieshit për në Podgoricë, pas Kukulit të Ledinës, në Jutet e vetmuara qëndronte një shtëpi e vogël, por shumë e përmendur në Malësi. Ajo ishte shtëpia e Gjelosh Shabit, i cili kishte jetuar më shumë se një shekull. Gjeloshi ishte i biri i Shaba Gilës, që në Malësinë tonë kishte qenë njëri prej burrave më të nderuar.
Çdo udhëtar që kalonte këtë rrugë të vështirë mendonte për ndihmën e parë që mund të merrte në rast nevoje në shtëpinë e këtij burri fisnik të maleve tona. Për çdofarë nevoje, udhëtarët – sidomos ata trieshianë – ishin të sigurt se për çfarëdo nevoje do të mirëpriteshin në këtë shtëpi bujare.
Në valën e mërgimeve të Malësisë së viteve ’70, shumica e djemve dhe bijave të Gjelosh Shabit u larguan nga vendlindja, duke u vendosur në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore. Njëri prej tyre ishte edhe Leka i Gjelosh Shabit, i cili në diasporë, e tani edhe në vendlindje, njihet me emrin Lek Gjolaj.
Me këtë burrë malësor shqiptar u njoha para 50 vjetësh. Në takimin e parë, gjatë shkëmbimit të mendimeve për çështje të ndryshme, më la përshtypje se është atdhetar i vërtetë. Dallonte nga disa të tjerë ngase ishte shumë i përkushtuar ndaj vendlindjes së tij, Luharit, dhe Malësisë.
Leka kishte emigruar në Nju Jork para 57 vjetësh, duke filluar punë të zakonshme, ashtu siç fillonin shumica e shqiptarëve në fillim.
Kishte qëndruar shumë korrekt dhe i fuqishëm në punë dhe, pas disa vjetësh, kishte hapur biznesin e tij në një prej qendrave më të njohura të Manhattanit në Nju Jork, afër Universitetit prestigjioz amerikan Columbia.
Përveç biznesit të mirë, Leka u njoh me ajkën akademike të universitetit në fjalë, duke fituar dituri dhe kulturë pune. Shumica e punëtorëve të Lekës gjithmonë kanë qenë dhe janë shqiptarë.
Emri i këtij atdhetari humanist është i njohur në diasporë dhe në Malësi. Veprat dhe kontributet e tij për të mirën e vendlindjes kishin filluar pothuajse një gjysmë shekulli më parë, kur kishte kontribuuar një sasi të madhe fondesh për rregullimin e ujësjellësit të Luharit.
Leka e vizitonte vazhdimisht vendlindjen dhe Malësinë.
Në jetën kombëtare, fetare dhe shoqërore në Nju Jork është shumë aktiv. Kontributet e Lekës kanë qenë gjithmonë humaniste dhe kombëtare.
Ky trim fisnik i Malësisë e ka ruajtur bashkimin dhe ekzistencën e kësaj shoqate. Lokali (restoranti) i Lekës prej shumë vitesh është qendër e madhe. Është si një “parlament i vogël i Malësisë” në Nju Jork.
Këtë lokal e frekuentojnë shumë intelektualë, pedagogë dhe aktivistë politikë nga trevat tona atje në vendlindje. Të interesuarit për çështje kombëtare qëndrojnë në lokalin e Lekës disa herë edhe orë pas mesnate.
Për Lekën, sipas një shumice bashkatdhetarësh, jeta kishte ato vështirësitë e veta. Lek Gjolaj para pothuajse dhjetë vitesh humbi gruan Marinë në moshë relativisht të re. Por familjet e mira i kapërcejnë edhe këto vështirësi. Lekës iu gjetën pranë në këtë tragjedi dy djemtë e tij, Gjoni dhe Antoni. Ata qëndruan pranë nënës së tyre deri në minutat e fundit.
Këta pinjollë të dalluar të familjes së Gjelosh Shabit janë edukuar në frymën e traditës familjare, kombëtare, fetare dhe shoqërore.
Ky katund (Jutet) i mirënjohur i Malësisë, gjatë pushtimeve romake, sllave dhe osmane, qëndroi i papushtuar për mijëra vjetë. Leka qysh në fëmijëri e ndiente mungesën e një kishe, duke e mbajtur në shpirt dhe në kokë realizimin e këtij tempulli fetar e kombëtar. Vërteton mirë autoktoninë tonë në atë rajon që, siç e dimë, është bërë problem mes Komunës së Tuzit dhe Podgoricës.
Mbase Zoti e ka thirrur një vepër të tillë në kufirin shqiptaro-malazez.
Sllavo-malazezët nuk duhet të kenë frikë nga autoriteti shumë i nderuar Monsinjor Rrok Gjonlleshaj, më lart nga institucionet fetare shqiptare. Sipas burimeve të sigurta, kryeipeshkvi Gjonlleshaj i dha Lekës udhëzimet për ndërtimin e kësaj që dikur do të bëhet edhe famulli. Këtu bëjnë pjesë edhe Patër Mirash Marinaj, ngase i është gjetur pranë Lek Gjolajt, ku bën pjesë edhe Anton Perkaj, bashkëvendas i Lekës.
Shqiptarët e Luharit u dalluan kudo që shkuan për të jetuar. Ata kryen studime universitare në Tiranë, në Prishtinë, ku edhe shërbyen me sinqeritet. Si të mos flasim për Nikollë Perkajn, i cili në moshë të shtyrë la familjen në Amerikë dhe iu bashkëngjit UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës.
Lek Gjolaj – emri juaj nuk do të harrohet kurrë në Malësinë tonë!


Në Luhar u përurua kisha e Shën Kollit

Me 9 gusht 2026, në prani të një numri të madh të qytetarëve të Malësisë dhe pjesëtarëve të diasporës, në Luhar (Fundënat) u përurua kisha e Shën Kollit. Kjo është kisha e parë katolike në këtë vendbanim ku jeton popullata shqiptare e besimit katolik dhe mysliman. Ktitor i kishës është Lekë Gjelosh Gjolaj nga Luhari, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Meshën e shenjtë e udhëhoqi argjipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj.
Për Luharin, kjo është një ngjarje tepër e rëndësishme që e tejkalon aspektin fetar.
Fshati pothuajse është zbrazur gjatë dekadave të fundit si pasojë e emigrimit, veçanërisht drejt Shteteve të Bashkuara. Në këto rrethana, ruajtja e komunitetit, e gjuhës shqipe dhe e identitetit kulturor bëhet veçanërisht e rëndësishme.
Kisha e Shën Kollit do të bëhet jo vetëm një vend bashkimi fetar, por më tepër, edhe një hapësirë ku do të ruhen gjuha, traditat dhe lidhja e brezave të rinj me vendlindjen. Ndërtimi i saj, falë pikërisht njërit prej banorëve të saj në mërgatë, përfaqëson edhe një kthim simbolik të diasporës te vendi i origjinës.

A. M. Perkaj

Të fundit

më të lexuarat