
Pamjet dramatike nga enklava spanjolle e Seutës, në veri të Marokos, e tronditën botën në fund të muajit korrik. Dhjetëra mijëra njerëz tentuan të hynin me forcë në Seutë, pra, në territorin e Bashkimit Evropian, duke demonstruar se sa shpejt presioni migrues mund të shndërrohet në një krizë të sigurisë.
Seuta nuk është një qytet kufitar i zakonshëm. Ajo është territor spanjoll në veri të Afrikës, prej shekujsh, shumë kohë para krijimit të shtetit të Marokos. Megjithatë, pikërisht në kufijtë e saj zhvillohet sot një nga betejat më të rëndësishme të Evropës – si të mbrohen kufijtë e jashtëm, duke respektuar njëkohësisht të drejtën ndërkombëtare.
Që nga kriza migruese e vitit 2015, Evropa përballet me një sfidë që nuk është e përkohshme. Në vitin 2015, Angela Merkel vendosi që Gjermania të pranonte një numër të madh migrantësh, të cilët vinin kryesisht rrugës ballkanike, sidomos nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Mbështetësit e kësaj politike pohojnë se kjo ishte një përgjigje e domosdoshme humanitare ndaj krizës së refugjatëve, ndërsa kritikët mendojnë se vendimi i tillë inkurajoi depërtime të mëtejshme migruese dhe dobësoi afatgjatë kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Pamjet nga Seuta të kujtojnë në mënyrë të pashmangshme veprën “Rënia e Perëndimit” të Oswald Spenglerit. Kur them “Perëndimi”, kam parasysh qytetërimin evropian në tërësi. Jo sepse historia ndjek një skenar të shkruar paraprakisht, por sepse Spengleri paralajmëronte se qytetërimet e mëdha kalojnë periudha gjatë të cilave e humbin unitetin politik dhe aftësinë për t’i mbrojtur institucionet e tyre. Për ata që pajtohen me këtë këndvështrim, kriza e sotme migruese përfaqëson një nga simptomat e një procesi të tillë.
Ngjarjet në Seutë tregojnë se valët masive migruese mund të lindin brenda një kohe shumë të shkurtër dhe se asnjë shtet nuk mund të llogarisë se do të jetë përgjithmonë i mbrojtur nga presione të tilla.
Njëkohësisht, debati mbi migracionin nuk mund të reduktohet në slogane të thjeshta. E drejta ndërkombëtare bën dallimin midis refugjatëve dhe migrantëve ekonomikë, por, shtetet kanë të drejtën, edhe detyrimin për t’i mbrojtur kufijtë e tyre. Kur mijëra njerëz përpiqen t’i kalojnë ato në të njëjtën kohë, me dhunë, shtrohet pyetja se sa i gatshëm është sistemi aktual evropian për t’u përballur me sfida të tilla.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor kjo nuk është një temë e largët. Mali i Zi ndodhet në një rrugë të rëndësishme migruese. Nëse presionet e ngjashme do të shtohen, ngjarjet në Seutë tregojnë se kriza të tilla mund të zhvillohen shumë më shpejt sesa pritet.
Nëse prirjet aktuale migruese vazhdojnë, edhe Shqipëria mund të bëhet, pas vitit 2030, një nga pikat më të rëndësishme të hyrjes ilegale drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, që sot duhet të mendohet për një politikë afatgjatë migruese dhe të sigurisë.
Kritikët e Bashkimit Evropian theksojnë disa probleme kyçe:
- BE-ja e ka të vështirë të arrijë një qëndrim të përbashkët për çështjet siç janë: migracioni, siguria dhe politika e jashtme;
- vendimet shpesh varen nga kompromiset midis një numri të madh shtetesh;
- BE-ja ka treguar dobësi gjatë krizës migruese të vitit 2015 dhe sfidave të mëvonshme të sigurisë.
Si përfundim, Bashkimi Evropian sot nuk është i dobët në kuptimin ekonomik, por tregon dobësi politike kur bëhet fjalë për kriza të mëdha që kërkojnë veprim të shpejtë dhe të koordinuar. Kriza migruese, lufta në Ukrainë, por edhe në Lindjen e Mesme, dhe çështjet e sigurisë së brendshme, kanë treguar se sa e vështirë është të arrihet një veprim i përbashkët evropian.
Prandaj, Seuta nuk është vetëm një problem lokal i Spanjës. Ajo është një paralajmërim se çështja e kufijve, migracionit dhe sigurisë do të mbetet një nga temat më të rëndësishme politike të Evropës në vitet që vijnë.
