Koha javore: Znj. Rexhvelaj, duke bërë një retrospektivë, si e kujtoni fillimin tuaj me poezinë kur ajo ishte ende një ndjesi e hershme dhe si ka evoluar marrëdhënia juaj me të sot si autore e gjashtë veprave letrare?
M. Rexhvelaj: Ndonjëherë besoj se kam lindur bashkë me poezinë. Që fëmijë, vargu më tërhiqte si një zë i njohur që vinte nga brenda meje. Vitet kaluan, unë u rrita dhe bashkë me mua u rrit edhe dashuria për poezinë. Sot e kuptoj se ajo nuk ka qenë thjesht një pasion prej fëmije, por një nga dashuritë më të mëdha të jetës sime dhe sot jam më e dashuruar se kurrë me vargun e bukur.
Koha javore: Ju vini nga Malësia e Madhe, një hapësirë që ka nxjerrë emra të njohur në letërsi, kulturë etj., por që shpesh mbetet larg qendrave kryesore kulturore. Si e vlerësoni sot jetën kulturore atje dhe a po shfrytëzohet sa duhet potenciali krijues që ekziston aty?
M. Rexhvelaj: Malësia jonë, në të dyja anët e kufirit, është një burim i pasur me njerëz që i kanë dhënë emër dhe vlerë jo vetëm artit e kulturës, por edhe shumë fushave të tjera të jetës shoqërore e kombëtare. Fatkeqësisht, jeta kulturore në Malësinë e Madhe sot nuk është aq e gjallë dhe dinamike sa do të dëshiroja. Mungojnë hapësirat minimale ku arti mund të zhvillohet dhe të marrë frymë lirshëm. Po ashtu, mungon vëmendja dhe mbështetja e institucioneve përkatëse për promovimin e talenteve vendase, për t’i mbështetur ato dhe për t’u krijuar mundësi të denja afirmimi.
Në Malësi mungon një qendër kulture, mungon një qendër rinore, mungon një shtëpi muze kushtuar xhubletës dhe trashëgimisë sonë kulturore, edhe pse xhubleta tashmë është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Mungon një stadium dhe një pallat sporti. Mund të vazhdoja gjatë me këtë listë, por nuk dua ta rëndoj më tej lexuesin tuaj.
Megjithatë, unë besoj fort te potenciali krijues që ekziston në Malësi.
Talenti nuk ka munguar kurrë, ajo që ka munguar janë kushtet dhe përkushtimi institucional. Dëshira ime më e madhe është që Malësia të bëhet po aq e madhe në zhvillim e mundësi, sa është në histori, traditë dhe vlera njerëzore.
Koha javore: Në këto hapësira (Malësi), si andej ashtu edhe këndej kufirit, dashuria për librin nuk ka munguar por bibliotekat po. Sa e pengon mungesa e bibliotekave zhvillimin e jetës letrare të qëndrueshme dhe formimin e lexuesit?
M. Rexhvelaj: Malësia ka ende shumë mungesa në këtë drejtim. Megjithatë, duhet të vlerësojmë përkushtimin e mësuesve të gjuhës dhe letërsisë, të cilët kanë një pasion të veçantë për librin. Edhe pse mungojnë mbështetja institucionale dhe hapësirat e mirëfillta bibliotekare, ata gjejnë mënyra të ndryshme për ta afruar lexuesin e ri me librin – përmes aktiviteteve letrare, orëve promovuese dhe nismave kulturore.
Janë këta mësues (duke përfshirë dhe veten) që mbjellin dashurinë për artin e bukur të fjalës dhe zgjojnë interesin për leximin, por kjo shpesh mbetet në nivelin e përpjekjeve individuale. Mungesa e bibliotekave pengon krijimin e një kulture të qëndrueshme leximi, sepse lexuesi ka nevojë jo vetëm për nxitje, por edhe për qasje të vazhdueshme te libri. Biblioteka është një urë mes kureshtjes dhe dijes, kur ajo mungon, formimi i lexuesit bëhet më i vështirë dhe jeta letrare më pak e qëndrueshme.
Koha javore: Krijimtaria juaj ndër vite është vlerësuar me çmime të rëndësishme – në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, ndërsa një nga veprat tuaja është përkthyer edhe në gjuhën malazeze. Çfarë përfaqësojnë për ju këto vlerësime si krijuese dhe sa mendoni se përmes letërsisë arrihet realisht njohja reciproke mes vendeve fqinje?
M. Rexhvelaj: Botimi i librit tim në gjuhën malazeze ka qenë një nga dhuratat më të bukura që më ka sjellë letërsia. Në atë moment, libri nuk i përket më vetëm autores dhe lexuesit të saj të zakonshëm, por nis një udhëtim të ri përtej kufijve, gjuhëve dhe kulturave. Për këtë jam mirënjohëse ndaj bashkëpunëtorëve të mi, të cilët bënë të mundur këtë botim dhe i dhanë veprës sime një hapësirë të re komunikimi.
Sa u përket çmimeve, nuk i shoh si qëllim në vetvete. Më shumë vlerë ka për mua përfaqësimi dinjitoz i vendit nga vij. Në çdo prezantim apo dalje publike, pranë emrit tim qëndron emri i Malësisë së Madhe dhe ky është një nder i madh, por edhe një përgjegjësi që e mbaj me krenari. Besoj se letërsia është një nga urat më të forta të njohjes reciproke mes vendeve fqinje. Ajo krijon dialog aty ku shpesh politika dhe rrethanat historike kanë ngritur distanca. Përmes librave njohim më mirë njëri-tjetrin, kulturat tona afrohen dhe kuptojmë se pavarësisht dallimeve, ndajmë shumë përvoja dhe ndjenja të përbashkëta njerëzore.
Koha javore: Ju shkruani edhe në gegërisht, në kohën kur standardi është normë në krijimtarinë letrare. A është sot dialekti një zgjedhje estetike apo edhe një formë rezistence kulturore? Dhe a mendoni se letërsia shqipe i ka dhënë hapësirën e duhur të folmeve të saj?
M. Rexhvelaj: Për mua, letërsia më e bukur shqipe ka ardhur shpesh në gegnisht, duke nisë prej Fishtës e deri te shumë autorë bashkëkohorë. Gegnishtja asht gjuhë e shpirtit për ne veriorët. Kur shkruajmë në dialektin tonë të bukur, ne themi me krenari: jemi këtu prej brezash dhe mbajmë më vete një trashëgimi që s’duhet humbur.
Në poezi, gegnishtja të ndihmon me e shprehë emocionin në mënyrë krejt të natyrshme. Ka një pasuni të jashtëzakonshme figurash, ritmesh dhe nuancash që shpesh vijnë vetvetiu në varg. Për këtë arsye, për shumë autorë mbetet një zgjedhje estetike dhe krijuese.
Megjithatë, mendoj se ka edhe një dimension kulturor. Përdorimi i dialektit ruan gjallërinë e një trashëgimie gjuhësore që është pjesë e identitetit tonë.
Ajo që më duket interesante është se vitet e fundit gegnishtja nuk po përdoret vetëm nga autorët e veriut. Kam vënë re se edhe shumë autorë nga jugu po shkruajnë në gegnisht. Kjo shihet qartë në festivalet e poezisë në gegnisht, ku shpesh dallimet krahinore zhduken dhe mbetet vetëm poezia. Kjo tregon se gegnishtja nuk është më thjesht një e folme e një zone të caktuar, por një mjet letrar që po zgjidhet gjithnjë e më shumë nga krijues të ndryshëm.
Koha javore: Ju e keni quajtur poezinë një formë terapie, në një kohë ku ritmi i jetës është i shpejtë dhe vëmendja është zhvendosur drejt rrjeteve sociale. A po e humb letërsia funksionin e saj apo po ndryshon formë dhe a po jetojmë sot në një kohë ku poezia ka shumë zë, por pak dëgjim?
M. Rexhvelaj: Unë besoj se shpirti që e ndien poezinë dhe artin e bukur, e gjen gjithmonë kohën dhe vendin për t’i takuar. Nuk mendoj se letërsia po e humb funksionin e saj, ajo thjesht po ndryshon mënyrën se si mbërrin te lexuesi.
Rrjetet sociale i shoh si aleate të artit, sepse janë një dritare e vogël nga ku mund të shfaqim një botë të madhe shpirtërore. Aty gjejmë edhe lexuesin tonë, ndonjëherë aty ku nuk do ta prisnim. Sigurisht, unë mbetem besnike ndaj librit, sepse libri krijon një marrëdhënie më të thellë dhe më të qetë me fjalën.
Megjithatë, duhet të ecim me hapin e kohës. Sfida sot nuk është mungesa e zërit, por aftësia për të dëgjuar mes zhurmës së madhe. Poezia vazhdon të ekzistojë dhe të flasë me forcë; ajo që kërkohet është një lexues i gatshëm të ndalet për një çast dhe ta dëgjojë…
Koha javore: Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, tekstet letrare mund të prodhohen edhe nga makineritë. Ku e vendosni ju vijën mes krijimit njerëzor dhe atij të gjeneruar, dhe a e shihni këtë si rrezik për autenticitetin?
M. Rexhvelaj: Vija mes krijimit njerëzor dhe atij të gjeneruar qëndron te përvoja e jetuar. Një tekst mund të ndërtohet nga një makineri, por ndjenja, kujtesa, plagët, dashuritë dhe rrahja e zemrës që fshihet pas një vargu i përkasin njeriut. Autori sjell gjithmonë stilin e vet, këndvështrimin e vet dhe mënyrën e vet të të ndierit të botës.
Teknologjinë e shoh si një mjet ndihmës, jo si zëvendësim të krijuesit. Ajo mund të ndihmojë në proces, veçanërisht ata që nuk i besojnë ende plotësisht vetes, por nuk mund të zëvendësojë autenticitetin që lind nga përvoja njerëzore.
Nuk më tremb risia, përkundrazi, e shoh si një sfidë të kohës sonë. Letërsia e vërtetë do të vazhdojë të dallohet gjithmonë nga gjurma unike që lë shpirti i autorit.
Koha javore: Duke pasur parasysh temat që trajtoni në poezinë tuaj, si dashurinë, realitetin e ashpër, familjen, identitetin etj., si e shihni sot shoqërinë shqiptare dhe çfarë ju brengos më shumë?
M. Rexhvelaj: Fatkeqësisht, mendoj se vazhdojmë të jemi një shoqëri në tranzicion, pothuajse në çdo aspekt. Nuk kemi arritur ende një stabilitet të plotë shoqëror, kulturor dhe politik, dhe kjo reflektohet natyrshëm edhe në letërsi e në art.
Ajo që më brengos më shumë janë plagët e emigrimit, shpopullimi i viseve tona të bukura, largimi i të rinjve dhe boshatisja e shumë zonave që dikur kishin jetë e gjallëri. Po aq të dukshme janë edhe konfliktet mes brezave, përplasja e vlerave dhe vështirësia për të gjetur një gjuhë të përbashkët në shoqëri.
Arti nuk jeton i shkëputur nga realiteti. Duam apo nuk duam, shqetësimet, dhimbjet dhe sfidat e kohës sonë depërtojnë në krijimtari dhe bëhen pjesë e saj. Letërsia mbetet një mënyrë për t’i dëshmuar këto plagë, por edhe për të mos humbur shpresën se mund të ndërtojmë një shoqëri më të qëndrueshme dhe më njerëzore.
Koha javore: Si mësimdhënëse shumëvjeçare e gjuhës dhe letërsisë shqipe, jeni çdo ditë pranë brezave të rinj. A shihni te nxënësit e sotëm interes të mjaftueshëm për librin dhe poezinë?
M. Rexhvelaj: Si mësimdhënëse me mbi 20 vite përvojë në arsim, mund ta them me bindje dhe me shpirt se nxënësit tanë kanë ende dashuri për librin dhe poezinë, ndonëse shpesh krijohet përshtypja e kundërt. Çdo ditë takoj të rinj me ndjeshmëri, imagjinatë dhe dëshirë për të lexuar e për t’u shprehur përmes fjalës.
Kam pasur fatin të punoj me shumë nxënës të talentuar dhe besoj se disa prej tyre nesër do t’i shohim të rreshtuar ndër emrat e rëndësishëm të letërsisë shqipe. Talenti ekziston, mjafton të gjejë mbështetjen dhe udhëzimin e duhur.
Në këtë kultivim brezash, një mirënjohje e veçantë u takon kolegëve të mi, të cilët çdo ditë japin jo vetëm dijen, por edhe shpirtin e tyre për ta afruar rininë me librin, gjuhën dhe letërsinë. Frytet e kësaj pune nuk shihen gjithmonë menjëherë, por ato mbeten dhe japin dritë në kohë.
Koha javore: Për ta mbyllur, si poete, autore dhe mësimdhënëse, çfarë do t’u thoshit të rinjve që sot e njohin botën kryesisht përmes ekranit e më pak përmes librit? Sa e rëndësishme është që, pavarësisht zhvillimit teknologjik, të mos humbasë lidhja e njeriut me librin dhe kulturën e leximit?
M. Rexhvelaj: Do t’u thosha të rinjve se njeriu formohet, rritet dhe kultivohet përmes librit. Libri mbetet rruga më e sigurt dhe më e bukur drejt dijes, mendimit kritik dhe njohjes së vetes. Kjo ka qenë gjithmonë këshilla ime edhe për tre fëmijët e mi. Sot ata janë lexues të pasionuar, kritikë të mirë dhe shkruajnë poezi, edhe pse profesionet e tyre janë krejt të tjera: dy janë mjekë dhe njëra inxhiniere.
Teknologjia është pjesë e kohës sonë dhe nuk mund të shmanget, por shpesh ekrani po e humb misionin edukues. Në shumë raste, synimi kryesor nuk është formimi i brezave, por gara për klikime, vëmendje dhe konsum të shpejtë të përmbajtjes. Pikërisht për këtë arsye, lidhja me librin bëhet edhe më e rëndësishme. Leximi na mëson të reflektojmë, të ndiejmë më thellë dhe të kuptojmë më mirë botën dhe njëri-tjetrin.
Ndaj do të vazhdoj të qëndroj pranë librit dhe ta promovoj me të gjitha forcat e mia, sepse besoj se aty fillon kultura, qytetaria dhe formimi i vërtetë i njeriut.
Faleminderit!
Intervistoi: Toni Ujkaj
