Detari sypatrembur dhe mbrojtësi i Kalasë

Të gjithë anëtarët e familjes sonë kanë qenë detarë me nam, mirëpo axha Maliqi veçohet sepse ka qenë trim në kuptimin e plotë të kësaj fjale, nuk i është frikësuar kurrë detit pavarësisht vështirësive me të cilat janë ballafaquar gjatë lundrimeve.

Ismet Karamanaga

Personazhi i njohur, siç ka qenë i ndjeri Maliq Kahramanaga, meriton të përmendet dhe mos të harrohet kurrë, si pjesë e trashëgimisë së detarisë dhe qytetit të Ulqinit. Fotografia në matrikullën e këtij njeriu të jashtëzakonshëm, vështirë mund të përshkruhet! Portretizimi i tij, për mua që e kam pasur axhë, është i lehtë por edhe i vështirë njëkohësisht! I lehtë sepse e kam njohur mirë, por i vështirë sepse mund të harroj diçka pa thënë nga biografia e tij e pasur jetësore, por edhe rreziku se mund të jem subjektiv.
Si të gjithë detarët nga fisi ynë i madh Karamanaga, edhe axha Maliq Kahramanaga i takon grupit të të parëve të cilët kanë lundruar dhe naviguar nëpër dete dhe oqeane të ndryshme, por më së shumti në Detin Mesdhe dhe brigjet e tij, ku ai si detar dhe kapedan me nam ka lënë gjurmë të pashlyera. Ka filluar të lundrojë që në moshë të re, si muço, në anije me vela, pastaj edhe në anije të kombinuara – me vela dhe makina me avull.
Të gjithë anëtarët e familjes sonë kanë qenë detarë me nam, mirëpo axha Maliqi veçohet sepse ka qenë trim në kuptimin e plotë të kësaj fjale, nuk i është frikësuar kurrë detit pavarësisht vështirësive me të cilat janë ballafaquar gjatë lundrimeve.
Ai ka qenë përfaqësuesi më i denjë i familjes Kahramanaga, siç është mbiemri ynë i vërtetë. Në librat e vjetër, të ruajtur në arkivat fetare, ka qenë dhe ka mbetur mbiemri Kahramanaga, që në përkthim në gjuhën shqipe do të thotë trim, hero, sypatrembur. Pikërisht i tillë ishte Maliq Kahramanaga, sypatrembur, njeri që nuk e njihte frikën, as në tokë as në det. Sa i përket mbiemrit të tij dhe familjes sonë, në mesin e shumë krimeve që kanë bërë barbarët dhe pushtetarët komunistë të kohës, ishte edhe deformimi i emrave dhe mbiemrave. Kështu, nga mbiemri ynë kanë hequr germën “h”, duke humbur edhe kuptimin e tij.
Unë mbaj mend shumë histori jetësore që ai m’i ka treguar. Si detar ka qenë shumë i shkathët. Kjo falë edhe fizikut të tij – me trup të vogël, por i lehtë dhe i fortë në duar. Ka ndodhur që gjatë furtunave të mëdha të ngjitet në majën e direkut të mesëm të velanijes për t’i rregulluar konopët, bile edhe për të ngritur apo ndërruar velat. Bile thoshte që është ngjitur deri te serenat e treta, duke u mbajtur veç me duar.
Tërmeti katastrofal i vitit 1979 ka pasur ndikim të madh të jetën e tij! Megjithëse në moshë dhe i sëmurë, ai nuk është frikësuar dhe nuk ka dashur që të largohet nga Kalaja! Për një kohë ka qëndruar në bahçe, në një dhomë që shërbente për depozitë gjatë dimrit. Kalanë e ka lënë me lot në sy dhe dhimbje të thellë, vetëm pas këmbënguljes sonë të madhe. Por malli i madh për Kalanë, si duket, ka bërë që ai të ndërrojë jetë vetëm pak kohë pas largimit prej saj.
Shtëpia ku kemi lindur në Kala është rrënuar fare. Ka mbetur vetëm kopshti i ëndrrave tona, i cili më përkujton atë periudhë. Së fundi, nipi i axhë Maliq Kahramanagës, i cili jeton në Paris dhe me mburrje trashëgon emrin e tij, e ka rindërtuar shtëpinë. Kështu që kjo shtëpi dhe kopshti i saj ruajnë plot kujtime nga jeta jonë, sidomos nga fëmijëria dhe rinia, deri në tërmetin katastrofal.

Simbol i rezistencës dhe i mbrojtjes së Kalasë
Ajo që e bën të paharruar dhe simbol të Kalasë Maliq Kahramanagën, është veprimi i tij i rrallë, guximi dhe trimëria e treguar kundër atyre që deshën t’i largojnë banorët e Kalasë së Ulqinit nga trojet e tyre 2500-vjeçare, pas tërmetit të vitit 1979. Përkundër vështirësive, ai donte të qëndronte dhe rezistoi, në një dhomë të vogël brenda Kalasë me porta të mbyllura, me rrugë të mbushura me gurë nga shtëpitë e rrënuara, pa rrymë elektrike dhe me ujësjellës të mbyllur me qëllim.
Axha Maliqi ishte njeri i mirë dhe i sjellshëm, një luftëtar me virtyte të veçanta. Vetëm pasi që i premtuam se do ta kthejmë sërish në Kala, është bindur të largohet nga vendi i lindjes, por së shpejti vdiq.
Banorët e Kalasë, por edhe të gjithë qytetarët e Ulqinit, nuk guxojnë të harrojnë kurrë edhe kontributin e tij për revitalizimin dhe kthimin e jetës në Kalanë e Ulqinit, në periudhën pas tërmetit, sepse Kalaja është simboli dhe identiteti i të gjithë neve.
Megjithëse kanë kaluar shumë vite qëkur ka ndërruar jetë, ai pa dyshim ka mbetur në kujtesën tonë si simbol i rezistencës, i mbrojtjes së Kalasë dhe identitetit tonë. Nuk duhet të harrohet fakti se në atë kohë, të gjitha familjet që jetonin në Kalanë e Ulqinit ishin shqiptarë, me përjashtim të një familjeje.
Ajo që e bën të paharruar dhe simbol të Kalasë Jakup – Kupo Nimanbegun, së bashku me Ismail Bushatin, si edhe axhën tonë të moshuar, është veprimi i tyre i rrallë, guximi dhe trimëria e treguar kundër atyre që deshën t’i largojnë me dhunë banorët e Kalasë së Ulqinit nga trojet e tyre 2500-vjeçare. Mirëpo, edhe në kushte të tilla, duke u përballur me kërcënimet e pushtetit të kohës por edhe me të dridhurat e përditshme nga tërmetet, ata kanë qëndruar në ballë të rezistencës duke mos pranuar me asnjë kusht që të largohen nga Kalaja. Sot është vështirë të imagjinohet një gjë e tillë.
Prandaj, pa asnjë dyshim, ata janë të parët që kanë dhënë kontribut të madh për revitalizimin dhe restaurimin e Kalasë në kohën kur qëllimi i shtetit komunist ishte që t’i shpërngulin të gjithë banorët e Kalasë. Për këtë arsye, qëndrimi i një të moshuari (axhës Maliq), me autoritet të veçantë për ruajtjen e Kalasë, revitalizimin dhe kthimin e jetës në të nuk duhet të harrohet kurrë.
Maliq Kahramanaga meriton të përmendet dhe emri i tij mos të harrohet kurrë.
Ndërkaq sot, me punën dhe veprën e tij për ndërtimin e shtëpisë dhe kultivimin e kopshtit përreth saj, nipi i tij Maliqi na përkujton për çdo ditë mundimet dhe vajtimet, por edhe krenarinë për rezistencën tonë brenda mureve të Kalasë,
Neve na kanë lënë borxh të parët tanë, në veçanti axha Maliq Kahramanaga. Ndërsa ne, pasardhësit e tyre, jam më se i bindur që dëshirat e tyre i kemi plotësuar.
Gjithashtu mendoj se ai është i qetë në parajsën e merituar, ku “lundron në dete të qeta me anije të bukura”.

Të fundit

më të lexuarat